........

giovedì 7 marzo 2013

Saranda

















SARANDA


Kam vënë në provë dashurinë për ty
dhe jam mundur nga mungesa jote.

Si ta duroja mallin
që më gërryente si acid?
Vetëm portokalli i dashurisë sate
ndriçonte dhe ngrohte për mua
dhomat e hoteleve të largëta.

Dhe hotelet,
duke këputur ballamarët e rrugëve,
shndërroheshin netëve në anije
për të më sjellë në gjysmëhënën e trupit tënd
të mbështjellë me vellon e bardhë të netëve jonike,
me jodin dhe parfumin e leshterikëve.

Dëgjoja pulëbardhat të më thërrisnin,
dëgjoja të fshehtat e humbëtirës së largët detare
të më joshnin për aventura.

Ishuj piratësh, Kolombë Indish të pazbuluara të
                                                            fëmijërisë  sime!
Varrezë e largësive e fshehur në guvat e nëdetit
si një shishe e vulosur që mban brënda
pergamenin e udhëtimeve  që nuk i bëra!

Në netët e vetmuara u zija vendin statujave mbi muret
antike të buzedetit, i  shastisur 
nga rrokullisja e trungjeve të mëdha të dallgëve,
dhe poterja e elementeve karrikonte tërë qenien time.
E desha sa s’ka më detin tënd
të thellë e të tejdukshëm
si një qiell i lëngëzuar,
limanin tënd ku ende lëkunden direkët e ëndrrave të
                                                    mia fëmijërore.

 Nuk ishin për mua dhomat e hoteleve të largëta.




1 commento:

  1. Z. Mato, a është e mundur të më autografoni librin tuaj?
    Përshëndetje të përzemërta nga Londra,
    Anduela

    RispondiElimina