AFËR MËNGJESIT
Afër mëngjesit
rrezet e dritës fillojnë e përplasen me ndërtesat
përballë,
duke mbushur dritaret me copa flakësh,
përplasen me pemët, me limanin,
me varkat e vogla të lidhura si mëzat
dhe përzihen pastaj në rrokullisjen e lehtë të valëve.
Është koha kur bashkë me peshkatarët
surb kafen te “Poseidoni” aty pranë
dhe picërroj sytë
nga verbimi i lodrës së dritës me ujin.
Xixëllijnë ngjyrat në tavolozin e detit.
Shfaqen vrapuesit në bulevard
dhe qiellin e rimtë e përshkon
gjurma e bardhë e një avioni në kalim.
Një pulëbardhë këlthet
mbi kokën time
duke çvendosur me krahë horizontin.
Me shpirtin e çliruar nga motivet
sodit ditën që lind.
Nessun commento:
Posta un commento