Xheladin Mjeku
HAPJA E EKLIPSIT
Mbresa modeste për gjithë atë madhështi poetike që takova brenda atyre kopertinave...
Prologu poetik
Vogëlsia e mendimit tim për një fushë kaq të
gjërë të vëllimit voluminoz poetik
“Jashtë eklipsit”
të Agim Matos bëjnë të
kundrosh formën dhe ndërtimin e tij, sidomos organizimin e cikleve dhe
përfshirjen e lëndës letrare.
Ambientimi strukturor i poezive dhe parametrat e ndërlidhur mes vete si një thurrje zingjirore e ngjarjeve, kohërave dhe
personazheve që shtjellon poezia pasqyrojnë periudhën e gjatë, që nga fillet e
trungut ilir e deri në zhvillimet e fundit të ndryshimeve të bujshme historike
dhe zhvillimeve në botën integruese, që ishte dhe mbetet synim i parreshtur i
brezave.
Që në nismë, poezia programatike
“Mea culpa”
vjen si paralajmërim i autorit për rikthimin e tij në jetën poetike.
Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në
minierën
e braktisur të poezisë
e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysëm,
duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,
veglat e mia të punës
të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi
me perënditë,
ngurova
papritur dhe ashtu fluturimthi
bëra të ngjitem lart, ku prej kohësh përgatitesha për
salltanetin e madh të vdekjes. (fq.3).
Ky fillim i sërishëm
i jetës dhe përballjeve të ndryshme të autorit me botën e tij
vullkanike të provokimeve, të ngjarjeve, situatave, qështjeve të ndieshme dhe
rreziqeve që paraqet kjo lojë fjalësh të shprehura me guximin intelektual prej
përjetuesi të tyre, duke i transponuar në vlera të patjetërsueshme artistike
dhe duke i përjetësuar nën petkun historiko-letrar, dëshmohet në vazhdimësi,
nga poezia në tjetrën, nga një cikël në tjetrin. Sforcimi i qëndrueshmërisë së poetit, që
përkundër gjithë asaj që do t’i ketë ndodhur gjatë rrugëtimit të tij të
mundimshëm, me vrullin e vargut shpërthyes ndërton ambientin poetik dhe
shtrin gjërë e gjatë fuqinë thumbuese në
përballje me trishtimin kohor deri në
triumfimin e tij mbi të keqen e madhe që kishte pllakosur gjithçka në një kohë
të pakohë.
“Ata na censuronin gjuhën
dhe na përplasnin para hundëve dyert e redaksive.
Ata bënin shkrime festive, vjersha festive, jetë festive
dhe shkelnin mbi gjuhët tona të prera,
mbi librat tona që i hiqnin nga libraritë, bibliotekat
dhe i kthenin sërish në brumë”.
(“Ne të pagojët”, fq.
9)
Gjithnjë në ngritje të vlerave të qëndrueshme letrare të Agim
Matos takojmë pretendentin e përkushtuar, duke tejkaluar cenzurën dhe hallkat
tjera gllabëruese të kohës për të sfiduar të gjitha pengesat e tmerrit të
totalitarizmit. Këtë e arrinë nga çasti në çast, mbi themele të shëndosha të
krijimit të sensit të tij poetik, me guximin e hapjes së kapitullit të ri të
jetës, me aromë deti, mali. fushe, në përgjithësi me aromën e atdheut. Mendimi
i Matos që të “vizatoj
me vargje” konsumon gjithë
forcën e tij prej krijuesi deri në brumosjen e vlerave
konvencionale të autoktonisë frymëzuese të tij.
Ndërtimi i piramidës jetësore
Do të rrezikoja me ndëshkimin nga
lexuesit për nismën e një këndvështrimi
prej mbresave modeste që nguliten në kujtesën time që nga fillimet e
“kacafytjes” me poezinë që ngërthen brendia e këtij brumi poetik, si inspirime
të jetës plot peripeti dhe imazhe të bukura. Edhe përkundër një ndërtimi të kujdesshëm të librit, do të sfidoja këtë
radhitje, për të shpalosur kujtimet nga fundi i librit, duke i dhënë lexuesit
disa shembuj nga poemat “Qafa e botës”, “Ati ynë që zbret në tokë” dhe
“Ullinjtë”, të cilat paraqesin fillet e angazhimit të Agim Matos në nismën e
tij poetike për të hapur kapitullin e poezisë së tij me rirrjeshtimin e
vrullshëm në botën letrare. Introdukta e librit, apo fillimet e saj kanë
pikënisjen nga këto poema, të cilat në mënyrë retrospektive paraqesin
zhvillimet e jetës në kapërcyellin historik të shqiptarëve që nga antikiteti e
këtej, duke prekur tema e ngjarje nga më të veçuarat, deri në luftën e fundit
të UÇK-së. Kjo parathënje, që do ta kishte vendin meritor që në fillim të
librit, për të hapur rrugët e reja
në lërimin e temave të ndryshme, që sipas
sistemimit nëpër ciklet e radhës paraqesin motive, ngjarje, cytje në
fshehtësitë e jetës në kohëra dhe hapësira
të ndryshme për shekuj me radhë.
Kështu, derisa në ciklin “Jashtë eklipsit”
shquhet tematika shumë sensitive e jetës së hidhur në periudhën më të zymtë që
do të ketë përjetuar autori, ku gjithçka kalon nëpër vijën e eklipsit; një
mbyllje totalitare deri në humbjen e arsyes për jetë. Pikërisht këtu shpërthen
tisi i kësaj gjendjeje; këtu ndodh hapja e eklipsit të tmerreve, për të vazhduar pastaj me zhvillimet e reja
plotë aventura të rrezikshme dhe
interesante për lexuesin. Në këtë ndarje ciklike shquhen sidomos poezitë: ”Ne të pagojët”,
“Hiri i
ditirambeve”, “Krimbi”, “Njëmbëdhjeta”, etj. “Kronika e Arbërit”
na paraqet periudhën e zhvillimeve historike nga iliria e deri në kohën kur
autori po e jeton një frymë të re të jetës, duke iu gëzuar ndryshimeve në
shekullin e Mileniumit të Ri. “Dyrrahium”, “Karl Topia”.
“Legjendarët”,
e ndonjë poezi tjetër paraqesin ambientet e botës shqiptare nëpër shekuj. “Dhe nuk arrinte kurrë të thahej gjaku i derdhur nëpër limane,/ dhe nuk arrinte kurrë të pastrohej
bloza e dyfqeve në
frëngjitë e kullave” (fq. 48). Këto vargje paraqesin
besnikërisht atë që Agim Mato do ta ketë shtjelluar pothuajse në të
gjitha poezitë e këtij cikli. Me ciklet
“Parfum
leshterikësh”, “Nympheum”, “Qumështi i yjeve”, etj. autori sjell
motive nga më të ndryshmet, ku shtjellohen temat nga jeta e peshkatarëve,
pasqyrimi i zhvillimeve të vendlindjes së tij, pastaj ngre lartë emra e figura
të shquara nga historia e lavdishme, si tek poezia “Naim Frashëri”, “Abedin Madani”,
“Vallja e
Osman Dakës”, etj, për të mbijetuar edhe çastet e lumturisë së
ndrydhur rinore përplot batica e
zbatica, që nga dashuriçkat e deri në përballjen me sfidat e hidhura që i
kushtëzojnë edhe mbijetesën fizike të autorit. Ky ndërtim i piramidës jetësore
përmes poezisë paraqet strumbullarin e një krijimtarie përplot tema e ngjarje,
që Agim Mato nuk rresht së krijuari nëpër vite.
Poetika e imazheve si epilog
Poezia e Agim Matos edhe atëherë kur këndon për heroizmin nëpër shekuj, edhe atëherë
kur prek aktualitetin, sado që përplot rreziqe e ndërskamca të politikës së
kohës, pasqyron me përkushtim dhe vetëdijshëm realitetet e jetuara në fakt, duke
dhënë pasqyrën reale dhe pothuajse të saktë deri në nuancat që me vështrësi do
të hetoheshin në jetën e rëndomtë. Ky imazh i vendlindjes, bashkë me ngjyrimet
e politikës dhe heroizmit të parreshtur shkojnë
zikzakeve të arenës së pandërprerë në përplitjet e dyluftimeve mes
kohërave, deri në përmbysjen e së keqes fatale dhe ndërtimin e imazhit real,
dëshirë dhe ëndërr e njeriut të sotëm, jeta e të cilit ka vlerë dhe domethënje.
Frymëzimi poetik i përcjellur me
elemente letrare, me gjuhën e rrjedhshme, me metaforat, toponimet,
portretizimin dhe pasqyrimin e jetës dhe ambientimin kohor, janë vlerat sublime të kësaj
përmbledhjeje poetike me titullin simbolik dhe shumë domethënës që i japin jetë
këtyre lirikave plot mesazh dhe portretizojnë kohë-historinë e një
periudhe përplot zhvillime dramatike.
Nga ndruajtja e
zbehjes së vlerave të lëndës voluminoze poetike të strehuar nën kupolën e
librit “Jashtë
eklipsit” të Agim
Matos kam prekur vetëm disa nga pikat e ndiesisë poetike, për t’ia lënë mundësinë
çdo lexuesi që të lëshohet thellë labirintheve të kësaj materie, vështirë të
zbërthyer me një lexim a një prekje të mbresave të hetuara. Gjurmët e kësaj
poezie qëndrojnë si vrragë të kohës, ku flatrat e saj rrijnë hapur të përqafojnë ndjenjat dhe kurreshtjen
e çdo lexuesi.
Nessun commento:
Posta un commento