........

mercoledì 20 febbraio 2019

Plazhi i Krorëzës



PLAZHI I KRORËZËS


Këtu natyra është si në ditët e para të krijimit të botës.

Edhe rëra e plazhit, edhe shkëmbinjtë që dalin nga uji,
edhe deti, edhe fundi i tij
mbajnë të pashqitur vulën e  Krijuesit.

Shkelim me kujdes, krup-krup, 
mbi këtë virgjëri rëre të koraltë
dhe ndruhemi  mos hedhim në rërën e larë nga deti
bishta cigaresh.

Edhe zogjtë e shumtë,
për ruajtjen e mjedisit ku rrojnë,
duken si të porositur mos t’u bjerë asnjë  fije kashte
     nga sqepi,
që mbartin për ndërtimin e çerdheve të tyre.

Këtu gjithçka është e  veshur me ajër dhe dritë
aq sa bluja e thellë e detit dhe ngjyra e smeraldit
 na sugjestionon.
.
Këtu koha ka ngecur dhe nuk e dimë
në ç’ epokë gjeologjike po çapitemi.

Dëgjojmë ritmin e përpiktë të valëve
që shtyjnë përpara rërën e ndritshme
dhe e tërheqin në zmbrapsje, si mbylljen e një refreni.


Dikush prej nesh
lëshon një thirrje me zë të lartë dhe të gjithë e ndiejmë
kthimin e shumëfishuar të jehonës.

Na ngjan se kemi hyrë në një tempull të harruar.

Dhe për çudi
 fanepset para nesh një manastir i braktisur mbi shkëmbinj,
i pashkelur prej shekujsh nga murgjit dhe besimtarët!

Në shpatet e pjerrëta  rritet një pyll i dendur e vertikal
prej ilqesh, dushqesh, lisash e valanidhi,
në garë se kush të arrijë më parë qiellin.

Për të gjitha këto, pa dashur belbëzoj një lutje:
Mos ardhtë dora jote, o njeri, që ta zhbëjë këtë bukuri
me betonet e infrastrukturën  moderne që ke  shpikur.

06.04.2014

Nessun commento:

Posta un commento