........

venerdì 16 marzo 2018

E Bukura e Dheut



E BUKURA E DHEUT


Atëherë poezia për mua ishte e Bukura e Dheut,
që e pushtoi si me magji rininë time të hershme.
Jetonim së bashku në të tjera dimensione, në të tjera
   hapësira,
dhe botë të reja krijonim
nga fermentimi i shpirtrave tanë.

Çapiteshim në një truall mitesh,
duke ngjeshur me këmbët tona dheun e përrallave
  të mbushur me mistere.

Hipnim në maja ëndrrash të thepisura
dhe koloviteshim nëpër meridianë.

Po një ditë, perënditë e rreme, me një dekret të zi
ma shqitën nga krahët të Bukurën e Dheut,
dhe m’i shkulën nga shpirti një nga një të gjitha lulet
dhe metaforat.

Vetmoja në qytetin që tashmë më shfaqej përsëprapthi,
me detin që zhurmonte atje lart mbi Manastirin e 40
 Shenjtorëve
dhe qiellin të bridhte nëpër rrugë, duke hequr zvarrë
       retë e tij,
                                                     si një karro e shkalafitur.

I trallisur nisa të bëja pazar me vdekjen,
groposja motivet e lëna përgjysmë,
me titujt si emra të vdekurish,
gjersa shpirti i  shkretuar u mbush si një varrezë
dhe nata,
tridhjetë vjet e gjatë,
pllakosi qenien time.