........

lunedì 1 ottobre 2012

Monologu i askujt



MONOLOGU I ASKUJT

Poemë
“Mëkatar nuk është ai që hedh poshtë 
perënditë e turmës, por ai që bashkohet 
me mendimin e turmës   për perënditë.”

                       LUKIANI


Çdo mbrëmje shkryqëzohem nga Golgotaja
dhe endem pranë bazave ushtarake,
pranë bareve të ndriçuara,
pranë çifteve moderne
dhe të dehurve.

Endem në mijëra Jeruzaleme
duke trokitur në portat e farisenjve,
në portat e monopoleve dhe të bankave.

Mirëmbrëma, u them. Dy mijë vjet u mundova të
 zbusja për ju
shpirtin e trazuar të popujve.
Dymijë vjet
që i shtegtova kopetë e tyre nëpër rërën përvëluese   
  shekujve  
drejt tokës së premtuar,
duke i mbajtur orë e çast
me erën e thimjamit të shpresës.

Isha bariu i tyre.
I kullosja
nëpër lëndinat biblike të harrimit
dhe në hajate kishash e manastiresh i mërzeja.

Në muzgjet romane e bizantine të kishave
u fola kaq herë për amshimin nëpër qiej
ku do të ngjiteshin shpirtrat e tyre
të mbartura nga engjëjt.

Si dukeshin kur  dëgjonin profkat e mia!
Si i përpinte fantazia e tyre,
fantazia e të uriturve, e të verbërve,
fantazia e llahtarshme
si toka e një shkretëtire pa ujë.

Isha bariu që grigjën time
ua dorëzoja vetëm thertoreve tuaja,
vetëm pangopësisë suaj.

Mirëmbrëma, farisenj. E di se tani ju vjen ndot nga
                                                                        firoma ime
prej avujsh mbytës
të shpirtrave që vuajnë,
nga eshtrat e mia të mbuluara nga miliarda puthje,
si një masë xhelatinoze,
si një rrobe e neveritshme e mjerimit
që s’kam si ta zhvesh.

Herë herë, atje lart, i kryqëzuar,
më duket vetja
si ata shiritat të lyer me ngjitës e të varur nëpër lokalet
                                                                                       tuaja
ku venë e ngecin mizat gjatë verës.

Ende ngecin tek unë turma të gënjyerish.

A  ju kujtohet koha kur hapat e uritura të skllevërve
                                                                              endeshin
                                      në teatrin e pafund të Mesdheut,
duke shirë, si në një lëmë të stërmadh zemërimi
natë e ditë mitet,
duke shembur tempujt,
dhe shëmbëlltyrat e Zeusit?
Mëria e tyre ishte Vezuvi i kryengritjeve të Spartakut.
që rrezikonte të vinte nën këmbët e tij
Pompein e qytetërimit.

Hera e parë që u frikësuat, farisenj
dhe nxituat të projektonit të tjera ligje
për të drejtën romake.

Së largu,
duke gjuajtur me heshta epikuriane Olimpin,
dëgjohej e qeshura tallëse e Lukianit,
teksa perënditë pagane,
si laraska të trembura
shpopullonin qiellin.

Dhe skllevërit, të  mësuar të mos e shihnin bosh atë qiell,
nga thellësia e mistereve të tij dhe miteve,
më dalluan tek vija.

Po ku ta dinin ata
se edhe misteret,
edhe mitet,
do të arkivoheshin në defteret tuaja, farisenj,
dhe unë do të punësohesha si perëndia e re
që nisa t’u  shërbej?

U bëra mesia jo i skllevërve por i juaji.

Kohërat historike i ndatë në ato
“Para ardhjes sime”
dhe ato “Pas ardhjes sime”.
Zbritët në zero mijëvjeçarët e dikurshëm dhe rifilluat
 numërimin
       nga “ngjizja e shenjtë.”

Dhe që atëherë
“hyjaaa”
vija përpara kopetë e popujve dhe ndërseja priftërinjtë.

Kurse ju, me emrin tim në gojë,
me drurin e shenjtë të kryqëzimit
që e ngrinit lart,
kryqëzatë pas kryqëzate,
rendët drejt popujve që u faleshin ende diellit, demit
                                                                             apo zjarrit
dhe ktheheshit çdo herë
me karvanet e ngarkuara me ar, fildish e mëndafsh,
me bananet, kokosin, kafenë e tropikut,
me skalpin e zogjve,
erëzat e Orientit,
me milionat e skllevërve të zinj
që shtynin galerat mbi një oqean dhimbjesh pa fund.

Lakmuat t’i ngulnit sinoret e mia (sinoret tuaja)
edhe atje ku nën diell digjeshin shkretëtirat e Allahut                                                       me xhamitë si kaktuse,
edhe më thellë akoma,
në pagun e pagodave
ku dremiste Buda trashaluq në mes të një peizazhi
                                                   hieroglifesh.

Mirëmbrëma, farisenj, ju që jeni bërë
aksionerë  bankash e monopolesh,
kryetarë partish e parlamentesh!
Jam ndërgjegjja juaj e çoroditur
që vjen e ju takon pas allishverisheve të ditës,
jam rrufepritësi i zemëratave të turmës,
jam dordoleci juaj
që bëj roje natë e ditë
mbi togjet e arit të grumbulluar.

Ju kujtohet kur grisnit sandalet tuaja
në pazaret gjithë pluhur të Jerusalemit,
në pazaret e Romës
dhe të Kostandinopolit? Ditën gërthisnit për të
                                                                        tregtuar
zografisjet me shëmbëlltyrën time,
qirinjtë prej dhjami,
kurse natën uleshit të ushqenit
me gjakun e budallenjve
viçin tuaj të florinjtë,
perëndinë tuaj të vetme.
Këtë perëndi ju e ruani në bankat tuaja
që ngrihen të rrepta në qiell.
Ato janë tempujt tuaj.
Çdo banknotë
është një ikonë e vogël ku faleni.

Është firasur grigja ime.

Më kot kishat tundin këmborët e mëdha në qafat e tyre
                                                            për të ndjellur turmat
që vrapojnë udhëve si në ethe.
U bënë fodullë veshët e tyre.
U bënë fodullë edhe veshët e të papunëve
që duken si të ngeshëm
dhe mblidhen grupe grupe nëpër sheshe,
ku tymi i duhanit lundron sipër kokave të tyre
si Kashta e Kumtrit sipër regëtimave të dheut.

Është firasur grigja ime. Navatat e katedraleve
nuk mbushen më të dielave si dikur.
Barqet e tyre të mëdha janë si barqet e oqeanikëve
që nuk gjejnë ngarkesë dhe e anulojnë udhëtimin.
Lumi i predikimeve që derdhet nga amvona
ujit vetëm kokat e hutuara të pleqve të matufjepsur,
që kanë prerë biletën e ravgimit për në amshim,
kokat e grave supersticioze, të pafata
që vuajnë nga ankthi i një pritjeje absurde,
kokat e politikanëve
që shfaqen sa për sy e faqe
për hatër të zgjedhësve.
Lumi i predikimeve
ujit kokat pa koka,
trupat pa shpirt
dhe shpirtrat  pa trup.

Mbi ta derdhet stili biblik
i lëmuar nga murgjit
gjatë mijëra e mijëra netësh vetmie
dhe zilie për mëkatet.

Nessun commento:

Posta un commento