........

lunedì 18 febbraio 2013

Bunaca



















BUNACA

Mbi rërën që ka zbutur deti
në muzg ne endemi gjer vonë.
Gjithçka që rrotull na zë syri
e gjejmë në ujë me kokën poshtë.

Si të përmbysura anijet,
qyteti  thellë si në humnerë.
Nuk e di, e dashur, pse na stepi
ky det i heshtur me mistere.

Asnjë rrudhë mbi të, për be,
asnjë klithje pulëbardhe,
në cep të qiellit veç një re
si aerostat qëndron e varur.

Dhe ti papritur  të ze frika,
mos vallë dhe deti vdes?
Si kartolinë të ngjan natyra
në albumin që u zverdh.

Një shurdhëri, një boshësi,
sikur të shkelnim përmbi hënë,
ku vetëm emrin kanë detet
se bark’ i tyre tharë ka qenë;

sikur qyteti me anijet,
që para syve tanë shfaqet,
të jetë thjesht si një mirazh
i ardhur që nga tokë e largët.

Sakaq detin tej e mban
e çan si plug një motoskaf,
zhubraviten pasqyrimet
po valët bjenë në gjumë prapë.

Më kot dhe ti i zbath sandalet
dhe ujin rreh tani me këmbë,
plogështisë së këtij vigani
inati yt nuk ka ç’i bën.

Do shkojë bunaca. Ajo re
aty në cep si e pa faj,
s’është çudi që brenda vetes
djepin e stuhisë të mbajë.

Dhe do të shohësh se si era
me mijra plugje dallgë do ngrerë
dhe deti që ti do kaq shumë
sërish do zgjohet me poterë.

                   Limjon, 1988

Nessun commento:

Posta un commento