DRAGOI I SYRIT TË KALTËR
E vërtetë ose jo, historia e dragoit të Syrit të Kaltër
tregohet prej mijëra vjetësh
dhe shkruhen legjenda në vargje të
mbushura me
vizatime shumëngjyrëshe për të vegjëlit
nga poetë të njohur e pak të njohur
të krahinës.
Të gjithë rrëfejnë për stuhinë që trandi detin Jon
dhe nxori në breg atë dragua si një gjarpër
aq të madh, sa nuk e qarkonin dot dhjetë burra të
fuqishëm. Rrëfejnë pastaj
se si një vorbull e rrëmbeu bashkë me barkat atje pranë
dhe e vërviti në majat e Sopotit mbi Delvinën e lashtë.
Dragoi kullifiste gjënë e gjallë, njerëzit,
prishte të mbjellat
dhe shkulte me bishtin e tij lisa të mëdhenj.
Një vërshëllimë e padurueshme u kallte frikën në eshtra
atyre që rronin ende.
Babëzia në një anë, paniku në anën tjetër, e mblodhën
parinë në një kuvend. Ditë të tëra
punuan mejhanet e Delvinës dhe kuvendi zgjatej
deri në
mesnatë, kur më në fund,
atyre burrave iu afrua, siç shënojnë kronikat,
(të vërteta
ose jo,
këtë s’mund ta them) një plak
me një këmbë në varr.
Askujt nuk i mbushi syrin
kur u torri idenë e tij të
thjeshtë, pa shigjeta
helmatisëse, pa alabastra,
pa lera, ku dragoi të binte e
të ngecte në zift,
pa ushtri, siç i bënte llogaritë
e saj paria,
duke harxhuar tërë arkën e
përbashkët të krahinës.
Projektet e fushatave me
strategë
që do të bënin emër u
shkërmoqën
para sakrificës së një gomari
të ngarkuar me eshkë
që propozohej t’i çohej oreksit të madh të
dragoit[1].
Ndërsa paria në mejhanet tërë tym vinte baste
me shuma të mëdha si në llotot e sotme sportive,
plaku me një këmbë në varr iu afrua dragoit që flinte
me sy hapur, ndezi
eshkën me urov në të dy thasët,
u fsheh prapa gëmushave
dhe i grahu kafshës së
gjorë...
Mendoni tani çastin e zgjimit të dragoit,
çastin kur e kullufiti atë dhuratë djallëzore,
kur ju ndezën nga etja rropullitë dhe filloi të sokëllijë
duke rrëshqitur e rrokullisur
shkëmbenj,
duke hapur një udhë të gjerë, si makineritë që hapin sot
tunelet e autostradave,
pikërisht
aty ku me sy të lirë, në shpatet e maleve edhe tani mund
të shohësh Udhën e Dragoit,
me rreshtat e një pylli të mbirë vetiu.
Dëshmitarët që e panë kur arriti në Mesopotam, me
fuqitë e shterura,
(varet nga ne t’i besojmë ose jo)
tregojnë për sokëllimën dhe fjalët e tij të fundit:
“Ku je ti, o det, ati im?
(Ndoshta Tetis, perëndia e detrave, për këtë nuk jam
i sigurt) Dhe ti o lumë,
vëllai im? Në u kam, për sot u kam!?”
Dhe ra të vdis(te). E dëgjoi lumi e bëri teposhtë Sopotit
e s’e proftasi (arriti) dot,
e vate i shastisur
në fund të Çukës, ku u poq me detin që ishte nisur
të vinte përpjetë Vivarit. Dhe deti,
si e mori vesh lajmin e vdekjes së dragoit, qëndroi atje
dhe u bë liqeni që është edhe
sot.
Fushën, që e punonin pesëqind palë qé, e ngaloi
(mbuloi) uji. Nga të mbyturit e tyre
kutërbon një erë squfuri dhe asfikson gjallesat në fund
të liqenit. E ndaj u quajt Buthrotos,
thonë të diturit.
Po mrekullitë nuk kanë të sosur: atje ku vdiq dragoi,
plasi burimi i
madh i Syrit të Kaltër,
që vërvit nga zemra e dheut me gulshe një dritë
të qelibartë ujërash dhe
ushqen
gjelbërimin rreth e rrotull
si në një parajsë tokësore
dhe lëviz më tej turbina hidrocentralesh,
dhe ujit më tej fushën e pafund,
dhe u shuan më tej etjen qyteteve.
U deshën një qind vjet t’i tretej mishi birit të Tetisit
dhe me skeletin e tij të stërmadh të ngrihej manastiri i
zbukuruar me relieve
dragojsh,
ku tani u pret bileta turistëve
një punonjës i Monumenteve të Kulturës.
[1] Fjalët e plakut, për
shpikjen e kësaj arme të gjallë, na i jep një poet anonim i kohëve që s’mbahet mënd:
“T’i çojmë dhuratë një
gomar,
ngarkuar me dy thasë
eshkë
dhe unë, që çairin e kam
sosur,
me një urov fitilin do
t’ja ndez.”
Dhe kur në bark të tij do të jemi
zjarri do na
ketë përpirë të tërë:
dragoin, gomarin dhe mua,
Nessun commento:
Posta un commento