........

martedì 23 ottobre 2012

Pëllumbat




Piktore: 
Safo Marko





PËLLUMBAT


Motiv arbëresh



Me një shufër të njomë
duke prekur koka lulesh
nëpër rrugët e pranverës
shkoi një trim i Skënderbeut.
Tek po prirej nga katundi,
pa se vashat ishin rritur,
aq sa njëra e hutoi
dhe  e preku në gërsheta
ashtu siç prekte lulet.
Përmes degësh, ku hardhia
varej  që nga qeramidhet,
e pikasi e jëm’e vajzës
dhe kështu na i tha trimit:
“Trim, që ngave time bijë,
po s’e dije, tani mësoje:
një djalë që nget një vajzë
do ta marrë atë për grua.”
Dhe ushtari i përgjigjet
se e do dhe kërkon pajën.
Kur e bëri e ëma gati,
na e merr djali për dore
edhe shkojnë përmes sokaqesh,
nga ku shoqet zgjatin kokën
ta shikojnë që nga ledhet.
Shkunden netët nga dritaret,
djali del punon në kopsht;
nga gëzimi që ka vajza
lulëzojnë të gjitha mollët.
O, sa shpejt i lidhën kokrrat
mollët në oborr të tyre!
Djalit i këputet gjumi,
i del shpata që rri varur
brir’i luftës prapë e thirri.
“Mba shtëpinë, e bukura ime,
me dritaret të njëzeta
dhe në to po aq pëllumba.
Çdo të shtunë ti ushqei,
ushqei dhe jepu të pinë;
çdo të dielë numëroi,
se sa të mungojnë
aq kohë unë nuk vij.”
Shkon ushtari dhe u nis vajza
t’i ushqejë e t’u japë ujë
një për një të shtunë mbrëma.
Kur u gdhi e diela
dhe pëllumbat numëroi
pa se njëri i mungonte.
Gjithë ditën vajza qante.
Natën era nga Berati
sillte hingëllima kuajsh
dhe asaj  m’i trëmbej gjumi.
Dhe kur erdhi prap e shtuna,
i ushqeu gjithë pëllumbat
dhe të dielën, e  mjera,
pa se tjetër i mungonte.
Javë pas jave
të gjithë fluturuan e vanë.
Dhe ajo si një pëllumb
iku larg duke kërkuar
fushave të luftës
trimn’ e saj të bukur.

Nessun commento:

Posta un commento