JETA PËRSIPËR
Tregim nga ALBERTO MORAVIA
Përktheu: Agim Mato
Shpulla, grushta, shqelma. Qytezë, kanalizime,
mbeturina. Barrakë, krevat, karrike. Nënë, baba, motër. Shkollë, shpellë,
bodrum. Dyqan, bankë, bizhuteri. Burg, burg, burg...Duhet të të kisha thënë se
kam lindur në një qytezë në të cilën kanalizimet e ujrave të zeza ishin në
qiell të hapur dhe plehrat arrinin çatitë.Që banoja në një barrakë ku ishin
vetëm dy karrike dhe një krevat i madh në të cilin flija gjithmonë me babanë
tim, nënën time dhe motrën time. Që një ditë, në vend që të shkoja në shkollë,
ja mbatha me një djalë që quhej Mauro dhe kemi bërë dashuri në një shpellë prej
shtufi ku shkonim aty për një vit rresht dhe pastaj kemi ikur të jetojmë në një
bodrum. Që pasi kemi mbijetuar me grabitje e vjedhje xhepash, kemi tentuar një
“kolpo” në një dyqan argjendarie, por na shkoi huq. Mauro ja mbathi dhe unë
përfundova brenda... Do të mund të të tregoja historinë time në këtë mënyrë por
kam preferuar të ta përshkruaj me fjalë lakuriqe, të gjitha
gjërat dhe ngjarjet, që të
kuptosh më mirë një jetë të ngjashme me timen, e cila më ka qëndruar gjithmonë përsipër,
ashtu si të rrinë përsipër pasagjerët e një trami, nga nuk mundesh dot të
dalësh për të marrë frymë. Dhe durim, se po të isha unë një nga ato gratë që
jetën e marrin me sulm, janë ato që të rrinë përsipër dhe nuk të lenë të
jetosh. Po unë jam për fat të keq, si një e rrjepur e gjallë, e trembur, e
ndruajtur, gjithshka më pezmon, më plagos, më dhemb.
Kam
dalë nga burgu pas gati katër vjetësh dhe kam gjetur Mauron, që ishte tashmë
burrë dhe e doja shumë. Kemi qëndruar sëbashku dhe ndoshta për t’u hakmarrë,
kemi ritentuar “kolpon” në të njëjtin dyqan argjendarie, këtë herë duke kërkuar
të shqyenim natën qepenin. Po sërish na shkoi huq, policia ja mbërriti. Unë ja
mbatha dhe Mauro përfundoi brenda. E dënuan. Në pritje për të dalë, u paraqita
si kamariere në një familje që kishte vënë lajmërim në gazetë.
Kjo familje ishte e
përbërë nga një burrë e një grua dhe e habitëshme ta them, ishte një çift shumë
i ngjashëm me tonin, me mua dhe Mauron. Si Mauro, burri ishte shumë brun, me
fytyrë të kuqe, jo shumë i lartë, i fuqishëm; ashtu si unë e shoqja ishte një
bionde me fytyrë delikate por me një trup, që nuk shkonte shumë me fytyrën, e
rënduar dhe topolake. Por ngjashmëria arrinte deri këtu. I shoqi ishte një
profesor dhe e shoqja përkthente nga një gjuhë e huaj. Ndërsa Mauro dhe unë
ishim praktikisht analfabetë. Dhe pastaj librat! Në apartamentin e tyre, në krye
të një pallati antik, librat nisnin nga hyrja, vishnin
sallonin, vazhdonin në korridor, pushtonin dhomën e gjumit, rreshtoheshin gjer
në banjë dhe gjer në guzhinë. Ndryshimi i vërtetë midis Mauros e mua me këtë
çift, ishte tek këta libra dhe tek fjalët prej librash që këta të dy përdornin,
duke folur midis tyre dhe me miqtë e tyre. Fjalë, që siç e kam kuptuar, në vend
t’i afrojnë gjërat, në vend që të shkriheshin me sendet, i largonin, i
anullonin. Jeta, si të thuash, nuk u rrinte përsipër
këtyre të dyve si mua e Mauros, sepse ata i mbanin larg të gjitha gjërat me të
cilat është ndërtuar ajo, me fjalët që shkëmbenin dhe ato që lexonin në libra,
të gjitha fjalët që ishin para së gjithash fjalë dhe pastaj, ndoshta,
ndonjëherë edhe gjëra. Po, ata mbroheshin nga këto ofeza të jetës me fjalë, siç
mbroheshin nga shiu e nga era me muret e trasha të pallatit të tyre. Po Mauro
dhe unë ishim në qiell të hapur, dhe kur flisnim, flisnim vetëm për sende
konkrete. Sa për librat, si ja bëni që i lexoni në se besoni si këta pronarët e
mi, që fjalët nuk janë sende?
Më në fund Mauro doli nga burgu, dhe unë e lashë
këtë çift aq të ngjashëm dhe aq të ndryshëm nga ne dhe shkova të jetoj me të në
një ndërtesë të vjetër dhe të rrjepur nga suvaja, me ballkone të rrumbullakta,
si kiç anijesh, nën argjinaturën e hekurudhës. Tashmë Mauro rrinte me një grup
vjedhësish që kishte njohur në burg dhe vepronin sëbashku dhe unë duhej të
rrija në shtëpi për t’u bërë roje mallrave të vjedhura, për të gatuar për ta,
të isha gjithmonë e gatshme, si të thuash, për t’u shërbyer. Ditët ishin të
gjata, më shumë rrija e shtrirë në krevat, duke dëgjuar rrapëllimën e trenave
që kalonin. Nën krevat ishte një valixhe në të cilën Mauro, herë pas here,
mbyllte gjërat më të çmuara që kishte vjedhur dhe nga kjo valixhe ndjeja të
depërtonin dyshekun dhe të vinin tek unë ca avuj dehës, sepse nuk bëja gjë
tjetër veçse fantazoja. Praktikisht, në fantazitë e mia imagjinoja gjithmonë pak a shumë të njëjtat gjëra. Mauro dhe unë,
të ulur përpara një tavoline plot me libra. Qetë, qetë, qetë, shtriqemi të relaksuar
dhe flasim. Oh, sa flasim! Dhe qetësia jonë, e kuptoj, vinte nga fjalët që
thoshnim, të gjitha të vagullta, indirekte, të papërcaktuara, të çliruara nga
pesha, bërë nga asgjëja. Fjalë, fjalë, fjalë. Në fund, pas xhamave të dritares
së madhë, prapa të cilës rrinim, të ulur, ndizej zjarri i perëndimit. Salloni
zhytej në mugëtirë. Dhe ne, të kthjellët, të largët, të qetë, vazhdonim të
flisnim.
Në një nga këto mbrëmje, Mauro hyri me furi,
pa frymë, me pamjen e shpërfytyruar në të njëjtën kohë nga një gëzim i madh dhe
nga një frikë e madhe. Më tregoi dy çanta me lëkure artificiale, të fryra dhe
tha se brenda tyre kishte me bollëk për të rrojtur të qetë në këtë jetë këndej
e tutje. Të qetë! Mendova për ëndërrat e mia të mbushura me fjalë dhe pyeta se
ç’kishte në çanta.
Zemra m’u hodh përpjetë, duke e dëgjuar të më
përgjigjet se ishin të gjitha të çmuara, prej ari, të grabitura nga një
tregëtar: të kujtohet, ai që gjithmonë na ka sjellur fatkeqësi. Mauro më
shpjegon pastaj që këtë herë, ama, ai nuk ka dashur t’i ndajë me të tjerët, i
kishte mbajtur të gjitha për vete. Po të tjerët e kishin kuptuar dhe u vunë në
kërkim dhe kështu që duhet të zhdukemi pa lënë gjurmë një çast e më parë. Për
ku? Mauro më tregon dy bileta avioni: do të iknim jashtë shtetit. Por ama, duhet
t’i fsheh përsipër trupit të dyja çantat dhe të shkoj të pres në një bar të
sigurt, larg prej këtej. Ai pastaj do të vinte të më merrte.
Nga ky shpjegim, nuk e
përtypa vetëm një gjë: faktin se duhen të fshihja çantat përsipër trupit.
Fillova të tundja kokën në shenjë mospranimi, duke u tërhequr drejt krevatit.
Tashmë i shtazëruar ai më pyeti:”Dua ta di çfarë ke?”
“Atë që nuk dua të fut
asgjë mbi trup.”
“Çfarë?”
“Mos më shih kështu, më
kall datën.”
“Çfarë?”
Nuk priti tjetër
përgjigje, më zuri për flokësh dhe më përplasi në krevat. Atëhere, ndërsa
luftoj kundër tij, që herë më gjuan me shpullë dhe herë më xhvesh, mendoj se
jetën tani e kam përsipër, pa mëshirë. Po, ishte jeta dhe jo Mauro që më
shqyente këmishën dhe fundin, më kapte për fyti, më qëllonte sërish me një
shpullë dhe pastaj me një tjetër, pastaj më kapte nga krahu, më tërhiqte në mes
të dhomës dhe, lakuriq siç isha, më ngjeshte përsipër çantat, një nën bark dhe
tjetrën mbi gjoks, siç i shtrëngojnë samarin një mushke të pabindur. Mario më
ndihmon pastaj të rivishem, pastaj më shtyn jashtë shtëpisë duke më thënë:”Ec
drejt, pa u ndalur, gjer tek bari dhe më prit aty.” Filloj të zbres shkallët me
sytë ulur. Faqet më djegin ende nga shpullat, çantat më rëndojnë, si të jenë
prej plumbi, dhe unë thoshja me vete se jeta kurrë nuk më ka shtypur si në këtë
moment. Po sa marr kthesën në platformën e dytë të shkallëve, dy burra
shkëputen nga errësira dhe më rrëmbejnë në çast nga krahët. Dy të tjerët sulen
lart nëpër shkallë, në drejtim të apartamentit tonë.
Mbyll sytë, pres. Ata të
dy që më mbajnë, flasin, por unë nuk i dëgjoj sepse i ve veshin një tjetër
zhurme: ulërimës që mund të bëjë një njeri kur e vrasin. Por nuk dëgjoj asgjë
dhe pritja zgjat. Më në fund një zhurmë hapash, dy të tjerët kthehen. Mbaja
gjithmonë sytë e mbyllur. Dëgjova një zë që thoshte:” Po diku duhet të jenë. Të
shohim pak ç’do të na thotë kjo. Shkojmë.” Kemi zbritur, unë në mes të atyre të
dyve që më mbanin shtrënguar nga sqetullat dhe çantat më godinin më fortë mbi
gjoks dhe mbi pëqi. Një makinë priste para portës së madhe të hyrjes. Më hypën
dhe e kuptova nga bisedat që më çonin në një vend, ku herë me të mirë e herë me
të keq, do të më detyronin të thoshja ku ishin fshehur objektet e çmuara..
Atëhere, me një fill zëri shqiptova: “Dy çantat i kam përsipër.”
Makina frenoi rrufeshëm, sikur të kishte vesh dhe ta
kishte bërë vet këtë. Ndaluam: duhej të ishim në fushë, duke gjykuar nga
errësira. Të katërt, si qentë mbi një dre që po jep shpirt, më hidhen përsipër.
Me duart si në ekstazë më shqyejnë këmishën, fundin, gati më mbytën duke
nxjerrë jashtë çantën që kisha mbi gjoks dhe gati duke më prerë barkun më shqepën çantën që
kisha në pëqi. I lashë ta kryenin me sytë e mbyllur: E dija me siguri që Mauro
kishte vdekur dhe se do të më vrisnin edhe mua. Dhe dikush tha se duhej të më
hiqnin qafe, po një tjetër u përgjegj se do të ishte një mëkat, isha e re dhe e
pëlqyshme dhe mund të vleja shumë, dhe ai e dëgjoi. Kështu e kuptova se në vend
që të më vrisnin, do më vinin në një zanat që, gjersa Mauro ishte gjallë, nuk
do të doja ta bëja kurrë për asnjë arsye. Më hodhën në fytyrë këmishën dhe
fundin, makina u nis dhe u përpoqa të rregulloja veshjen. Pastja mbylla përsëri
sytë dhe mendova se tashmë nuk do të mundja më të thoshja se jeta më rrinte
përsipër. E katandisur me trupin që nuk më takonte më dhe se së shpejti do të
vihesha në shitje, do të isha tani e tutje vetëm një send për jetën dhe e
shtypur nga vetvetja. Kush ka arritur të dalë e të çlirohet nga trupi i vet e
të vazhdojë të jetojë?
Nessun commento:
Posta un commento