........

venerdì 18 gennaio 2013

Tre vegime

VEGIMI I PARË


Erdhën kohë të vështira, tha ajri.

Mijëra e mijëra oxhaqe më ngulen në trup si gjilpëra
          helmi
duke turbulluar gjakun tim të kaltër.
I verdhë dyllë mezi lëviz sipër qyteteve,  
lumenjve të infektuar,
detrave ku lundrojnë hedhurinat.

S’di nga fryj. Endem pa torua
me sytë e verbuar nga lëndët kimike
duke bërë lesheli stinët,
duke çrregulluar rreshjet,
presionet atmosferike dhe temperaturat.

Dikur isha i bollshëm e plot shëndet.
I lehtë pendë ndiqja kopetë e pafund të reve,
vrapin e gëzuar të pulëbardhave,
shtyja drejt pafundësisë tullumbacet e fëmijëve të
                      fryra nga ëndrrat,
mbartja pjalmin e luleve,
aromat e tyre kundërmuese,
mbushja me oksigjen mushkritë e jetës
dhe shkoja të shtrihesha i kënaqur pët t’u ripërtërirë
                                                                              në pyje.
Askush s’e ndiente peshën time,
askush nuk zihej për mua.

Më kujtohet koha kur vërtisja pa u lodhur krahët e
          mullinjve,
koha kur shtyja velat e anijeve
drejt zbulimeve të mëdha,
kur ndihmoja balonat të ngjitnin
për herë të parë njeriun në qiell,
kur ndiqja hap pas hapi progresin e tij
për ta bërë hapësirën si shtëpinë e vet.

Nuk po them.
Më surbnin të mirë e të ligj.
Vetë, po të mundja
asnjë gllënkë ajër s’do t’u jepja
tiranëve dhe gjeneralëve,
atyre që u mohojnë ajrin të tjerëve
dhe i izolojnë prej meje
nëpër qelitë e errëta,
ku të mos hyja dot.

Asnjë gllënkë s’do t’u jepja atyre që bëjnë gati neutronin 
të më heqin qafe nga kontinentet,
gjersa i gjithë planeti të bëhet një ditë i pabanueshëm
si një dhomë gazi krematoriumesh.

Erërat, si mijëra violina të shqyera nga zëmërimi im,
  ciasin hapësirave
“Earth Song”-un e Michael Jackson-it.

Erdhën kohë të vështira, tha ajri. Mos ardhtë
dita që të shetisni me skafandra.



VEGIMI I DYTË

Pashë si i pushtuan qytetet e brishta monopolet,
si i sulmuan detet e oqeanet me platformat lundruese
      naftës,
si kthyen malet përmbys për të gjetur uraniumin,
ngritën mijëra oxhaqe, si furça që lyenin me  blozë
 qiellin,
re të trasha villnin shiun acid, tubacione gjigante  
                        mbushnin detin  me vrerin e industrive.

Përse t’ju flas?
Për brigjet e ndotura që s’i pastrojnë dot as tajfunet,
për borën e zezë që mbulon brenda një nate parqet me
       lodra të fëmijëve?
Për smogun që të loton sytë dhe ti anulon shëtitjen me të
         dashurën?
Për lumenjtë e sëmurë, lebrozë, në reaminacion?
Për liqenet e ligatinat ku rosat e egra ngecin në një llum
 nafte në fund të shtegtimit,  për vdekjen
 e tyre të ngadalshme  bashkë me klithat e  dëshpëruara 
dhe qiellin që u rrjedh si lot nga sytë e ftohur?

Dallgët gulçojnë nga tonelatat e peshqve të gordhur
që i nxjerrin në bregun e mbushur
me skeletet e qenieve të dikurëshme detare.
Zogjtë bien coftë si gurë nga qielli.
Drurë lakuriq e të hirtë shfaqen në mes të avujve
të squfurit, dhe më tej
pallate të nxirra si lugetër të dalin përpara.

Ja thithën palcën tokës. Aty ku ngrihej një mal,
tani të përpin një humnerë, dhe humnerën e dikurshme
e kishte mbushur një mal.

Dhe unë gërthas: Mos u lani nëpër liqenet që ju mashtrojnë 
me bukurinë e tyre shterpe,
nëse ju duhet ende lëkura për të jetuar.

Tabelë paralajmëruese po vë poezinë time:
“Ujë i ndotur kimikisht!”

Më tej, te horizontet ku të zihet fryma:
“Atmosferë e ndotur! Vini kundërgazet!”
“Mungojnë rezervat e ajrit të pastër!”

Dhe unë gërthas me mushkritë e përvëluara:
“Ndaleni këtë tren me ngarkesa radioaktive!
Do të pendoheni, po ju them! Nuk dihet
ku do ta lërë vrapin nëpër natë
për të helmuar ngjizjen e mijëra bebeve në krevatet
e pafajshme bashkëshortore!”

Anije fantazma enden nëpër oqeane
dhe shfaqen para porteve të ngarkuara me mbeturina
          toksike
si të molepsurit nga kolera para qyteteve të Mesjetës.

Ku do ta zbrazin vdekjen
që mbartin nëpër hambare?

Ulërima e brigjeve të tmerruara dëgjohet së largu.


VEGIMI I TRETË VETËM PËR SARANDËN


Qytetin, që dikur i këndoja me aq mall,
tani e shetis vetëm në gjumë. Vetëm thellë pas mesnate 
hap portën e kujtesës dhe arratisem fshehurazi
se mos ma rrëmbejnë edhe imazhin e fundit të tij.

Hidhem nga  Guri i Madh te Plazhi i Vjetër,
shtrihem tek pllakat e bardha borë
duke u thekur në diell,
marr fundo te Çentrali,  rri gjithë natën te moli i
                                                    Musait duke peshkuar,
shetis në shkallaret, nën tunelet e bukenvileve,
ngjitem në mal dhe sodis gjelbërimin në mes të teatrit 
  çative të kuqe që nuk janë më.
                                                           
Vetëm thellë pas mesnate, ulem i vetëm, mbi siluetën
e një shkëmbi që rri brenda meje
dhe  qaj mirazhin e përmbysur të qytetit.

Kompanitë e ndërtimit e ndjekin hap pas hapi këtë
                                                                                  mirazh.
Natë e ditë eskavatorë të fuqishëm hapin humnera
       katërkëndëshe  mbi shkëmb
 me një rregullsi të frikshme, atje ku dikur ishte një vilë,
atje ku dikur ishte një grumbull palmash, një shesh,
një pyll, një ëndërr, një liman. Natë e ditë
kat pas kati, rriten njëherësh, të ngjeshura, sup më  sup,
                    në bllok,
duke synuar qiellin,
duke flakur hapësirat në mes,
qytetvrasëset e reja
prej hekuri e betoni.

Çdo ditë
nxitojmë të dalim nga rrugët e ngushta,
ku na zihet fryma,
nga zagushia e qerthullit të këtij makthi vertikal,
se mos gjejmë pak ajër
për mushkritë tona në hapësirën mbi  det,
për të gënjyer më kot veten,
sepse edhe aty na presin labirinte të reja
për kujtesën tonë të lodhur.

(Ajme,
  gjitha figurat poetike
që aq lehtë më dilnin  nga shpirti dikur,
zmbrapsen përpara kësaj katrahure
dhe fluturojnë të tmerruara nga kafka ime.)



 
 

Nessun commento:

Posta un commento