........

lunedì 19 settembre 2016

Diskursi i pluhurit të artë të përjetësive



DISKURSI I PLUHURIT TË ARTË TË PËRJETËSIVE

Dr Fatmir Terziu


Mesazhi themelor i vëllimit më të ri të poetit Agim Mato, “Mjeshtër i Madh”, i titulluar “Pluhuri i artë i përjetësive” është një gravitet mendimesh filozofike që agravojnë me mendimin tek përkohshmëria e jetës. Më saktë me një kuptim se në fund të fundit, të gjitha arrijnë dhe do të bëhen si pluhuri i rrëmbyer nga era, ndërsa “pluhuri i artë”, pluhuri që ra, bie dhe do të bjerë me dashje, apo pa dashje mbi të artën e Fjalës, mbi poezinë, artin e saj të bukur të fjalës i përket përjetësive. Poezia e këtij vëllimi është e bukur, por ndryshe nga vëllimet e tjera të poetit vjen me një nuancë “trishtimi’. E kuptojmë këtë në mjaft lidhje dhe mendime, në mjaft përjetime ku vetë vargu është produkti i mesazhit të tillë të jetës nën kapakë:

“U ndesha me censorë
që sterilizonin shpirtrat e poetëve
në dobi të ca perëndive të rreme
që kishin populluar dhunshëm planetin.
Për shumë kohë penën ma sekuestruan
si një armë të paligjshme
që nuk më takonte ta mbaja.
Për shumë kohë: “Sus!... sus!”, më ndëshkonin
dhe ngela pa zërin tim, pa gjuhën time, pa librat e mi.”

Dhe vetëkuptohet pse kjo nuancë trishtimi është zanafillë e tillë dhe trisht në pluhurin e përjetësive, kur autorit ia rrëmbejnë jetën, i vrasin ëndrrën dhe i ndalojnë jetë-frymën e Fjalës.
Ne lexuesit e mjaft poezie të këtij vëllimi, shpesh kuptojmë atë që perënditë e rreme menduan sikur do të ishin këtu përgjithmonë në këtë planet, sidomos, ndërsa ne jemi në përhumbjen e kohërave, ose kur lexojmë ende se si disa imagjinojnë se do të mbesin përgjithmonë të rrinj. Me këtë lloj mentaliteti, është e lehtë dhe mjafton për të injoruar pasojat e veprimeve të shkuara, është e lehtë të kuptohet trishti, por është mjaft e brendshme dhe normativisht e ndjeshme tek poeti që kërkon dhe thjesht vetëm nga libri:

“Ti libër, tani, je me kapakët e akullt e të pacënuar,
me fletët e pathyera
dhe me bukurinë që nuk dua ta gëzosh tepër.
Do të lenë shenja gishtat e padurimit mbi ty?
Mollëza gishtash të mësuara me prekjen e librave,
të mësuara me pluhurin e artë të përjetësive,
me pluhurin e pergamenëve të lashtë,
a do ta venë re praninë tënde? “

Por kjo shpesh, nuk është thjesht një retorikë dhe pyetje si e tillë, nuk është vetëm arsyeja e një mesazhi për fatin e librin dhe artit të bukur të fjalës, por  mund të çojë në një lloj absurdi tjetër tjetërsues për shumë njerëz, veçanërisht kur përballen me realitetin e vdekshmërisë së Fjalës, mosleximit, librit dhe vetë vdekjes së pluhurit të artë të përjetësive kur mjafton vetëm “Hani, pini dhe të jeni të gëzuar, sepse nesër do të vdesim.” Sokrati jo më kot ka shkruar se “Të gjithë ne jemi ajo që është pluhur në erë” dhe se “Jetët tona janë vetëm cipa e pluhurit të rënë nëpër gishtat e kohës.”
Mes mjaft leximeve të Matos dhe në këtë vëllim, kam kërkuar për kuptimin më të thellë të jetës, shpesh duke kërkuar në të gjitha vargjet e përjetimet e tij, edhe pse unë kam ndjerë një lexim ndryshe, edhe pse e kuptoja poetin teksa thoshte

“Vetëtimat çaheshin brenda meje
dhe ndjeja të më shponte hundët një si erë squfuri
që vinte nga hapësirat.”  

Megjithatë, edhe pse unë vendosmërisht besoj se kam gjetur tashmë përgjigjen, kjo nuk do të thotë se unë nuk kam mister mbi ndonjë arsyetim vargor, aq shumë sa që ka të bëjë me jetën në planetin tokë, veçanërisht vuajtja dhe e keqja, të dyja që kanë ardhur nga duar sistemi, nga duar të dukshme, ndryshe nga duart që përcaktojnë dhe shkruajnë fate njerëzore ... dhe sidomos kur meditoj në univers dhe vendin njerëzimit në të, në atë botë të rrethuar nga “perëndi të rreme”. Gjendja dhe bota e njerëzve të atillë vetëm në një varg të tillë, të lirë e të bardhë, duket aq e vogël dhe e parëndësishme, në krahasim me pafundësinë e të arsyeshmeve që citohen me forcën e artit, gjuhës dhe produktit të tij në poezinë e Matos.  
Dhe provat për këtë janë si rrjedhë e pastër, si ujërat që e ndoqën dhe e trazuan vargun e poetit, por janë dhe një vetëmbydhje e detyruar, një guaskë që oshëtin vetëm për veshin e  atij që e dëgjon, por duke na rikujtuar se ishte një spirancë e fortë dhe e qëndrueshme në rrënjë të thella:

“Isha  si një guaskë e zbrazur,
e flakur mes guralecëve të yjeve,
një spirancë anijesh e këputur nga zinxhirët isha,
me hekurin e udhëtimeve të ndryshkur.

Asnjë shpresë nuk i rrihte krahët rrotull meje
të m’i zgjonte ditët me klithma gëzimi.
I mbyllur shpirti.
E mbyllur kënga.
Rrethi i një laku më shtrëngonte në fyt,
dhe, oh, me sa kujdes i hidhja këmbët
të mos shkelja
aty ku më prisnin greminat.”

Mato ka tentuar të bëjë arsyetimin e ndryshuar paksa me metaforën, por që bën jehonë me të njëjtën temë themelore të natyrës së përkohshme dhe brishtësinë e jetës, kur ai paralajmëron lexuesit që të jenë të kujdesshëm kur të tjerët thurrin lëvdata për planet e jetës me fatet e jetës së tjetrit:

“Po kush përpiqej ta shuante atë lëndë
që ushqeu tek ne zjarrin e madh të shpirtit,
ende të ndezur pas kaq vitesh?”

Jashtë këtyre ndukjeve të ndjeshme plot trisht për jetën janë fatet e tjera, ato që zgjojnë kujtime dhe arsye të ndershme, arsye që sillen tek dashuria prindërore, dhe sidomos tek ajo për nënën.
E këtu simbolika vjen sa reale, jetike, aq edhe Hyjnore, aq sa shpendi me të cilin ngjizet rrëfimi vargor ka produkt filozofie të arsyeshme e të ndjeshme deri në dhimbje. Është emri “Thëllëzë” që hyn në këtë memorje me rrjedhën e hershme të 1916-tës. Të atij viti që ka jo pak lidhje të tjera:

“Kur erdhi në jetë nëna ime në Moskofilin
e mbushur me bajame dhe fiq deti,
në rrugën që të çon në shtëpinë me portën
e  gurtë të Karreçajve,
u dritësuan odat e lashta nga urimet dhe uratat.”

Në vazhdim të vargut kjo është një preambulë jete, një imazh, një ndikim, një rrëfim, një simbolikë, një ushqesë, që vetëm mjeshtri me duart e tij di ta stilojë, vetëm mendja e tij di ta skalisë, jo vetëm me penë, por edhe me penel. Një produkt i bukur, që ngjan me mjaft të tjerë, mjaft perla të hershme të artit.
Arti i poezisë së Matos shëmbëllen mesazh me pikturën e Martin Schongauer, (1435-1491), me atë pikturë ku Maria ishte gjithmonë edhe një simbol i urtësisë, ashtu si edhe ajo është e përfaqësuar shpesh me librin e hapur të urtësisë. Në linja të ndryshme poetike urtësia dhe simbolika e tillë sillen mes trëndafilave dhe shpendëve me një afërsi mesazhi, referohen tek trëndafila si dhe për palma me të cilat, kuptojmë artin dhe mesazhin për cilësinë më të lartë të Njeriut, lidhjen me jetën dhe aspektin e virgjër, që jo pak herë është i lidhur me një varg të tillë poetik dhe të frymëzuar nga jeta, ose dhe nga arti i portreteve: “Unë jam rritur gjatë sa një pëllëmbë në En-Gedit,/siç u rrit shkurra e Jerikos.” Jo më kot trëndafili i Jerikos shfaqet në këtë kopsht, ku del Maria dhe fati i saj, ashtu siç edhe shfaqet thëllëza në djepin e foshnjës së posalindur kur dimë se Mato shkruan thuajse ngjashëm:

“Atëherë hoxha u ngrit e tha:
“Mos u lodhni hiç për emrin,
Perëndia, që i qofshim falë,
deshi dhe e solli
e ne dhuratën s’do t’ia kthejmë.
Thëllëzë do të quhet,
për bukuri dhe urtësi
atyre do t'u ngjajë."

Kështu emri Thëllëzë mori një bekim njerëzor, dhe po kështu Maria është quajtur shpesh “Trëndafili i Jerikos”. Tema e Marisë së ulur në një kopsht u rrit si një ridimensionim arti, edhe pse ajo është një, e përsëritur dhe e ripërsëritur, veçanërisht në mesin e arteve piktoreske gjermane. Në pikturën e Martin Schongauer, shfaqja e  Marisë është e tillë: Ajo është e ulur me foshnjën Jezu në prehrin e saj në një kopsht të mbyllur. Është e ulur në atë kopsht trëndafilash ku u rrit. Ajo është ulur si “një zambak midis ferrave”, të cilat janë më pas ferrat e shkurret ku ajo u rrit. Ajo ulet në një “kopsht të mbyllur”, siç është shkruar në “Canticle e Canticles”. Trëndafila të vërtetë rriten rreth saj në një mbrojtje hyjnore. Trëndafilat janë të kuq, ngjyra e Pasionit të Krishtit. Virgjëresha është e veshur tërësisht në të kuqe, e cila është një ngjyrë e pazakontë për Marinë. Ajo është shfaqur zakonisht me një mantel blu. Por këto ngjyra për të do të kishin qenë shumë të ashpra në krahasim me kopshtin e trëndafilave të kuq dhe të gjelbër prapa saj. Tonet e kuqe përshtaten me pamjet harmonike dhe të japin një imazhëri me një ngjyrë shumë të ngrohtë në sfondin e gjelbër. Në rrit shkurret janë zogj; këto janë zogj të artë, zogj që prodhojnë metaforën dhe produktin poetik në mjaft inspirime, zogj që në qafën e të cilëve janë kthyer sërish në të kuqe pasi mbytet nga gjaku i Jezusit në Golgota. Trëndafila të mëdhenj të kuq, në lulëzim rreth Marisë, por edhe një i bardhë i vetëm që shfaqet rreth saj, duke treguar pastërtinë e saj.
Thuajse me të njëjtin kolorit shfaqet dhe përjetohet dhe poezia e Matos, kushtuar nënës së tij të shtrenjtë, dhe në mejtimin e sipërcituar dhe tek “Mëma”, apo dhe kur ai ikën në “Virtualitet” e kërkon fëmijërinë, rininë e trazuar në bardin e detit, apo dhe në parkun e zhytjes nënujore, ku lexon dhe zbërthen vallen e pulëbardhave, dhe kur hyn me një diskurs të thellë gjerë e gjatë në kohë, hapësirë dhe vend, në limanin e ditëve tona dhe tek sheh lisat:

“Ecin. Përballë lisat
Përballë malet pak çaste pas krismave,  pas betejave
me tymin e heshtjes që ngjitet dalëngadalë mbi  kreshta.
Dëgjohen tingujt e ndonjë zileje.
Këmbët e mushkave hapin gropa të vogla zhurme
në zallin e natës.”

Dhe sërish është atje, atje thellë me zemër tek “Mëma”:

“Këtu ku jam kambanën e kishës e tund era netëve
dhe kujtoj se dikush prej atyre që s’janë më e rreh
 gjuhëzën e saj të ndryshkur.
Çohem e rri shtuara në krevatin
ku akoma s’jam mësuar
me vendin bosh të orëziut tim, duke silloisur
jetën që më mblidhet si një komb para syve.”

Se ikja është e tillë, është si një pikë ujë..., është vetë diskursi i trishtit që simbolizohet nga fati i jetës, është vetë pluhuri i artë i asaj që mbetet në përjetësi, por dihet se edhe “...kombet janë si një pikë ujë në një kovë,/ata konsiderohen si pluhuri i një peshoreje;/ai i ngre ishujt si të ishin një send shumë i vogël.” (Isai 40: 6-8, 15).
            Duke përfunduar duhet ritheksuar se Agim Mato është filozofi më vete. Ai edhe tek “Pluhuri i artë i përjetësive” nuk ka prurë thjesht “Poezi” nga vetvetja dhe përkujdesje redaktoriale nga i mirërespektuari, Alush Avduli, por memorje dhe vetëm memorje në astarin e artë të jetëgjatësive. Pra, është vetë Diskursi i pluhurit të artë të përjetësive.