........

giovedì 22 novembre 2012

SHQIPONJA



SHQIPONJA

Shqiponja ishte dëbuar nga flamuri.

Ajo vërtitej majë maleve,
inspektonte kështjellat që nga ajri,
ndiqte lëvizjet e ushtrive
me rrapëllima qerresh e re pluhuri,
kontrollonte me sytë e stërvitur
sipër një deti çadrash laramane të fushimeve,
sipër fushëbetejave
dhe merrej vesh me kapedanët  kryengritës.

Pesëqind vjet me radhë,
në çdo beteje,
një shtizë,
qëndronte e gatshme
për fronin e saj.

Po nuk e besoni,
hapni kronikat ku shënohet se ajo,
në konspiracion me Ali Pashën,
priste sinjalin të ulej mbi shtizën
që plaku e kishte bërë gati. 

(Aliu kishte një ushtar
që do t’i bënte shenjë
kur të vinte çasti.)


Po kur më vonë e panë shqiponjën t’i hapte udhën
një diligjence 
që e çonte me ngut Ismail Qemalin
në Sheshin e përgatitur enkas në Vlorë,
të gjithë e njohën të preferuarin e saj.

E kuptuan të gjithë
pse iu desh
të zgjidhte një diplomat
për të nënshkruar shugurimin
në sytë e një Europe tekanjoze.

Sarandë, 2011

Nessun commento:

Posta un commento