........

martedì 19 febbraio 2013

I murosur

















I MUROSUR


Me dhjetra vjet jam rropatur
buzë lumit të harresës,
Urën e Poezisë ndërtoja
të më lidhte me njerëzit.

Ditë e natë, i vetëm, ngrija
gurët e rëndë të fjalëve,
që nga themelet, zhytur në kohra,
deri te qemeret e këmbarëve.

Rropamë e fjalëve që binin
shurdhonte lumin thellë,
cili mister, brenda natës,
e shembte  në humnera?

Cili mister punën time
e zhdukte kaq papritur?
Dhe rrija netëve pagjumë,
si alkimist i thinjur.

Vinin nga larg burokratë e hafije
me skica, parime, metoda,
kujdes, se gabon dhe një fije
dhe ura të shembet te koka.

Vinin nga larg kontrollorë,
më bënin inventarin,
kaq krahasime, kaq similituda,
çdo rresht pa shpirt e masnin.

Dhe çdo kritik me marifet
më prishte orientimin,
që mos ta gjeja kurrë nordin,
që mos ta kapja kurrë fillin.

Po erdhi pranë një bard i moçëm
me torbë mitesh mbi shpinë:
“M’i jep t’i shoh mjetet e punës,
metaforën, çekiçin, mistrinë.


Ti duhet t’ua fshehësh kuptimin
vargjeve të tua, fjalëve,
që gurët e rëndë, hafijet,
mos t’i shembin poshtë valëve.”

Që Urë e Poezisë të mbajë
mbi lumin e llahtarisur,
ti duhet veten të murosësh,
në murin që ke stisur.

Mos harro se  Urën e Artës,
ata që e ndërtuan,
nuk ishin njerëz dosido
po ustallarë të shquar.

Dhe që të mbante punë e tyre
duhej shpirti brenda,
prandaj dhe lindi sakrifica
si një kurban i rëndë.”

Kështu dhe veten e murosa,
në brendësi të fjalëve,
që shpirti im të lidhte gurët,
dhe fanepsjen e mesazheve.

Limjon, 1974 – 2011

Nessun commento:

Posta un commento