........

mercoledì 12 dicembre 2012

NIVICË BUBARI















NIVICË BUBARI

O rrapi me degë si tendë,
ç’i bëre pleqtë me mend?



Ka mote e mote që nuk pushon ajo kënga për pleqtë  me
            mend që mblidhen nën rrapin e Nivicë Bubarit.

Zgjaten degët e mëdha në shpatet thikë të Shëndëlliut
të thepisur,
zgjatet isoja dhe mbajnë frymën shenjtorët në kishat
e manastiret rreth e rrotull, 
mbajnë frymën ullinjtë, kopshtijet,  Kakomeja, Heremeci,
Brodani, Krekëza, zallishtet e detit,
(rritet kënga dhe rritet meraku për to),
mbajnë frymën varret me kryqe atje poshtë,
përroi i Nikleke, Shën Thanasi, Shënepremtja e tërë ilqet
e mëdha të pyllit të shenjtë të Rrupaqes[1].

Ec e provo, në ta mban, të prekësh misterin e atij pylli
 sipër të  gjitha çative të Nivicës,
provo të prekësh limeret
ku flenë bubullimat, shko tu afrohesh me sëpatë degëve
e rrënjëve që mbajnë të shtrënguara të gjitha themelet 
e shtëpive 
dhe do të shohësh si do të mblidhen nga thellësitë e
shekujve e do të të rrethojnë për të të sikterisur,
mbiemrat arbërorë të Vranadhime, Papagjike, Dukëspire, 
Thomagjine, Dhimërtike,  Kapedane, Kumie, Mungule
e sa të tjerëve, të mos lodhem së përmenduri.

Në spithara shkëmbinjsh thahen larvat e muzgjeve
dhe kecërit  pinë ujin e kripur të tyre. I mbështetur në
trungun e një ulliri homerik bën hesapet nivicioti dinak
dhe fsheh gravatën nën bërrucë, që mos ta shohin të tjerët.

Shkon mbasditeve, në Mexhlis, te rrapi, ku burrat prej
vitesh zihen me potere për pronat, duke tundur tapitë
e lashta të siguruara nga Turqia e largët.
Sjellin në shesh ministrat, qeveritë, bëjnë aleanca me ta
dhe i prishin. Betohen
për Shën Spiridhonin, për Rrupaqen dhe nuk i ze gjumi.
Të numërojnë çdo vile rrushi që mund të ketë kapërxyer
 gardhin po në tryezë të zbrazin tarabuzanët. 

Kur thonë “natënemirë”, kthejnë edhe një herë kokën nga
 Rrupaqja e kryeneçësisë së tyre
dhe syri u zë shkëlqimin e brirëve të dhive të egra
në çastin kur fluturojnë mbi shkëminjtë si emblema të
              lashta të Kaonisë.


[1] Pylli mbi Nivicën e sotme, në rrethin e Sarandës, që
   mbron lagjet nën të nga  rrokullisja e shkëmbenjve




Nessun commento:

Posta un commento