DETI ME MISTERE SI SËNDUKËT E GJYSHEVE
U rritëm në një qytet të vogël
me palma, me bukonvile
dhe shkallë që na nxirrnin te deti.
Atëherë deti Jon, që frymonte pareshtur nën shkëmbinj,
ishte për ne i mbushur plotë me mistere si sëndukët
e gjysheve.
Hapnim mbulesën e trazuar të dallgëve
dhe fusnim në të dëshirat, ëndrrat, udhëtimet e
pakryera,
fusnim botët e panjohura,
anijet e lashta, kohërat.
Deti ishte vet magjia që na kishte rezervuar fati.
Ne, një tufë këmbëzbathurish të uritur,
me gishtat
e
duarve
të
shpuara nga gjembat e fiqve të detit,
me duart e nxira nga pefkat e pishave të buta,
me xhepat e fryra nga hizet, të etur
për lodra dhe bredhje mbushnim si pinguinët pllakat
shkëmbore
të Plazhit të Vjetër.
Atje, te Guri i Madh, të shtruar me beton,
si një trampolinë,
merrnin vrull, hidheshim me
rrotullime në ajër
dhe zhyteshim me kokë në thellësirën e blujtë, syhapur,
duke shijuar çdo herë mrekullinë e
depërtimit në një
botë të pafund çudirash.
Kur na merrte uria e drekës
shkëputnim patlat nga shkëmbinjtë e nënujshëm,
qëronim iriqtë e detit
dhe i kapërdinim të gjalla.
Deri pasdite vonë dielli na digjte supet, ndërsa na
ciflosej lëkura e hundës.
Shëtisnim pranë mureve antike, mozaikëve,
saqë çdo ditë dukej sikur rronim në kohët e
lashta,
pranë heronjve homerikë.
Para se të na mblidhte shtëpia
ngrinim mbulesën e trazuar të dallgëve, nga merrnim
me vete ëndrrat
për natën që po vinte.
Nessun commento:
Posta un commento