FATMIR MINGULI
FUNDO -
THELLIM NE
SUBKOSHIENCEN POETIKE
Shënime për vëllimin poetik “Fundo” të Agim Matos
Opinionet e
reja shihen gjithmonë
me sy të shtrembër e zakonisht kundërshtohen për të vetmin fakt se nuk ngjajnë me të
zakonshmet.
John Locke
Përpara kam librin më të ri të poetit Agim Mato që e ka titulluar
“Fundo”, titull që më kujtoi emrin “Tetro’” të filmit të fundit që u shfaq ne
festivalin e Filmit, vjet, në Durrës, të regjizorit amerikan Frensis Ford
Kopola,e që më kandisi të them se titulli “Fundo “ është thjeshtë për efekte
tingëlluese.
Gabimi
bëhet më se evident mbasi lexon të gjithë librin me poezi e kur kupton
se fjala që merr
përsipër barrën e titullit
të librit ka të bëjë me zhytjen në
thellësitë e detit Jon.
Kështu
fillon ky libër befasues me opinione të
reja të cilat shpalosen në të gjitha
poezitë e këtij libri jonian. Opinionet e reja janë në radhë të parë si një
artificë për të ndërtuar poezinë jo si të tjerat, po ku konfrontimi inteligjent
i poetit e bën lexuesin të afërt dhe
e afron ndaj vetes.
Një nga
këto mjeshtëri është dhe kontrasti i përgjithshëm dhe i veçantë. Kontrasti i afrohet filozofisë dhe
të kundërtat e këndëshme përqafojnë njera tjetrën. –Një hap më tej fillon gjithësia…-kështu
fillon poezia e bukur “Jon” e ku pegasi i poetit fluturon krejt i
shkujdesur në hapsirat blu të Jonit
biblik.
Libri i parë i poetit Agim Mato u titullua “Jug” e sapo doli në vitrinat e librarive në vitin
1969, u hoq që andej dhe u fundos
në kazanet e letrave të ndaluara. Një fundosje që ja
mbajti frymën pezull për tridhjetë vjet
me radhë deri sa botoi “Jashtë eklipsit”, libër poetik që i ktheu frymarrjen.
Dhe ja, libri i vogël “Fundo” i mbushur me ajrin e pastër të lirisë
e të kthjellësisë njerzore. Filozofi i
madh anglez Xhon Loku, citimin e të
cilit e solla me lart, jetoi në
shekullin e 17-të dhe hodhi bazat e konceptualitetit të lirisë njerëzore por
sistemi totalitar që kaluan
shqiptarët privoi nga liria midis të
tjerëve edhe shumë poetë, të cilët e vuajtën në thellësi të shpirtit të tyre këtë padrejtësi.
Fundo - do të thotë të fundosesh, të zhytesh në
fundin e detit, aty ku “në atë xham të lëngshëm haluçinacionesh,/të
gjenim se nga vinte ajo oshëtimë/Brenda mushkrive të pafundme të detit.”
Fundo- është simboli më i saktë i këtij libri
dhe simboli përmban një tërësi temash e që të gjitha të fundosin në labirinthet e shpirtit poetik të Agim Matos.
Opinionin e ri poetik Agim Mato e jep shumë
konçiz te poema “Akrokeraune”. Sa shumë poetë kanë folur për malet Akrokeraune, sa retorika e reminishenca janë
vargëzuar…!
Por askush nuk e tha se “ nuk e shkova ndërmend
arratinë nga ky atdhe/prej guri, prej deti, prej telash me gjemba / edhe atëhere kur këto do të bëheshin/vuajtjet
e mia, burgimi im./ Ai habitet me
ardhjen e Çajld Haroldit në
Akrokeraune, i lodhur e i penduar nga
orgjitë londineze, habitet pse iku Kadareja e nuk donte të ikte Bilal Xhaferri
nga Shqipëria! Por poeti i Jonit e ngre lart shpirtin e pastër të fisit
e të popullit shqiptar që është, ka qenë dhe do të jetë akrokeraun!
Prandaj
ai hakërrehet për kohën e absurdit të teorive soc-realiste, kohën :
Kur
futnin në vrimë të gjilpërës metaforat,
Kur
shfrynin krahasimet si tullumbacet,
kur
vinin ustallarë të shqepnin alegoritë
Dhe
vendosnin kamera të fshehta në tavanet
e ëndrrave.
(Socrealizmi)
2
E poeti vazhdon me finesë të japë poezinë “Zhurmuesit televizivë”, me një thjeshtësi të pabesueshme arrin të rikrijojë tabllotë komikotragjike të teatrit të një skllavërie te re të shpirtit njerëzor. Opinionet që përshfaq
poeti Agim Mato në librin “Fundo” ngërthehen nga kontradiktat, të cilat jepen
me gjuhë poetike të thellë e pastaj ashtu butë e butë i këndon gruas duke u kujtuar se ajo është e
pandashme, e i kthehet asaj : “Po kur
pashë siluhetën tënde/ të brishtë, të
imët, të dilte/nga brinjët e mija/dhe të fanepsej para meje/duke humbur në mes
të turmës.u vura të të gjeja ty…/
Po
butësia e poetit është prap e thellë.Ai bën “fundo “ deri në zemër të palmave
.-Elegji për palmat e Sarandës-do ta quaja poezinë “Vdekja e palmave”, një vajtim pa fund, vajtim që nuk gjen qetësim kërkund.
Duke
jetuar në vende përrallore si vetë
Butrinti, Buneci apo Akrokeraunet, poeti bëhet njësh me mitet e legjendat, me
personazhet e librave të Shenjtë e ta sheh Sarandën tej e përtej rrethuar me
mjegullnajat shekullore të argjenta të
historive të mëdha të shqiptarëve.
“Arka e Noes “ është një nga
poezitë me më shumë labirinthe të subkoshiencës poetike. Me një gjuhë
filozofike Agim Mato na flet për
apokalipsin e pritshëm. Por ai nuk e përfill Apokalipsin apo Zbulesën e
Gjonit, por na ngren siparin e një skene tjetër apokaliptike, më të rrezikshme
se apokalipsi natyror ose fundi material i botës sonë. Apokalipsi i shpirtit të
njeriut! Ja si na fut në këtë labirinth shpirtëror poeti Agim Mato:
Po si ta merrte me mend i
gjori , plak
Se në ato çaste
Bijt e tij, Simi,Hami, dhe Jafeti,
Ende pa shkelur në tokë,
Grindeshin
Duke ravijëzuar kufijtë e perandorive të
nesërme?
“Arka e Noes”
***
Në faqet e këtij libri lexuesi do të gjejë dhe
disa kushtime për njerëz të veçantë,
shqiptarë të përmasave të mëdha shpirtërore e që janë Marie Tuci, Jusuf
Gërvalla, Ali Podrimja, Fatmir Terziu, Andrea Zarballa, Pandeli Koçi. Në parim,
nuk e shoh të udhës kushtimin që poeti i bën një poeti apo dikujt tjetër, edhe
them se mund të jetë e kufizuar. Por dhe këtu thyhem nga opinion i ri që Agimi
na servir duke nxjerr në pah jo vetëm
shpirtrat e këtyre njerëve të ndreuar por dhe shpirtin e tij.
Rënqethesh tek lexon poezinë për shqiptarin e
madh të Kosovës, Jusuf Gërvalla. E kush i harron ato lajme që erdhën nga Mynihu
tek e vranë në mes të rrugës e në lulen e rinisë!? E të mendosh se poezinë për
të Agimi e ka shkruar në 1982! Me Ali
Podrimen vetëm para pak muajsh u takua
në Sarandë në takimin e Jonianëve e ai, Aliu s’është më!
Shpirti i padukshëm i Agimit
shfaqet haptas tek i thotë njeriut të mirë Pandeli Koçi ,”emri i të cilit nuk
shkruhet në libra” po veçse emri është i
një ishulli e mbiemri i një mali e kështu ai
troket në portat e letërsisë me
emrin Sazan Goliku.
Ndërsa me Fatmir Terziun ai kënaqet me
shpirtmirësinë e tij që punon parreshtur për shqiptarët, njeriu sa i zoti aq
dhe i thjeshtë. ”Dyqan Virtual” e quan me të drejtë Agimi portalin elektronik të Fatmir Terziut, “ Fjalën e lirë”, shtëpinë
e madhe të shqipëtarëve.E po kështu mund të
shkruhet edhe për Andrea Zarballën, Marie Tucin por dhe këngëtarin
zezak.
3
A nuk
janë këto shprehje të një mendimi ndryshe në poezinë tonë, që në
përgjithësi trashëgon moton e monizmit se mbasi të vdisje do të
shkruhej! Ky është guximi i poetit tonë
të dashur Agim Mato. Në tëgjitha këto poezi përkushtuese ndjehet
pulsi aritmik, ndjehet një psherëtimë
dikur e ndaluar të shprehej, ndjehet një inat me veten dhe shkruan për një nga 40 martiret katolikë të Shqipërisë, Marie
Tucin që e vranë në vitin 1950, në moshë
krejt të re.
Paralelizmi që bën Agimi në poezinë kushtuar
Andrea Zarballas me poetin tonë De Rada dhe atë
grek Konstantin Kavafis është një model
poetik për t'u pasur zili.
Përhumbem edhe unë,
ndërsa Andrea, më uron mëngjesin
dhe bën sikur ka mijra vjet që jeta rrjedh e
tillë,
sikur ka mijra vjet që ne, te kafe “Riviera’,
në vend të cigareve
këmbejmë poezitë në gjuhët tona-
unë si një De Radë,
ai si një Kavafis.
“Andrea Zarballa”
***
Në fund
të librit jonian “Fundo” poeti zhytet në kujtimet e fëmijërisë e cila, për
mendimin tim garon me poemën “Qafa e Botës”, botuar në librin e po këtij poeti
“Jashtë eklipsit”. Aty gjen imazhet e dhëna drejt për së drejti, diversitetin e
vizioneve gjatë kalimit të kohrave, qetësinë e shpirtit poetik në një det
bunacë, ”Vajzën e largët me fustanin prej deti,/duke pritur të dashurin e saj/
të kthehej/me një anije të bardhë,/nga brigjet e prapsme të Mesdheut./
Pa frikë
unë do ta quaja këtë poemë si një epope mesdhetare ku sinqeriteti i shqiptarit
është i papërshkrueshëm e ndoshta i pakuptueshëm nga ndonjë i huaj. Shkruar gjatë një periudhe
të gjatë kohore 1972-2012, poema na thellon mendimet e fshehura e të hapura të
poetit, ku natyra është bashkëautore me
Agimin, ku deti me anijet e ndryshme
ishte aq afër dh aq larg, pjergulla që “
gërvishte me duart e gjelbra shushërimat
e lehtësuara”!
Fundot e poetit
janë të shumta në këtë poemë.Takimet me fundin e shpirtit poetik janë
dallgë dallgë e të japin përshtypjen, tek lexon poemën, sikur tundesh nga një
cunam i vogël e ti i ndjen tronditjet
edhe pse frikësuese, në shpirtin tënd dhe pastaj qetësohesh duke medituar…
A nuk është ky qëllimi i poetit?
Fatmir Minguli
Durrës 1 dhjetor 2012
Nessun commento:
Posta un commento