........

domenica 6 maggio 2018

Nuk jam ai që sheh



NUK JAM AI QË SHEH


Nuk jam ai që sheh.

Jam gjithë ëndrrat që më kanë ndjekur si një film që nga
fëmijëria e hershme,
jam ato pak dëshirat e realizuara
por më shumë ato të parealizuara.

Jam tërësia e mungesave dhe atyre që nuk i arrita t’i bëj.

Të gjitha i tërheq me vete
e s’mund të ndahem prej tyre.

Kisha kaq dëshira, kaq pasione! Me një ashensor drite
      ngjitesha në dritaren e një ylli,
dhe shihja atje poshtë,
si nga dritarja e Perëndisë,
gjithë padrejtësitë që s’kishin të sosur.

Shihja se ideologjia e instaluar
na ndante sipas origjinës, në klasa,
kontrollonte vizionet, synimet e secilit
dhe fabrikonte robotë njerëzorë,
të programuar në emër të një utopie.

Ne, që na quanin të papërshtatshëm
nga origjina,
na mohonin liritë, të drejtat.
Që utopia të shpëtonte prej zërave tanë
librat na i hiqnin nga libraritë, bibliotekat...

Nuk jam ai që sheh.

Jam tërësia e mungesave
dhe atyre që nuk arrita dot t’i bëja në jetë.



Maj 2018

Nessun commento:

Posta un commento