........

lunedì 9 maggio 2016

Rrudhat



RRUDHAT


Rrudha të valëzuara të fytyrës që befas bëheni vertikale,
rrudha anës buzëve që tendosni emocionet, ato mbi ballë, 
që shprehin habinë, ato që shoqërojnë tmerrin,
ironinë, gëzimin, ankthin. Rrudha që bëheni kanale
ku të rrjedhin djersët e sikletit, ku të rrjedhin lotët,
si shfryrje dufesh nga kapilarët e shpirtit;
Rrudha të hapura  me vite pune, të ashpra,  që të 
gërvishtin duart po t’i përkëdhelësh, rrudha që 
ravijëzojnë karakterin, 
të fortë e të qëndrueshëm:

sa për vete kurrë nuk kam dashur t’ju fsheh,
t’ju fshij, sikur të doja të fshihja të vërtetat e mia,
ju le të shfaqeni, ashtu siç jeni, t’u lexojnë në çdo rresht,
si një libër të hapur sizmik, tërmetesh që tronditin.