........

domenica 24 febbraio 2013

Në kërkim


















NË KËRKIM


Familja e saj është transferuar
në këtë qytet të madh
dhe ai s’di ku ta kërkojë.
Pip-pip, pip-pip
rrahin zemrat
e mijëra telefonave
dhe ai s’di
cilat shifra të përziej
për të kapur sinjalin e dashurisë.

Qytet i madh ku ka ardhur me shërbim
nga një rreth  i largët.

Pallate me një qind dritare,
me dyqind
dhe ai s’di
cila duhet të hapet për të.

Vjen mbrëmja. Bulevardet ndriçohen papritur
nga lumi i fytyrave,
nga zërat,
nga hapat
dhe neonet.

Si mund të veçojë tani
fytyrën, zërin, hapin dhe dritën e saj?

Dhe trishtimi
i vihet prapa
si një i panjohur.

Hap pas hapi.
Hap pas hapi.
Si t’i shpëtojë?

Dëgjon ta thërrasin që larg
titujt e filmave nga afishet,
arena e një cirku,
ta thërrasin bar-lulishtet.

Këndej, këndej i thonë.
Qëndron i hutuar për disa çaste
buzë kësaj rrjedhe të pafund.

I bëhet se dëgjon
pip-pip, pip-pip
sinjalet e mijërave zemrave,
e mijëra dashurive.

Dhe përsëri humbet atje ku ajo është shkrirë
me hapat,
me zërat
dhe fytyrat
e të gjithëve.

Limjon, 1977

Nessun commento:

Posta un commento