........

giovedì 3 gennaio 2013

Mea Culpa



















MEA CULPA

Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën
   e braktisur të poezisë
e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysëm,
duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,
veglat e mia të punës
të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi
me perënditë,
ngurova  papritur dhe ashtu fluturimthi
bëra të ngjitem  lart, ku prej kohësh përgatitesha për
     salltanetin e madh të vdekjes.

Vallë sërish do të fillonin vuajtjet netëve të vetmuara,
derisa zjarret e shpirtit  do të më kthenin në zhele
këmishët e hekurosura
dhe jelekun e çmuar të dhëndërrisë?
Sërish, vallë, do të ulurija nga dhimbjet,
kur si i babëzitur, do të gërmoja motivet
derisa të më zinin nën vete galeritë e tyre të frikshme?

I jepja zemër vetes: kush e çan tani kokën për profkat
       poetike?
E ndërsa po mendoja t’ja mbathja
nga kisha ardhur, më rrethoi befas frushullima mizëri
e krahëve të dëshirave e të ëndrrave të dikurshme,
që përplaseshin tek unë si lakuriqë nate
dhe binin të alivanosura para këmbëve të mia.

Si kishin rrojtur kaq gjatë në këtë harrim të pashpirt?

I prekja një nga një
e ato përmendeshin me klithma duke mbushur me
       dritë minerale
tërë atë laborator kujtese,
tërë atë punishte arti që ma mbyllën me forcë,
tërë atë alkimi të shpirtit
që filloi të më shfaqet
si një asteroid verbues. E pashë sërish qartë
vrullin e marrëzive të dikurshme
për të përplasur kokën tek e parritëshmja,
derisa llamba prej karbiti yjesh në ballin tim
thyhej
duke qëlluar me gjithë fuqinë
magmën e trashë të kohës.        

Po kur ndjeva të ndizen rreth e rrotull
motorrët e metaforave,       
në djall, thashë, këmishët e hekurosura, oportuniteti
dhe bisedat eklektike mbrëmjeve,
në djall
programimi i jetës,
oraret e përpikta për medikamentet dhe filmat.

Sarandë, 2011

Nessun commento:

Posta un commento