........

venerdì 7 dicembre 2012

Trëndafil i hershëm




















TRËNDAFIL  I HERSHËM






Dilte e bukura dhe ujiste me ibrik
lulet e oborrit përballë.  
Sa herë kërkoja t’i vidhja shikimin,
ngrihej mbi kangjella e më përcillte me shpoti
një trëndafil i hershëm, goxha i madh.

Ja shkrepte së qeshuri duke u tundur nga era
kur i shkoja mëngjeseve pranë,
vetëm lulekumbonat më shihnin  të ndrojtura,
dhe më ndiqnin me kërshëri deri larg.

Kur kthehesha në mbrëmje,
ai trëndafil i bardhë me petalet e gjera
ishte si një abazhur i harruar ndezur mbi lodhjen time.
Vezullonte i tëri,
i lumturuar nga e vluara e vet.

Çdo mëngjes sërish
rrekej të më prekte
dhe gajasej së qeshuri
i pacipë, mburravec.

Të merakosura -
lulekumbonat.

 Mbylleshin kanatat në mbrëmje,
ajroseshin në mëngjes
dhe ibriku sillej nëpër kopsht
të ngrinte murin e gjelbër
të mos depërtonte shikimi im.

Veçse trëndafili i hershëm
do të vyshkej një ditë.
Nuk do ta ndjeja më shkëlqimin,
nuk do t’i dëgjoja shpotitë.

Të rënuar fletësh e gjeta, kur i shkova pranë
dhe m’u duk si një qeros që më shihte vëngër.
Ndjeva keqardhje për ish kundërshtarin. E preka.
Në duar më la një push të hollë, të verdhë si një ëndërr.

Atëhere dëgjova ibrikun të shushurinte nëpër gjethe
dhe ktheva kokën me nxitim,
kur një ushtri gonxhesh të freskëta u hap,
vuri gjoksin në kangjella
të ndalonte shikimin tim.

Lulekumbonave
u kërkova ndihmë.



Sarandë, 8.12.2012

Nessun commento:

Posta un commento