........

mercoledì 30 gennaio 2013

Në vjeshtë ndarja - Në pranverë shpresa
















NË VJESHTË, NDARJA


Në vjeshtë, ndarja erdhi
dhe ti numëroje hijet e lejlekëve
që nxitonin në vise të tjera.
Tërë ditën në kopësht barisje mbi lulet e thara të
                                    përkëdheljeve, ku
flutura të errëta fluturonin rreth qiparizëve të shkretuar
                                    dhe sillnin  me vete buzëmbrëmjen
dhe verbërinë  e dritares me kujtesën që vdiste.

Në qiparisin e natës, me  foletë e boshatisura të lejlekëve,
lëkundej shalli yt ku sapo ishin vetvarur ëndërrat.



NË PRANVERË, SHPRESA

Në pranverë, shpresa vonoi ca.
Kishe hapur një pus brënda vetes dhe nuk ngjiteshe dot
deri tek çikriku i jetës.

Kur ferrakët filluan të fluturonin mbi supin tënd
ti lëvize, kova e mbushur me trishtim u derdh
dhe e habitur pe xixëllonjat të mbushin oborrin me dritë.

Hëna si një vezë e madhe lejlekësh
shkëlqente nga qiparizët.

Urithët, milingonat, sythat, yjet,
merreshin me punët e tyre. 

S’mund të rrije më. Preve thonjtë,
Hoqe nga krehëri një tufë të vogël flokësh,
i mblodhe shuk
si hidhërimin tënd të djeshëm.

Dhe prisje lejlekët.


Nessun commento:

Posta un commento