........

lunedì 1 ottobre 2012

Ullinjtë



ULLINJTË














Ullinj pleq e të gërmuqur
ndanë shtëpive,
udhëve dhe detit
me degët e lulëzuara të së sotmes.

Ullinj pleq e të gërmuqur
nga pesha e qindra e qindra vjetëve,
që kanë mbërritur ashtu të zinj e të thatë
përmes gjelbërimit
si hieroglife të pakuptimta.
Por ndoshta kanë kuptim  hieroglifet e tyre,
ndoshta ka kuptim shkrimi tyre,
i shpejtë e i shtrembër
plot mesazhe e kronika të largëta.

Kush mund të thotë se këta rreshta ullinjsh
të mbjellë nga dora e ilirëve tanë,
nuk janë paragrafët e një traktati paqeje?

Shiko këtë ulli himarjot
të ndarë më dysh,
këtë ulli ku lidheshin dikur anijet.
Kush mund të dalë e të na thotë se nuk e ka plasur 
dhimbja kur shpërnguleshin arbëreshët me drudhet
e dheut të tyre në zemër?
Ç’vendim janë duke marrë
këta ullinj të Ardenicës
të mbledhur në kuvend?


Ç’lavdie i këndojnë
këta ullinj të Krujës
grupe-grupe,
nëpër sheshe,
buzë rrëpirave
duke mbajtur me rrënjët e tyre kështjellën e lashtë?

Ç’fuqi të huaja bëhen gati të zmbrapsin
këto Ullishta të Vlorës
me kurorën e tyre të hirtë
si guna të hedhura krahëve?

Ç’mendojnë këta
ullinj të Lezhës, Beratit
dhe tërë kodrave jonike të ngopura me diell si një botë e
                                                                                pamatë?

Duhet durim të gjesh
domethënien e një përdredhjeje,
domethënien e një shpatulle të zbrazët
 dhe të lëkurës rrudha-rrudha
si të dinosaurëve të hershëm.       

Duhet durim të gjesh misteret e një zgavre
ku fshihnim fëmijërinë tonë,
një hajmali, një kukull prej lecke,
dhe përrallat që bramullinin netëve në vatra.

Duhet zemër të përballosh
mesazhin e fjongove të zeza
që varnin nënat dhe nuset
nëpër degët e muzgut,
ndërsa në horizont humbiste
një anije e ngarkuar
me burra dhe pikëllim.

Një anije që humbiste larg,
kalonte Kepin e Shpresës së Mirë
për të gjetur kepin e lumturisë së tyre. 

Kur vinte Viti i Ri
hidhnin në prush
nga një gjethe ulliri
për secilin të mërguar dhe
thoshnin emrin e tij.

Po të hidhte valle gjethja
mbi kongjijtë  e ndezur
mbante shpresa.
Do të kthehej një ditë.
Po ta përpinte flaka –
diçka e keqe pritej.
O shpirt pellazgjik i nënave!
Ti që u vije të vdekurve
nën kokë
një jastëk të mbushur
me gjethet e ullinjve
për t’u prehur në paqe!
Ti që i merrje ullinjtë
për orakuj
dhe vetë atyre u faleshe!

Askush nuk guxonte të vinte dorë mbi ta
nga frika se do t’i zinte nëma jote.

Truallin ku patën mbirë,
ti e shpallje të Shenjtë
dhe e rrethoje me mure
për të mos u mpakur
dheu i tij,
për të mos u mpakur jeta.

Vetëm dashuria linte aty vendtakimet
dhe qasej fshehurazi netëve
me këmbët e saj të lehta
sikur të donte të mos i zgjonte
lulet dhe zogjtë.

Vetëm dashuria ...
ajo e ndjekura këmba këmbës,
e kapura nga plumbi i zi,
e kapura nga vdekja
që vinte dhe ndante
trupat e bashkuar,
vinte dhe ndante
buzët
me puthjen e fundit
të përgjakur.

Ullinj pleq e të vetmuar
midis grindjeve
në sinoret e arave,
ullinj që keni treguar të vërtetën,
që keni pajtuar  njerëzit.

Ullinj ku jeta
ka mbolasur dëshirën
për një sofër më të shëndetshme.
O, sa na dhimbseshit, ullinj,
kur shihnim
t’u digjnin si heretikë në
oborret e Lukovës e të Kaninës
kur shtriheshin pa jetë
me frutat e sapolidhura.

Ullinj që keni përzhitur mushkëritë
në luftëra,
që keni gjymtuar krahët,
  jeni rrëzuar së bashku me shtëpitë
dhe keni ngritur mbi gërmadha
flamujt e mosnënshtrimit.

Ju, pemë të pemëve,
me fisnikërinë e lashtë të fisit tuaj,
me madhështinë e heshtur e pa bujë,
me flokët e thinjur të degëve që prekin tokën,
me trupin e rrudhosur
nga mendimet dhe vuajtjet,
me martirizimin dhe bujarinë tuaj të çdo viti,
të kishit gojë, të kishit gojë
ç’gjëra do të na rrëfenit!

Ullinj pleq e të gërmuqur
ndanë shtëpive,
udhëve dhe detit,
ullinj të heshtur si bardë të verbër
që befas akordoni harpat
në erën që nis të fryjë.

A e dëgjoni zhaurimën e një himni që ngrihet sipër tyre?

Nessun commento:

Posta un commento