........

giovedì 9 maggio 2013

Varrimi i kapedanit















VARRIMI I KAPEDANIT

Mbi supet e detarëve
hepohet arkivoli i kapedanit plak
si një maune që vozit drejt limanit të saj të fundit.

Një maune që vozit
sipër jetës,
sipër dashurisë,
sipër viteve.

Lundër jete –
tek kalon  pranë meje shoh hambarin tënd
të mbushur plotpërplot me pasurinë që të afërmve u lë
      trashëgim:

shufra ari safi të vetëmohimit,
diamantet e besnikërisë
dhe gurët e çmuar të urtësisë.

Stuhitë i braktisën çerdhet e ngritura në velat e tua.

Po tani?
Kush do t’i vërtitë tallazet para teje
që të dëgjosh vikamat e heronjve,
gazin e përleshjeve
dhe përplasjen e pafund të elementeve?
Para teje – limanvarreza e zymtë.

Me sa zor i çan tani ujërat e hidhura të dhimbjes,
sa vështirë e ke të kalosh në ngushtica dënesash
dhe të lëshosh në thellësitë e harrimit
dy spirancat e tua,
atë të ditëlindjes
dhe të ditëvdekjes.

Lamtumirë, kapedan!
Kur t’u hipim anijeve
do t’u biem sirenave për ty,
do t’u biem stuhive,
viteve që të të thërresin
dhe atëherë do të kallmojnë spirancat e tua
dhe velat e tua do të zbardhëllojnë
horizonteve detare. 

Nessun commento:

Posta un commento