Rilindja
e një poeti
Sazan
Goliku
(përsiatje)
Agim Mato jeton
buzë detit, po dikur nuk e shihte detin; punonte po nuk e shijonte
kënaqësinë e punës; ishte i lirë, brenda vetes në mendimet e dëshirat e tij, po
nuk e gëzonte atë liri që i duhej për të realizuar veten.
Agim Mato është një dukuri e dhimbshme. Atë vetë nuk e
futën në burg si të atin për “politikë”, por e përjetoi në mënyrë të dyfishtë. Ishte aq i zgjuar sa
shmangu hekurat në duar e në dritare. Por ai e provoi burgun e të atit
ekonomikisht, shpirtërisht e potencialisht. Ai provoi në kurriz robërinë e
burgut të madh me emrin “diktatura e proletariatit”.
Poetit Agim Mato ia dhanë, ia hoqën, ia dhanë sërish të
drejtën e botimit sipas valëve goditëse të së famëkeqes lufta e klasave. Për
paradoks, edhe 20 vjet pas rënies së diktaturës ai nuk botoi. Po
asesi kjo nuk do të thoshte se Agim Mato nuk ishte më Agim Mato poeti.
Shkruante, lexonte, rishkruante dhe si
fara e ullirit priti deri këtë pranverë të 2012-ës për të flakur kapakun e
heshtjes dhe për t’ia besuar lexuesit këngët e tij. Librat me poezi “Jashtë
eklipsit” dhe “Fundo” mund të quhen si një lirim nga ndrydhja, vetëfrenimi e
dyshimi për vlerat poetike të artit të tij. Te ky shpërthim shohim urrejtjen e
natyrshme për diktaturën, për plagët e kufizimet absurde që ajo i krijoi atij
si individ, si familje, si popull. Pra, në këto vargje shpallet në mënyrë
eksplicite hakmarrja ndaj asaj diktature. Motivet e lëna përgjysmë nga frika e
natyrshme (se dhe nga dorëshkrimet “e
gabuara”, “armiqësore” dënoheshe) janë
rishikuar, plotësuar e ripunuar, për të parë dritën e botimit pas 30 vjetësh.
Pra, kemi dy libra të shkruar në dy kohë
të ndryshme, po duke parë thelbin perspektivë, kemi në dorë vargjet e të
njëjtit poet si stil, si koncepsion poetik dhe si ideal estetik.
Poezia e Agim Matos ka një harlisje të organizuar të
figurave stilistike, të metrikës së lirë, të imazheve jetësore e fantastike që
krijon gati në çdo varg, të shtresave e nënshtresave semantike e semiotike.
Poezitë ai i strukturon të ngjashme me figuracionin e ndërtimin e një peme që
është vazhdimisht në lëvizje. Kjo e karakterizon e poezinë e tij, e cila rrjedh
përherë e shqetësuar, e ngarkuar me kontradikta ndjesore e ekzistenciale, me
shprehje të fshehura e të hapura të pakënaqësisë ndaj realitetit që poeti e ka
përjetuar dhe e përjeton, por pa e bjerrë asnjëherë dashurinë për njeriun dhe
vendin ku ka rrënjët e veta.
Edhe pse krijimtaria poetike e Agim Matos shtrihet, me
ndërprerje drastike, në një periudhë të gjatë kohe mbi 40-vjeçare, ai i ka
mbetur besnik stilit të vet. Ky konstatim
nuk nënkupton ngurtësimin në
prirjet e minierat e fillimit (Jug,
Në prag të shtëpive tona, Buka e fjalëve), kur ai shkruante e
botonte, si gjithë të tjerët, në kushtete kufizimet prangore të të
ashtuquajturit realizëm socialist, por flet qartë për konsekuencëne vijimësinë
e parimeve dhe kërkesave të tij estetike, të cilat mishërohen artistikisht në
poezi në një nivel edhe më të lartë sot në saje edhe të lirisë, edhe të
përvojëse kulturës.
adem
on
04/02/2013 11:28:51
I nderuari Sazan dhe Agim, të ne në Kosovë kur çelin pemët
për së dyti thonë se i ka frytet më të ëmbla. Agimi nuk jetonte me detin
sepse ishte vet deti, nuk hyri në det sepse deti hynte dhe dilte nga
një shpirt i madh të një poeti, aq i madh sa që nuk e humbi formën e vet
edhe për dyzet vjet. Ke të drejtë kur thua se poezia e Agimit ka një
harlisje, mos harro se të jetosh me detin në det domosdo ke me u përngja
moleve që i presin sanallet detarëve dhe në atë pritje njeriu bëhet
fanar, siç është bërë Agimi i jonë. me shumë respek djalosh Sazan dhe
ti çuni Agim Mato. Adem Zaplluzha
Nessun commento:
Posta un commento