........

giovedì 17 gennaio 2013

Muji dhe Halili

























MUJI DHE HALILI             

Bijës sime që këmbënguli t’i
këndoja një rapsodi për Mujin

Fort po ndrin ai diell e mirë po na ngroh.

S’mbahet mend qëkurse u mbyllën në shpellën
e eposit Muji dhe Halili,
qëkurse doli pushka, u shpik shtypshkronja
dhe karavelat i ranë rrotull botës.

Tani, sa herë që plasin  shpërthime nëpër grykat e
           Bjeshkëve
bien shkëmbinj nga tavani i shpellës
dhe u turbullojnë gjumin. Poshtë
dyshemesë dëgjohen makineritë si ca urrithë që hapin
                                                             tunele  drejt tyre.

Ç’ bëhet atje poshtë në botën me njerëz?

Atëhere vendosin të dalin jashtë
kreshnikët
me strehët e pëllëmbëve
mbi sytë që po u verbohen.

Sa shekuj paskan dremitur?
Në sa dimra gërhitja e tyre
ka  shkundulluar pyjet?

Shih çfarë bën Gjeto Basho Muji:
të nxjerr gjokun në oborr
e t’i prek patkonjtë e mëdhenj sa një mburojë
e t’i sheh që janë tretë,
tretë si urovi në strallin e bjeshkëve duke shkrepur
vetëtima “mbi armiqtë.”


E t’i thotë Halilit “mirëmbeç”,
e ta heq për freri gjokun përmes sheshmejdaneve të
                                                                  dikurshme,
përmes Bjeshkëve të Namuna ku hedhin shtat pyjet e
përjetëshme të rapsodive,
e të zbret pastaj poshtë e më poshtë  trojeve të lashta
për në qytetin ku rron miku i tij nallban probatini.


Përpara zhaurijnë ultësirat e përmbytura në dritë.


Si kanë mbirë kështu këto qytete të bardha rrëzë
kështjellave të moçme,
në pragjet e minierave
   e gjer në anëdetet e largëta?


Ç’është ai gjok
prej çeliku
që trokëllin përmes tyre dhe heq pas vetes ca shtëpi
 të çuditëshme
         të mbushura me njerëz?



Zbret Muji duke hequr për freri gjokun.
Rreth e rrotull ca brumbuj viganë
e të hekurt
bulurojnë, duke venë përpara dherat dhe kureshtjen e tij.
Më tej nisin kodrat e ullinjve
të rreshtuara si për paradë.
Në qytetet e tyre prej xhami banojnë perimet.


Askush Mujit rrugën s’ia pret,
askush Mujit s’i kanoset,
askush Mujit s’i lyp mejdan.


Gjoku pas tij
përtyp barin e ditëve tona.


Veç, kur ka mbërritë Muji, punishten e mikut  kurrkund
                                     s’e ka gjetë.
Në vend të saj, ca furra të larta,
vjellin nga goja
zjarr dhe tym të zi.

Hingëllin gjoku,
tendos frerin
dhe ulet në bisht
të mbart të zotin
drejt rrezikut të ri.



Me një gjyrlyk gjoks,
dy vare duar
dhe dy kovaçana të ndezura sysh
ja ku u afrohet nallban probatini,
stërgjyshi shqiptar i metalurgjisë.


“Mirë se vjen, Muj, -  proboja i thotë -  
këtu të gjithë të njohin,
të gjithë e dinë si t’u shfaq e shndërruar në zanë toka
   mëmë,
si hapi gjinjtë
dhe ti pive i etur qumështin vullkanik të mllefit të saj,
e dinë si mori përpjetë shtati yt
dhe befas u bëre aq i madh
saqë dy luanë mund të shtriheshin gjatë e gjerë brenda
 opingave të tua,
saqë në zjarrin e çibukut tënd
mund të ngroheshin pa frikë gjithë burrat e një kuvendi.


Shkallët e sarajeve të sulltanit
shembeshin nga  pesha jote
dhe dyert e tyre nuk ta nxenin dot madhështinë.
Po këta djem, Muj,
s’i kanë për gjë
shkëmbinjtë e tu njëmijëokësh që vërvitje kuturu nëpër
 honet e shekjuve,
s’i kanë për gjë
teksa shkrepin topin elektrik
dhe çajnë barkun e furrës me metalin e shkrirë,
si të çajnë rropullitë e një planeti të zjarrtë.”


Po ç’pati Muji? Ç’tregon ashtu me gisht
sikur papritur të dilte që andej
jo përroi i metaltë
po një dragua përrallor, një rrëshqanor rrëzëllitës i
                                                                        mbështjellë
                                                      me avuj e fishkëllima?


Këtu s’hyjnë në punë topuzët.
Mëkot shqetësohesh. Dragoi
s’ka ku shkon. Ja tek e kapin
si me fuzhnje
dhe e çojnë në nofullat e reparteve
të mbuluar nga xixat e zemërimit të tij.


Kujde, kujdes, Muj!
Po Muji nuk dëgjon.
E panjohura Mujin e huton.


E t’ja derdh metalurg probatini potkonjtë e çeliktë.


Bukur gjokut po i vijnë,
bukur hapat tringëllijnë,
bukur sheshin vetëtijnë.


Vrik në shpinë Muji gjokut i ka hipë,
zjarr e tym nga mbrapa i ka qitë,
fill tek Halili paska mbërritë.


“Mirë se të gjej! – Halilit i ka thënë, -
kurrkund, Halil, bajlozat nuk i ndesha,
kurrkund, Halil, të huajin s’e pashë,
ngado që eca
çuditë më ndoqën në çdo hap.


1979-2012

Nessun commento:

Posta un commento