........

domenica 27 gennaio 2013

Yanni



















STUHIA


                                     Kushtuar Yanni-t

Hyn me vrap në skenë. Flokët të valëviten si
                                    lajtmotive të një pylli ëndërrash 
ku harpat dhe violinat ndërrojnë stinët e gjetheve.


Por stuhia fle ende në barqet e veglave muzikore.


Rrotull teje fillojnë të mërmërijnë fagotat,
bulurijnë trompat, mprehin sqepin flautet,
çmpin gjymtyrët klaviçembali
Dhe një saksofon lag ezofagun
në pritje të sinjalit tënd.


Ti hap të dyja krahët sipër tyre,
bën një fluturim akrobati  dhe çan në ajër një digë
 kozmike tingujsh,
nga derdhet një shi ngazëllenjës shpirtrash të magjepsur.


Prestigjator  misteresh,
Orkestër ëndërrash,
punishte e nostalgjisë,
me të gjashtë tastierat njëherësh
ti ndërton në ajër ashensorë kataraktesh drite, ku hypin                             
                                e zbresin perënditë, nga Akropoli
në Taxh Mahal e gjer në Maçu Piçu.



Nuk fashitet energjia jote që gufon pareshtur nga mëngët,
ndërsa nga xhepi i thilesë nxjerr një rè për të hequr djersët
nga qafa e tunxhtë.


Vetëm atje tej, në cep të skenës,
tubi i gjatë  prej ekualipti australian[1],
në duart e një djaloshi të zeshkët,
shfryn avullin e stuhisë.


27.01.2013


[1] didgeridoo - instrument prej ekualipti, i tubëzuar nga termitet.
që përdorin indigjenët e Australisë.



Nessun commento:

Posta un commento