AFËRDITA
Nga erdhe papritur në atë verë të largët të rinisë sonë si
një
hyjni deti?
Ç’ishte kjo drithërimë
që shkaktonte
kalimi yt
dhe vinte në lëvizje elikat e zemrave tona të njoma?
Dy shokë nga ne u zunë se kujt i takonte karfica jote e humbur.
Ne ruheshim të mos shkelnim
formën
që linte trupi yt mbi rërë.
Kujt do t’i përkisje?
Zemra e kujt do të shkonte gjer aty
ku ëndrrat
strehojnë pulëbardhat?
Sa të tjerë do të shkelnin të trishtuar mbrëmjeve duke
dëgjuar
të qeshurën tënde të lumtur?
Deti i së dielës
me trëndafilat e bardhë
të dallgëve.
Ti u hodhe të mblidhje trëndafila dhe harrove të dilje.
Kaq ditë dhe kaq netë pa ty,
sikur na vodhën papritur
statujën e Afërditës.
Ç’u bënë gjurmët e hapave të tu
që na tregonin të fshehtat e rrugëve të largëta?
Mërmërima e detit
mos ishte zëri yt që vinte i lodhur nga thellësitë
dhe thoshte: “jam këtu,
jam këtu,
jam këtu”...?
Dhe pamë peshkatarët të sillnin kurmin tënd
mbështjellë me një pëlhurë vele
sikur të sillnin direkun e thyer të lumturive tona.
Dhe vetëm atëherë e besuam se nuk ishe prej eteri,
nuk ishe prej shkume
apo drite
po njeri prej mishi
që duheshe qarë.
Atëherë dhimbjen për ty si një bukë të hidhur
e ndamë
dhe pushuam së qenuri rivalë.
Po ti nga erdhe papritur në atë verë të largët të rinisë
sonë?
sonë?
Nessun commento:
Posta un commento