MINELLA GJONI
SHPËRTHIME
EMOCIONALE ME NJË
MENDJE
TEPËR RACIONALE
Poeti Agim Mato i takon plejadës së poetëve sarandiotë me një përvojë
disadhjetëvjeçare. Ai shfaqet si një poet që pasi ka kapërcyer fazën e një
krijimi parademokratik, në bazë të përvojës krijuese, përpiqet në mënyrë
dinjitoze të trajtojë probleme thelbësore të jetës shqiptare. Agim Mato
paraqitet si një poet lirik që nuk e shikon realitetin si një vëzhgues
indiferent i jashtëm, por si një njeri i shqetësuar, meditues rreth çdo dukurie
të jetës që kundron, analizon dhe përpiqet të hyjë në botën e brendshme të
bashkëkohësve të vet. Poezitë e Matos i bashkon si një fill i vetëm mendimi
filozofik se jeta është një luftë e gjatë dhe e vështirë, ka fitore dhe humbje,
ka gëzime e dëshpërime. Prof. Fatmir Terziu në artikullin “Art-organika e
poezisë së Agim Matos”, thekson: “Duke i bërë kësaj poezie, të ardhur në
kohën e duhur (dhe e përkujdesur në një intinerar vitesh), si një përshkrim
verbal e objektiv i punës së artit, vetë arti i fjalës që poeti Agim Mato na
riciton mes vargjesh të tij, është forcimi i filozofisë me anë të tablove
poetike të sintetizuara, gërshetuar këto me ndërhyrjet e vazhdueshme të
nocionit lirik që bën përgjithësime të rëndësishme”.
Thelbi i poezisë së Matos qëndron në faktin se ai, duke ruajtur një frymë
të këndshme romantike në trajtimin e jetës, jep një mesazh se duhet të duash me
shpirt më të dashurit e vetvetes: Atdheun, vendlindjen, familjen, natyrën,
dashurinë, duke e kthyer veten në një këngëtar të unitetit të brezave, të
kalimit e fuqizimit të traditave tona nga një epokë në tjetrën.
Nga krijimtaria disavjeçare e Agim Matos është zgjedhur një cikël poezish,
ku përmes tyre Matua do të tregojë larminë e dukurive të jetës, bukurinë e
gëzimin e ardhjes dhe të ndërrimit të stinëve, të stinëve qe sollën lirinë e
vërtetë. Poezitë në përgjithësi kanë intonacione retorike, me figura të
zgjedhura. Vargjet janë të ndërtuara me kujdes e me figuracion të larmishëm.
Ato ngjajnë me një bashkëbisedim të ngrohtë midis poetit dhe lexuesit, si midis
dy njerëzve të afërt, të dashur me njëri- tjetrin e me interesa të përbashkëta
shpirtërore. Shpesh Matua përmes personifikimeve dhe metaforave, jo vetëm e
shpirtëzon dhe e gjallëron natyrën, por e kthen atë në ëndrrat më të bukura
njerëzore.
Duke mënjanuar dalëngadalë karakterin retorik të poezisë së tij, Agim Matua
thellon analizën e saj medituese dhe psikologjike dhe ruan e forcon në mënyrë
të vazhdueshme muzikalitetin, shprehjen melodike dhe harmoninë ritmike të
vargut. I pranishëm në poezitë e Matos është edhe peisazhi poetik. Përmes
figurës së paralelizmit poetik, vërehet lidhja, harmonia ndërmjet natyrës dhe
njeriut që me punën, gjallërinë dhe ekzistencën e tyre, mbajnë gjallë botën.
Përmes korpusit poetik, që ende poeti e ka “Pa titull”, Mato sjell në
poezinë shqipe një sërë cilësish të reja që lidhen me një shkallë ndjeshmërie
të lartë, me një vetëdije estetike të re, që e ka bazën në rivlerësimin e
figurës e të shprehjes poetike dhe në tërësi me emancipimin e poezisë aktuale.
Shenjat e dukshme të këtij moderniteti janë se ai e ndien veten kryekëput poet,
krijues, duke e konceptuar poezinë të çliruar nga detyrime të natyrave të tjera
politike a sociale. Këtë kredo të tij poeti Mato e paraqet në poezinë “Zili”, e
cila zë vendin e një parafjale të veprës së tij poetike:
“Më kap zilia kur mendojse
një rrënjë e vetme ulliri
Mund t’ia kalojë dobisë
sime,
kur një lule me dritat
dhe linjat e saj
ua kalon vjershave të
mia.
Kur një bletë kthehet
nga kullota e ngarkuar me nektar
dhe unë i kërkoj vetes
llogari në mbyllje të çdo dite
Kur një yll shënon me
përpikmëri rrugën e tij
dhe mua më duhet shumë
punëpër ta gjetur.
Sa herë i mendoj të
gjitha këto,
përpiqem të kem brenda
vetes
një ulli
një lule
një bletë
një yll”
(“Zili”)
Shumë poezi të Matos mbarojnë, por mbarojnë me një suazë. Ato vazhdojnë më
vonë në fantazinë e lexuesit që njëjtësohet me situatat poetike. Ligjërimi
poetik i tij në shumë poezi që mund të konsiderohen antologjike, është
zhvilluar duke harmonizuar në vetvete shpërthimet emocionale me një mendje tepër
racionale.
Prof. Fatmir
Terziu shprehet: “Ndryshime të fuqishme shihen në stilin e tij të poezisë
që plotëson ndjeshëm aspektet dy dhe tri dimensionale intriguese. Agim Matua
prezantimin e poezisë së tij ka marrë përsipër që ta ridimensionojë në një
rrugë të hapur, përtej kornizës tradicionale, duke filluar të ngrejë vargun në
lidhje organike të ndryshme, të tilla lidhje që perceptohen si stërkala të
ndritshme arti, të angazhuara parësisht me lëndën abstrakte dhe tradicionale.
“Mbush një grusht me guacka deti”, ndoshta është njëra prej dhjetra e dhjetra
poezive që e përcaktojnë qartë këtë rrugë të hapur poetike, duke vënë theksin
tonik në një aliteracion artistik me theksin fundor, për të forcuar
mesazhin filozofik të fabulës, me një arsye të qartë art-organike.
“Mbush një grasht me guaska deti
Ç’u bënë jetëzat brenda tyre
ndiej vetëm tringëllimën boshe
tek i trazoj në duar
.......................................
Si Hamleti rri e kundroj
këto kafkëza të vogla
llogore të braktisura të luftës për ekzistencë”.
Enumeracioni i Agim Matos, që theksohet duke emërtuar e numëruar disa nga
vendet e tij më të dashura si “Saranda”, “Fterra”, “Arbëria”, “Qafëbota” nuk
është thjesht një numërim i thatë. Me sistemin e vet të sintaksës poetike,
Matua ngre një sistem të atdhedashurisë, të aktualitetit kombëtar të bashkëkombasve
të vet. Vetë poeti shkruan se është bir i mëmës së dheut Fterrë dhe i perëndisë
së ligjërisë, Sarandës, që e lindin njeriun dhe më në fund e presin në gjirin e
vet. Tek “Fterra”, shprehet:
“Nëpër damarët e tyre ka rrjedhur lëngu i jetës
i mbartur nëpër kohëra drejt lirisë
si uji nëpër lugjet e drunjta drejt arave
të djegura nga etja”.
(“Fterra”)
Ndërsa në vijim te
poezia “Saranda”:
“Si ta duroja mallin
që më grryente shpirtin
si acid”,.
Te “Fterra”:
“Këtu vetëm pak po të priresh
drejt vetmisë së pyjeve dhe shpellave
Secili një xulluf krenarie
një torbë këngësh
që lëkundet në degët e harlisura të shpirtit të tij”.
Te “Saranda”:
“E desha sa s’ka më detin tënd
të thellë e të tejdukshëm
si një qiell i lëngëzuar
limanin tënd ku akoma lëkunden
direkët e ëndrrave të mia fëmijërore”.
Ridimensionimi
poezisë erotike
Edhe në poezitë erotike Matua sjell diçka të re. Mbështetur në letërsinë e
traditës dhe në të njëjtën kohë mbi modelimin e rrymave aktuale moderne, ai
krijon poezi me përfytyrim të ri dhe një dimension më të gjërë të erotikës
sonë. Tek bukuria e vashës ai sheh lindjen e dashurisë. Në poezinë erotike
është meditativ si tek e gjithë vepra e tij. Bukurinë e jashtme e sheh
gjithmonë në harmoni me bukurinë shpirtërore.
Poezitë me tematikë dashurie poeti Agim Mato i ka thurur me variacione
poetike e retorike të ngushëllimit. Në to është krijuar zgjedhja klasike e
ligjërimit dashuror, ku një unë e një ti përpiqen të komunikojnë duke ndërruar
vendet, nga që dashuria është e vetmja që gjithnjë synon bashkimin e njësimin e
kuptimin e jetës.
Zjarrmia dashurore që shfaqet herë si mall “vitet që kaluam bashkë janë si
një pyll i vogël që oshëtin nga kujtimet”, herë si lutje “Eja brenda bir, nuk
dëgjon?/ shkalluan drurët”, herë si mallkim “atëherë dhimbjen për ty si një
bukë të hidhur e ndamë”, herë si mungesë “S’e di sa e kërkova midis degëve ku
shihja/ të lundronte vetëm dritarja e së dashurës sime”.
Këto përsiatje poetike vijnë përmes poezive “Tutje sanalleve të kthyera
përmbys”, “Shkalluan drtirët nga era”, “Vitet që kaluam bashkë”, apo
“Pulëbardhat”.
Ligjërimi alternues përbën thelbin shkrimor të poezisë “Afërdita”. Që në
titull vërehet simbolika përmes një miti. Afërdita vetë është bukuria e
pashtershme e një rinie të hershme që vinte si një hyjni deti.
“Nga erdhi papritur
në atë verë të largët të
rinisë sonë
si një hyjni deti
.................................
dhe vinte në lëvizje
elitat e zemrave tona të
njoma”
(“Afërdita”)
Duket se poezia është krijuar nga ndikimi i ndodhive dhe pamjeve
mbresëlënëse mbi krijuesin.
“Deti i së dielës
me trëndafilat e bardhë të dallgëve
Ti u hodhe të mblidhje trëndafila
dhe harrove të dilje”.
Ngjyrimet e dhembjes shpërthejnë krejt konkrete:
“Mërmërima e detit
mos ishte zëri yt
që vinte i lodhur nga thellësitë
dhe thoshte ...jam këtu,
jam këtu,
jam këtu?
(“Afërdita”)
Në këto vargje nuk gjejmë më idealizim apo moralizim, sepse zemra nuk është
gur, kur humbja lidhet drejtpërdrejt me Afërditën, që ka lënë vetëm një plagë
në kujtesën mendore e shpirtërore të poetit apo të brezit që përfaqëson vetë
poeti Mato. Ai e përfundon:
“Dhe pamë peshkatarët të sillnin kurmin tënd
Mbështjellë me një pëlhurë vele
sikur të sillnin direkun e thyer të lumturive tona”
(“Afërdita”)
Ku vete i dashuri i humbur, para Zotit a para Motit, lind të vdesë a vdes
të lindë, a harron jeta dhe a harrohet jeta? Janë një mori pyetjesh pa
përgjigje. Këtu njeriu është humbës i përjetshëm;qenie e
pangushëlluar, kur mbetet pa bukurinë, dashurinë e mirësinë. Thotë tek poezia
“Shkalluan drurët nga era”:
“Vij nga e dashura
dhe ndieja akoma aromën e buzëve të saj
si aromën e pjeshkës
dhe ndieja akoma të prekja supet e saj të brishta
që dukeshin sikur do të më thyheshin në duar.
Nata varej si një pjergull
mbi pullazin e shtëpisë sime”.
(“Shkalluan drurët nga era”)
Zjarrmia dashurore nuk shuhet kurrësesi dhe në fund shfaqet si një kredo
jetësore:
“’Ende s’jemi thinjur
Ende zemrat tona
mbushin me gjak të bollshëm
Fenerin e dashurisë
që drita e saj kurrë të mos shterë”.
Motivi
arbëresh në poezitë e Agim Matos
U është drejtuar viteve të hershme të historisë. E ka prekur thellë
historia e arbëreshëve përtej detit. E ka rrokur këtë temë në poezitë “Ikja e
arbëreshëve”, apo “Pëllumbat”. Është mbështetur në motive arbëreshe. Në ato
poezi paraqiten tri dashuri: Atdheu, vasha, natyra. Në frymëzimin e poetit kanë
ndikuar dhe lavditë e shqiptarëve të përtejdetit, që bashkë me ikjen morën me
vete edhe emrin e pavdekshëm “arbëresh”. U larguan ata, të vrarë në shpirt, nën
tingëllimat shurdhuese e të çrregullta të kambanave, mes dënesës e lotëve
dëshpërues e mallëgjyes. Largimin për në një vend të huaj, të largët e të
panjohur për ta, poeti Agim Mato e jep poetikisht:
"Për dy ditë dhe dy netë me radhë
nuk pushuan këmbanat.
Për dy ditë dhe dy netë me radhë
u drodhën në qiellin e shqetësuar të Arbrit”.
(“Ikja e arbëreshëve”)
Të gjitha këto janë vendosur, siç shprehej De Rada, në epokën e “Motit të
Madh”. Ngjarjet, personazhet, natyra, ndjenjat apo konfliktet e kohës janë
ngritur në art. Vazhdojnë në vijim vargjet e Matos:
“Kalorës të tjerë vinin
të tjerë zbrisnin nga kuajt
dhe ulnin djepat e mbuluara
me pelerinat e bëra shkrumb në luftra”
(“Ikja e arbëreshëve”)
Në poezinë “Ikja e arbëreshëve”, poeti nuk pasqyron veprimin, por efektet e
ndjenjës, përjetimet e heronjve. Ndonëse në dukje fragmentare, poezisë nuk i
mungon uniteti i ndjenjës dhe i mendimit. Prej këtej buron konçiziteti si një
nga tiparet më kryesore të artit të poetit Mato. Ndërsa lirizmi vjen natyrshëm
edhe pse me sfond epik:
“O sa të rënda
sa të rënda ishin ato spiranca,
sikur të ishin pleksur në rrënjët
e asaj nate të praruar”
(“Ikja e arbëreshëve”)
Idetë përcillen përmes një gjuhe poetike të përzgjedhur dhe një ndjeshmërie
artistike të admirueshme:
“Sikur të ishin pleksur në hingëllimat e kuajve
që rendnin të trishtuar në bregun e ndarjes”.
Poezitë me motivin arbëresh i kanë të gjitha karakteristikat e shkrimit
lirik të subjektit të dashuruar, erotika me shenjat shqiptare, dashuria si
ndjenjë e triumfit dhe e humbjes, më në fund si forcë themelore e shfaqjes së
individualitetit, imagjinata si fushë më e përshtatshme, e panjohur e ëndrrës
së dashurisë, shpërthimi i saj individual si kacafytje me kufizimet kolektive.
Vargjet e poezisë ngrihen në rrafshin imagjinar e jo real, prandaj
shpërthejnë zhvendosjet e mëdha në kohë e në hapësirë: rrethi, natyra,
krahasimet e zgjatura, frazat poetike që lidhen me njëra-tjetrën nëpërmjet një
imagjinate poetike pa pengesat realiste shkak-pasojë.
“Po do të ngriheshin vajzat sa herë që të vinte-pranvera
sa herë që të vinte pranvera
“O e bukura More” do të këndonin vajzat
dhe do të lëshonin si pulëbardha shamitë e tyre”.
Moderniteti i kësaj poezie-poemë qëndron në dendësinë e figurave të
shprehjes dhe herë-herë vijnë në trajtën e monologut me tone elegjiake:
“Dhe erërat i shtyjnë galerat drejt perëndimit
Pishtarë të huaj u vinin zjarrin shtëpive
Dhe ullinjve të tyre
Të tjera brigje i prisnin,
dhe vite”.
Edhe pse vitet poetike kalojnë
për Agim Maton, gjithmonë spikat individualiteti i tij krijues duke qenë një zë
i veçantë në letrat shqipe.
Nessun commento:
Posta un commento