........

mercoledì 10 ottobre 2012

NGA POEZIA ZEN - MJESHTRAT KINEZË



NGA POEZIA ZEN - MJESHTRAT KINEZË
 - Përktheu Agim Mato

















ILUMINIZMI


1.REITO

Duke hedhur frerët e buajve pranë dhuratave,
jam xhveshur e rruar.
Ti pyet përse Bodhidharma vjen në lindje -
i çliruar nga çdo pengesë unë flas me vete si një i marrë.

2.SEIKEN - KHIKU

Për njëzet vjet pelegrin
jam endur në lindje e perëndim.
Duke u kthyer në Seken
nuk kam lëvizur asnjë grimë.

3.KISHU

Ja plase të qeshurit
sa mbërrite tek ne.
Më i bukur do të dukeshe
po të kishe rruar vetullat e panevojëshme.

4.KAIGEN

Mjeshtri plak i fryu pushit
që mbante në pëllëmbë të dorës
duke e zbuluar burimin  e vërtetë.
Shiko atje ku retë fshehin majën.

5.SOTOBA (1036-1101)

Mali - trupi i Budës,
përroi - predikimi i tij,
natën tjetër tetëdhjetë e katër poezi.
Si mund, si mund t’u mbush mendjen atyre?

6.HOGE

Shumë kohë pema ngeli sterile.
Në majën e saj – intriga resh.
Qyshse kam thyer brirët e demit prej balte
përroi ka rrjedhur në të kundërtën e vet.

7.EIAN

“Lisi në oborr” i Joshusë:
Askush nuk ka arritur t’i gjejë rrënjët e tij.
Duke ikur nga frutat e ëmbla të kumbullës
Këputin dardha aguridhe në kodra.

8.HOIN

Mbi pjerrësitë shkëmbore u dukën
kumbullat e lulëzuara. Nga vijë kështu?
Siç i sheh, Reiun,
vallëzojnë gjatë gjithë rrugës për në Sandai.

9.MONJU-SHINDO 

“Lisi në Oborr” i Joshusë
Duart e shtrira poshtë, të humbura midis degëve të dendura
Nuk arrijnë dot deri tek rrënjët. Dishepulli Kaku çirret:
“Joshu s’ka thënë asgjë!”

10.SHOFU

Asnjë gjurmë pluhuri.
Ç’gjë është e vjetër, ç’gjë është e re?
Në shtëpinë mbi malin tim të kaltër,
asgjë nuk dëshiroj.

11.HAKUYO

Mbi pjerrësitë e larta - shtresa resh.
Lumi është i ftohtë në burimin e vet.
Në se do ta vërtetosh,
Zbrit nga maja.

12.MAKUSHO

Për dashurinë ndaj gjërave të vjetra e pa vlerë
Kam përçmuar të vërtetat që më rrethojnë
Këtu, para hundës sime.

13.SUIAN

Nuk ka nevojë të fshehësh gjurmët.
Tashmë pasqyra e vjetër
reflekton çdo gjë: edhe dritën e vjeshtës
të vesuar nga mjegulla e zbehtë.

14.CHIFU

As mendimet, As Budva, as qeniet njerëzore,
vetëm maja të kaltra rrethojnë Kullën e Pesë Feniksëve.
Në dritën e fundit të pranverës do të çlirohem
nga ky trup - nje dhelpër hidhet në strofkullën e luanit.

15.SOAN

Duke lundruar përmes lumit të njerëzve, dëgjova
Një thirrje, të thellë, ritmike.
Duke kërkuar ç’pata humbur,
Gjeta një aradhë shenjtorësh.

16.MOAN

E qartë, e qartë, shumë e qartë!
Kam përshkuar këmbëzbadhur lindje e perëndim.
Tani më të ndritëshme se hëna
Të tetëdhjetëmijë  portat e Dharmës
Më duken.

17.GEKKUTSU-SEI

Kam sjellë llambën prej smeraldi,
Merre: nuk fiket kurrë.
Ka kohë e ndezur,
Një motër, motër mbetet.

18.SEIGEN-YUIIN

Sa i gjerë është rrethi i fatit
E megjithatë, ajo nga mund
Të kapemi, ishte verbuar
Nga një reze drite.

19.LAYMAN YAKUSAI

Një rropamë shurdhuese,
Një hajdut i arratisur
Trupi im. Ç’kam
Mësuar?
Zoti i Asgjëje
Ka një fytyrë të errët.

20.MUMON EKAI(1183-1260)

Një vetëtimë, sy të zgurdulluar,
Çdo gjë e gjallë përthyhet.
Mali Sumero vallëzon
Në rrugën për Sandai.

21.KANZAN SHIGYO

Ku është shpella e dragoit?
Ndërsa mbrëmanet dremitem në pallatin
E zotit Sunyata, dëgjoj zogun,
Puhinë pranverore të shpërndajë
Lulet e pjeshkës.

22.TEKKAN

As intelekti, as Buddha, as jeta.
Eshtrat e Asgjësë janë shpërndarë.
Përse luani i artë
përpiqet të gjejë varrin e dhelprës?

23.DANGAI

Toka, lumi, mali,
Flokë bore të shkrira në ajër.
Si kam mundur të dyshoj?
Ku është veriu, jugu, lindja, perëndimi?

24.ICHIGEN

Joshui thërret: “Qeni nuk është Buddha”,
Çdo gjë dëshmon jetën,
Deri edhe gjarpri gjysëm i ngordhur
I ngjeshur brënda shportës.
T’i japësh atij që ka, t’i marrësh
Atij që nuk ka: kurrë me tepri.

VDEKJA



DAICHU

Njëbrirëshi i i zjarrtë  këputi

zinxhirin e artë dhe lepuri hënor

përplasi kangjellën e argjentë;
mirësevjen mbi malin Shozan,
moj hënë e mesnatës.


FUYO – DOKAI (1042-1117) 

Gjashtëdhjetë e shtat vjeç po e mbyll

hesapin me këtë jetë –

as qiellin kërkova
dhe as ferrit nuk ju tremba.
Do t’i çoj këto eshtra
tej botës  së Trefishtë,
të paskllavëruara, të patundura.


SOZAN – KYONIN (shekulli IX ?)

Një pemë pa rrënjë,

gjethe të verdha të shtrira

tej kaltërsisë;
as re, as njollë.


UNPO BUN – ETZU

Shtatëdhjetë e pesë vjeç,

murg për pesëdhjetë e shtatë vjet.

Dishepuj, përse pyesni
ku shkoj
me hojzat në tokë?


KOKO

Në fund të fundit, fjala,

nuk më mban lidhur  më.

Hënë e ftohtë mbi pellg,
tym mbi anijen.


TENDO – NYOJO (1163 – 1228)

Gjashtëdhjetë e gjashtë vjet,

duke grumbulluar mëkate,

kapërxej në ferr,
tej jetës dhe vdekjes.


SEIHO

Qielli nuk është i lartë,

toka nuk është solide,

përpiqu ta kuptosh! Shih,
sot, 25 dhjetor,
në jug shkëlqen Harusha e Madhe.


SHOZAN

“Asnjë mendje, asnjë Buda”

ja fusin kot dishepujt

“Gjer në lëkurë, gjer në palcë”
Mirë, pra, gjithë të mirat:
atje tej një majë shkëlqen mbi tjetrën.


LAYMAN YOKETSU

Asgjë s’është dëshiruar,

asgjë s’është braktisur.

Në Hiçin e madh –
A,B,C,D.
Një gabim, një tjetër,
gjithkush kërkon
Parajsën Perëndimore.


HOMYO

Verë, që më turbullon gjithmonë,

edhe pse ruhem shumë në të pirë.

Ku do të rezistoj
i kthjellët këtë natë?
Në ç’qoshe të breglumit
do ta pres aurorën hënore?


ZUIAN

Shpata që përshkon qiellin me shkëlqim të akulltë

çan demonë, Budë, patriarkë,

pastaj, e ndriçuar nga hëna, e nervozuar nga era,
zhytet në këllëfin e veshur me xhevahire. Dema të hekurt
zhyten gjatë gjithë brigjeve lumore.


SHISHIN – GOSHIN (?-1339)

Duke folur : shtatë hapa, tetë rrëzime.

Duke heshtur: një, dy hapa të rreme.

Poetë vargjesh Zen, kudo që jeni,
ndalni, çlironi trurin.


SHOKAKU

Erë e fortë, hënë e ftohtë

një përrua i gjatë përshkon qiellin,

asnjë hije tej kangjellave –
katër anë, tetë drejtime.


RAKAN KEINAN

Sot Rakani, duke i hypur sëprapthi

një kali të hekurt, hypën në malin Sumeru,

duke rendur me galop përmes Zbrazdësirës
asnjë gjurmë s’do të le.


IKUO JOUN

Ky mik, i përsosur në sytë e njerëzve,

përsërit gjithmonë të njëjtën gjë,

prej pesëdhjetë e gjashtë vjetësh. Tashmë
ka diçka të re: pemët do të bëhen ushta,
kodrat shpata.


CHITSU

Mos e rruaj më kokën,

mos e laj trupin

bëji kapicë drutë,
gati t’u vesh flakën.


UNCHO

Dyzet e nëntë vet:

çfarë rropame!

Tetëdhjetë pranvera:
çfarë gëzimi!
Ç’është të kesh e të mos kesh?
Të ëndërrosh e të ëndërrosh.
Kumbulla të ngakuara me borë,
unë jam gati!


DAIE SOKO (1089-1163)

Jeta është siç e kemi gjetur,

ashtu dhe vdekja.

Një poezi lamtumire?
Përse të këmbëngulësh?


WAKUN SHITAI (1108-1169)

Pema e hekurt lulëzon,

pula shpall vezën e saj,

kaluan të shatëdhjetat e unë
sharroj vargjet në skela.


YKUO-MYOTAN

Për shatëdhjetë e dy vjet e kam mbajtur lart

pasqyrën e fatit.

Do ta kem thyer
pasi të kem mbërritur në fund të udhëtimit.


DAISEN

“Të gjitha gjerat ndahen”

Asnjë gjurmë shenjtërie

në këto eshtra të varfra;
Hirin e tyre do ta shpërndajnë
në valët e lumit Jance.
Ky është i vetmi parim:për të gjithë.


KYURIN-EKI

Tetëdhjetë e tre vjeç: më në fund

s’mi ve kush frerët.

Lisi është një Budë,
të panjohurat janë shembur.


TESSHO

Më në fund tej limiteve-

as marrëdhënie, as vartësi.

Sa i qetë është oqeani
që sundon Zbrazdësirën.


SEKISHITSU-SOEI

Pesëdhjetë e tre vjeç,

një buall i ngathët që e lenë fuqitë.

Tani këmbëzbathur çapitet
në Zbrazdësi - ç’absurditet.


DANKYO-MYORIN (shek.XIII)

Duke ardhur, mbledh duart grusht,

duke ikur, i shtri.

Duke kapërxyer barrierat
një thupër lotusi
bën të zvarritet elefanti.


ICHIGEN

Gjashtëdhjetë e tetë vjet  i shtyva:

të shumta e të kota shpenzimet. Demi prej balte

thyhet në dyshemenë e oqeanit.
Në qershor, flokë bore.


GEKKO-SOJO

Si u sillkan kështu poetët Zen

për meritë të shterpësisë!

Ç’marrëzi më bën që t’i bie
në mesditë këmbanës së mesnatës?


SEKIOKU-SEIKYO

Trupi im  nuk do të infektojë

pjerrësitë në lulëzim –

Mos e gërmoni këtë dhe,
ç’nevojë ka përqëndrimi në flakën Samadhi?
Një barrë shkarpa mjafton.


KIKO

Mali Sumeru – grushti im!

Oqeani – goja ime!

Mali  bëhet thërrime, oqeani thahet.
Ku kërcen lepuri i stolisur?
Ku vërtitet korbi i artë?







Nessun commento:

Posta un commento