........

sabato 25 aprile 2015

Shumë mund na u desh



SHUMË MUND NA U DESH






Shumë mund na u desh ta fitonim njëri tjetrin,
kur lufta e klasave na nginte pusitë,
dhe ishte sikur të hapnim një tunel
nga të dyja anët,
për t’u bashkuar në një pikë.

Nëpër natë
u gjendëm në arrati
me detin pranë,
me dallgët e tij,
të vetmit dasmorë që patëm; 
ku velloja e hënës të mbulonte gjer te këmbët
dhe ylli i Afërditës të ulej në gisht si unazë.

Nuk ngopeshim në ato çaste dashurie,
kaq pranë ëndrrave të përmbytura
me kundërmim.

Gjoksi im ulej e ngrihej 
i tërhequr nga frymëmarrja jote e shpeshtë,
ashtu si hëna, duke tërhequr oqeanet,
shkaktonte baticat e zbaticat pranë nesh.

Kur të preknin gishtat e mi
ndienin elektricitetin që të fërgëllonte
nga supet gjer tek ijet
dhe atëherë nga sytë e tu derdhej një dritë
e ngjashme me dritën  minerare të yjeve.

Ajo dritë ishte djegia e përjetshme e lëndëve kozmike
që ngjiz çuditërisht jetën e këtij dheu.

Po kush përpiqej ta shuante atë lëndë
që ushqeu tek ne zjarrin e madh të shpirtit,
ende të ndezuar pas kaq vitesh?

O helm i ëmbël si mjalti!



O HELM I ËMBËL SI MJALTI!



Të kujtohet historia e atij magjistari gjigant brenda një
shisheje?

Jam unë ai që tallazitet brenda  shishes sate
sa herë që ti e tund e shkujdesur
nga një zemërim i beftë.

Kur bie zemërimi, qelqi duket se ka marrë plasaritje
dhe unë pres të thyhet, t’i shpëtoj skllavërisë.

Eh, po të më lesh një gyp të marr frymë lirisht,
nuk do të përpiqem ta braktis atë qelq
të mbushur me djallëzi.

O helm i ëmbël si mjalti!

Sa vetmitar do të isha i flakur në lirinë time,
në lirinë e mallkuar, larg torturës sate!