........

domenica 9 dicembre 2012

Ata që s'janë më - kujdesen për mua


















ATA QË S’JANË MË - KUJDESEN PËR MUA




Flas me të vdekurit e mi.


Brenda meje janë shembur muret që ndajnë kohrat
dhe unë hyj e dal te ata që s’janë më.

Zonja mëmë vjen rrotull në shtëpi
duke hequr pluhurin nga kornizat,
zoti Tatë mbledh në oborr një pjatë
me rrush e fiq për mua dhe zbon maçokun e plakur
                       që e bezdis.

Pemuli pret grepa peshkimi dhe ikën pas një fishkëllime
të hedhë fillot tërë natën te moli. Vetëm Loshi me
kolitir në dorë e cigaren që s’e heq nga buza
rri mbyllur me kanaçet dhe tranzistorët e tij.

Dal edhe unë. Vetëm. Takoj hijet e atyre që përgjojnë
                        sorollatjet e vetminë time me detin.

Takoj lumenj, të shpejtë e të turbullt, takoj shira,
që venë përpara ngastra të mbjellash si ishuj kujtese
që shkëputen e treten në humbëtirë. Lë gjoksin hapur 
që të fryhen kanalet e shpirtit për të shkarkuar  dhimbjen
e çmendur të një epoke.

Koha rrjedh. Gjeratore shtjellash pafund. Mbahem nga
            shkëmbinjtë për të shpëtuar
krahun e thyer të një ëndrre. Dalloj
Seremben para meje, nxitoj hapat dhe nuk arrij.
Më merr me vete, më shtyn kjo rrjedhë
dhe s’di sa herë e gjej veten buzë humnerës
për t’u rrokullisur drejt një planeti të harruar.

Dëgjoj zërin e zonjës mëmë:  
“Kthehu, Gugushi im, kthehu!
Erdhi Vjollca dhe të pret!”

Ata që s’janë më -
tani kujdesen për mua.

Sarandë, 09.12.2012

Nessun commento:

Posta un commento