........

lunedì 3 dicembre 2012

Jug dhe Fundo, Agim Mato mes dallgësh si fat

JUG DHE FUNDO, AGIM MATO MES DALLGESH SI FAT


                                                                              Faruk Myrtaj


       Nuk mund të mos ndjehesh i prekur, i rrënqethur, i njëjtësuar në shijen dhe pasionin e plotë të fjalës, me titullin e gjetur nga Agim Mato. Nëse nuk gaboj, Timo Mërkuri o ndonjë Jonian tjetër, e kaltëroi thelbin e Fundo, në një përsiatje të ndjerë, ca javë më parë. Fatmir Minguli në këtë kahje duket se është prirë gjatë leximit viziv të këtij libri imazhesh. Robert Martiko, krahas përqasjeve të Fundo në disa gjuhë a grupim gjuhësh të huaja, mbase mund te shtonte fare mirë edhe anglishten, bottom, sinonim të fundo. Madje rezultojnë një varg sinonimesh te tjera që ta marrin frymën me këndelljen ëmbëloshe që shkaktojnë prej ngjashmërive të shqipes me tërë gjuhët e hemisferës linguistike europiane.

      Unë...as mund e as guxoj të zbres në këto brigje, teksa Fatmir Terziu sigurisht ka përvojë tashmë në kalimin e La Mansh!
          Nga leximi i tërë bllokut të poezive “Fundo” që kanë ardhur tek Fjala e Lirë, them se, ashtu si dikur në koopertinë të librit Jug, edhe Fundo është titull që ka lindur njëherazi me trajtën para-embrionale të poezisë së Agim Matos.

      Humanizmi, dashuria, drita e diellit, netët e zbardhura prej shkumës në breg, e kaltra e ujrave që vjen e ntrashet në largësi e në thellësi, liria e dhënies deri në dorëzim sinqeritetit të këtyre ujrave, shkrifja shpirtërore por edhe fizike që përjetohet në vise të tilla prej loti, të gjitha këto e të tjera mbase, u ndëshkuan keqaz dikur. Era e ngrohtë mesdhetare, që nxitoi dhe besoi e u strehua si Juga e Matos, do merrte më qafë jo pak prej bisqeve të pemëve dhe luleve, siç ndodh gjithnjë prej pranverave të parakohëshme apo të gënjeshtërta... Kjo ka ndodhur e ndodh, jo vetëm në diktatura të shpallura me kushtetutë, dhe jo vetëm në dherat tona...

       Po...kombet e mëdha kështu janë bërë, do të artikulohej ftohtë e prerë demiurgu Robert Martiko, kështu janë ngjizur, qytetëruar e ndaj kanë mbetur hierarkitë demokratike perëndimore: nga individë që nuk u janë drojtur dallgëve të jetës; kanë provuar të bëhen pjesë e lëndës së butë dhe trajtës së ashpër të këtyre dallgëve; guxueshëm, janë zhytur në kreshtën e tyre, por nuk janë lëshuar në rënien e lirë bashkë me ujrat. Vetëdijshëm kanë zbritur gjer në fund të malit ujor, fundo...at the bottom, në fund të shtratit shkëmbor të bregut, për të mos mbetuar as aty. Pasi ndërkohë kanë aftësuar mushkritë në marrjen fryme thellë, për durimin sa më gjatë atje poshtë, me bindjen e sigurt e vetëdijen e domosdosë fatale se sërish duhej dalë: lloji mesdhetar i Martin Iden të Jack London, me detyrimin për tu rikthyer, me se s'bën, qoftë edhe vite e dekada më vonë, prej thellësisë së shndërruar në dimension të vetes, në sipërfaqe të jetës...

       Pra, zbritja deri në fund të thellësisë së pashmangshme, të imponuar, shndërruar në provë të meritës për ekzistencë, kështu lexohen pjesa më e madhe e titujve të poezive te Matos, pra edhe e titullit te librit.

       Në kohë të vështira, sidomos, por përgjithesisht në tërë jetët njerëzore, më së paku në periudha të caktuara akullnajash, kur bëhesh e ndjehesh i vetëdijshëm për një nismë, objektiv a mision, kur ndjehesh mbushur me ditët që s'mund të mos vijnë dhe i dorëzohesh qoftë edhe iluzionit se kane për të ardhur pikërisht prej teje, si individ, komunitet apo komb, të është e domosdoshme një FUNDO, një zbritje, një sakrificë sublime, një mbyllje sysh për të parë më shumë, një pushim fryme për të madhuar mushkritë e kraharorin. Por, zhytja në thellësi, në ujë, aq më shumë në ujra të kaltra detare, sic zakonisht përfytyrohen ato të Jugut, nuk është zbritje, ashtu si një fluturim me balona tollombacesh nuk është ngjitje. Zbritje të tilla, Fundo, janë mënyrë jetese zbuluesish, në kërkim qytetërimesh që asnjëherë nuk kanë humbur përfundimisht. Ka shumë gjasa që edhe të mos ndodhin këto ngjitje, por kur ndodhin, atëherë mund të thuhet se Fundo është shpjeguar deri në një, në thelbin e saj, në shqipen si gjuhë e mëvetshme.

Nessun commento:

Posta un commento