........

domenica 6 ottobre 2013

Alberto Moravia: Brënda e jashtë

Alberto Moravia
BRËNDA E JASHTË
 tregim
Përktheu: Agim Mato

Me meshkujt jam e suksesshme, dhe habitem për këtë, sepse edhe vet e di që nuk jam e bukur. Përkundrazi, me fytyrën time të dalë boje, të nxirrë dhe të deformuar, sytë jeshilë e sipërfaqësorë, me gojën e madhe plot me dhëmbë të mëdhenj e të bardhë, këmbëgjatë dhe e dobët, por me një gjoks që më zbret deri tek beli, e ndjej veten sinqerisht pa vlerë. Por meshkujt thonë se unë kam një zë që nuk i rezistojnë dot, dhe përderisa e thonë ata, duhet ta besoj. Si është zëri im? Dkush thotë se ai është i thellë, grykor, i rëndë, i ngjirur. Të tjerë që është një zë mashkullor. Të tjerët se është një zë provokues. Dikush ndërkohë, e ka përkufizuar më drejtë: është një zë që vjen nga “brënda”.
Pra, duhet ta dini se, përveç zërit, asgjë tek unë nuk vjen nga “brënda”, gjithshka vjen nga “jashtë”. P.sh. koka ime nuk funksionon, absolutisht. Nuk dua t’ja di. E shpërfill çdo të thotë të arsyetosh, të jesh i qartë, rracional, njëzetekatër për njëzetekatër orë jam e gjitha në ethe, si të kem  një rrufë të fortë e kronike. Dhe për këtë nuk më vjen keq, përkundrazi. Si të thuash, kjo gjendje më mbron, është si një mur, pas të cilit ndjehem e sigurtë, e fshehur në pritë. Dhe efekti kryesor është që të ndahem midis një “brënda” misterioze, nga më vjen zëri dhe një ”jashtë” aspak e mistershme, nga e cila vjen pjesa tjetër e imja. Po shpjegohem. E shpërfytyruar, siç jam, nuk mendoj kurrë për asgjë, nuk vendos kurrë për asgjë, nuk zgjedh kurrë asgjë. Dhe ndërkohë, ajo që është “jashtë” meje, si person, mendon, vendos, zgjedh për mua.
Në mëngjes, p.sh., pasi çohem, jam kaq e trullosur, sa që nuk e kuptoj edhe unë në se jam zgjuar apo vazhdoj të fle. E papërqendruar, e pasigurtë, e topitur, shfaqem në ambientin e vogël të banjës dhe fiksoj shikimin së koti në këtë kaos prej sergjenesh, tavolinëzash, flakonësh e shishesh, pasqyrash dhe objekte tualeti. Për fat.
Shikimin e përqëndroj qëllimisht mbi gotën në të cilën janë vendosur në rresht furça e dhëmbëve dhe tubeti i pastës, ndryshe nuk do të laja dhëmbët sepse e papërqëndruar siç jam, nuk do të arrija të mendoja se duhet ti laja. Por furça dhe tubeti më “imponojnë” ti laj. Dhe unë bindem. E njëjta më ndodh, pasi jam larë, me ndërresat, që nga një ndënjëse, në dhomën ku mbretëron rrëmuja, më urdhërojnë ti vesh: në se teshat nuk do të më silleshin me prepotencë, besoj se do të rrija lakuriq gjithë ditën, duke kërkuar që të kujtohem për atë që duhet të bëja dhe nuk do t’ja dilja. Dhe pastaj, me të gjitha veprimet e tjera të vogla të përditëshme, si përgatitja e mëngjesit, (ma sugjeron ibriku i çajit, i mbështetur në një pozicion çfarëdo, të shkoj të pshonis (ma urdhëron shporta e vendosur në varëse tek hyrja), të blej gazetën apo revistën e ilustruar (ma kërkojnë me insistim kioskat në trotuar), e kështu me radhë. Në se kur bëj pshonitë, nis të kotem, me shportën time plotë, nga një rrugë në tjetrën , midis Fushës së Luleve dhe sheshit Navona, kjo nuk vjen nga një vullnet i përcaktuar i imi, por nga ndërhyrja e vazhdueshme e “të jashtmes” në ecurinë ndryshe, të përgjumur e të plogët të jetës sime. Edhe për gjërat më të rëndësishme, ndodh e njëjta histori. Në dashuri, për shembull, si të them? jam e përzjerë, por jo për temperamentin, por sepse nuk di të them jo. Do të mjaftonte ta ilustroja këtë pasivitet timin, me bisedën që më befasoi, midis dy të rinjve të njohur prej meje.”Kjo? Ines? Ku ta vendosësh, aty qëndron. I jep shtytjen e parë dhe pastaj gjithshka funksionon vet.” E gjithë kjo, siç e kam kuptuar, i përket pjesës sime “të jashme”. Dhe “brendia ime”? Sigurisht që ekziston, por nuk do të dija ta them, në fakt, si i bëhet të flasësh për diçka për të cilën nuk di asgjë me përpikmëri? Ndoshta “brëndësisë sime” duhet t’ja dedikojmë pasionin për pikturën. E ndjej që nuk kam ndonjë talent, por kjo nuk më ndalon të kaloj gjithë mbasditet duke pikturuar. Banoj në një dhomë të vetme lagjeje, shumë të ngushtë, kështu jam detyruar të pikturoj tablo të vogla, duke qëndruar në këmbë në qoshen pranë dritares, ku kam sistemuar kavaletin, në mënyrë që drita e dobët që vjen nga oborri i zi dhe i thellë si një pus, të bjerë direkt mbi telajon. Çfarë pikturoj? Pikturoj atë që vërej nga “brendia ime “, duke e lënë veten të udhëhiqem prej saj. Dikush i profesionit, dua të them një piktor, i pa kuadrot e mia dhe më tha se duhet ti ekspozoja. Po unë, duke i dhënë hak (është një sugjerim që vjen nga “jashtë”, nuk mund të mos e dëgjoj), në një farë mënyre do të dërgoj diçka në një të ardhme të largët dhe të pasigurt. Në të vërtetë si i bëhet të ekspozosh “brendinë” tënde, duke e nxjerrë në sytë e të gjithëve, si mishra të prera e të përgjakura që duken mbi mermeret e therrtores?
“Brendia” ime nuk kufizohet të materializohet në pikturë, herë herë më bën rengje që më lenë në mëdyshje. Diçka që më ndodhi para disa ditësh, mund ta ilustrojë këtë. Pra, prej disa kohësh isha presekutuar nga vëmendja e një tipi perfekt borgjez. Në kllapa: kur them borgjez, nuk më shkon mëndja  për politikën (nuk shqetësohem për politikën, nuk e kuptoj fare), as për shoqërinë (nuk kam asgjë kundër shoqërisë, kufizohem të mos bëj pjesë në të), por më thjeshtë, dikush që nuk është katandisur si unë dhe kokën e përdor për të menduar. Por ç’mendon? Ja ku rri hileja: sipas meje, banalitete, pisllëqe, idiotësira; të gjitha mall i shitur nga “jashtë”.  Mbyll kllapat dhe vazhdoj. Pra, ky borgjez, më bënte pritë në rrugët e lagjes ku mendonte se do të më gjente vetëm në bredhjet e mia të kota dhe më ndiqte kudo ku shkoja, pa më folur, duke mbajtur një distancë prej një ose dy hapash, si të ishte hieja ime. Një hije shumë e ndryshme nga unë, veçse: e vogël dhe galiç, me diçka prej derri të egër në personin muskuloz dhe gjoksmadh, në fytyrën e të cilit zgjatja e shpallur e hundës, i korespondonte mungesa komplet e trurit. Gjithmonë i veshur në gri, me këmishë të bardhë, kravatën e hollë e të shtrembëruar, çorape të shkurtëra, këpucë me lidhësa. Dikush mund të thotë në këtë pikë se i jap shumë rëndësi dukjes. Për zakon, duke parë se jam kështu pasive dhe se “e jashtmja ime”, dmth pikërisht aparenca, më bën të shoh atë që do.
“Brendia ime”, në rastin e këtij borgjezi, nuk ka dashë t’ja dijë. Pastaj, se është a s’është, natyra prej derri të egër të vogël, ajo veshja gri, çorapet e shkurtëra, “ja behën” në një nga këto ditët, pasi më pati ndjekur gjer tek porta e shtëpisë, i jam kthyer dhe me fytyrën time pa shprehje i them: “Në se do eja pra, lart, të bëj një kafe.” Ta besonte? U përkul, me këmbët e bashkuara, duke shtrirë dorën e duke thënë: “Më lejoni tu prezantohem: për ju Eugenio, me profesion mësues gjimnastike.” Nuk thashë asgjë dhe shtyva brënda derën time në errësirë,  duke i hedhur ndërkohë një shikim të fshehtë, për të parë në se më ndiqte. Vinte pas.
Si u fut në apartamentin tim një dhomësh, m’u hodh me vrik përsipër dhe kështu ndodhi ajo që ndodhi. Nuk rri të përshkruaj dashurinë tonë, ta quajmë kështu, sepse nuk di të them asgjë. Gjëra të tilla më vijnë nga “jashtë” dhe nuk lenë gjurmë “brënda”, as si kujtime. Pastaj, kur gjithshka mbaroi, jemi gjendur mbi krevat, ai i shtrirë në shpinë dhe unë në cep, pas tij, e mbështetur mbi një bërryl, me sytë e ngulura sipër tij, drejt dhomës, më e shfytyruar se kurrë. Atëhere ai filloi të flasë. Zot, sa i aftë ishte të fliste ai njeri. Foli për veten dhe jetën e tij (gjithmon kishte bërë diçka  që i takonte trupit, mësues gjimnastike, drejtor palestre, masaxhiator, infermier, trainer), për dashuritë e tij (i pëlqenin studentet, kishte besuar që edhe unë të isha) për udhëtimet e veta ( kishte qenë me grupe atletësh, gjithandej; kujtonte mbi të gjitha Japoninë me geishat dhe shtëpitë e çajit); për shijet e tij muzikore (preferonte kanconetat dhe muzikën e lehtë); për idetë e tij politike (ishte për Juntën Ushtarake në Kili, donte rregullin dhe ligjin; por donte edhe për masat sport, “ura” dhe mirëqenie, përndryshe “bëjnë politikë”); për idetë e tij mbi fenë (nuk besonte por e donte); për librat që lexonte (libra të verdhë por edhe libra historie); dhe, natyrisht, për sportin (dinte gjithshka, i njihte të gjithë, lojtarë futbolli, boksierë, garruesit me biçikleta dhe automobila, notarët, vozitësit.)
E dëgjova goxha, e ngrirë totalisht, duke hedhur një shikim, si prej idioteje në çrregullimin e dhomës. Pastaj ai bëri një gjest çfardo, u ngrit ndënjur dhe më ktheu shpinën, ndërsa hepohej sipër meje, për të marrë paketën e cigareve në xhepin e xhupit të varur në ndënjëse, atje përbri. Atëhere, diçka më erdhi nga “brënda” dhe pas një çasti, duke parë në shpinën e tij lakuriqe një bardhësi të shndritëshme, e habitur unë vet,  i thashë: “Në se nuk ja mbath tani, të ngul një thikë në shpinë.” Prova se ky kërcënim nuk më vinte nga “jashtë”, psh. nga shfaqja e një thike, por nga “brënda”, edhe pse nuk mbaja në dorë, unë nuk zotëroja një të tillë. Por zëri im i famshëm, i ngjirur e grykor funksionoi në çast. Më pa me sy të ngulur një moment, pastaj u hodh nga krevati, u vesh me nxitim dhe iku. Nga pragu, ama, më bëri një gjest, duke vendosur një gisht në tëmth, si për të thënë që jam e marrë.
        Duke ngelur vetëm, qëndrova për pak pa lëvizur, më e shpërfytyruar se kurrë, me sytë e fiksuar në boshllëk. Pastaj jam çuar, jam veshur dhe gjithmonë e shpërfytyruar dhe e privuar nga mendimi, shkova tek kavaleti. Mora një penel dhe vizatova një njollë të madhe të kuqe të rrethuar me thekë me shumë cepa të theksuar që bënte të dukej një kokë me flokë të shqetësuar. Mu kujtua atëhere të kem parë në një libër astronomie ilustrimin e flakëve të një eksplozioni të diellit., kaq të madhe saqë toka atje figuronte si një pikë e errët në një det zjarri. Pa e dashur, por gjithmonë e frymëzuar nga “brendia”ime, kisha vizatuar këtë flakë ose diçka shumë të ngjashme. Kështu, pasi punova gjithë mbasditen, shkrova poshtë me të zezë: “Shpërthimi diellor”. Pra jam shtrirë në krevat dhe shikoja kuadrin për pesë orë rresht, nga ora shtatë deri në mesnatë. Më në fund më zuri gjumi.

Nessun commento:

Posta un commento