Alberto Moravia
PËRBINDSHI I RRUMBULLAKTË
Tregim
Kam lexuar Platonin njëzet vjet më parë, kur
studioja për mjeksi. Prej tij më ka bërë përshtypje mbi të gjitha miti i
hershëm i Hermafroditit. Sipas këtij miti, në origjinë të njerëzimit, ka
egzistuar një përbindësh i rrumbullaktë, me dy kokë, katër këmbë, katër duar,
dy prapanica e dy sekse. Zeusi, i shqetësuar nga fuqia e tepërt e përbindshit,
mendoi t’ja paksonte këtë forcë dhe e preu në dy gjysma të barabarta në atë
mënyrë, siç thotë vet Platoni, që pritet një vezë e zier me një qime të hollë.
Qysh atëhere, këto gjysma, si e seksit mashkull, si e seksit femër, bredhin
nëpër botë, të etura në kërkim të gjysmës së seksit tjetër për t’u bashkuar e
për të rikrijuar përbindshin e rrumbullaktë të origjinës. Përse më është
ngulitur kaq shumë në kujtesë ky mit? Nga që, siç duhet, s’qenka thjeshtë një mit,
një legjendë, po një realitet i përjetshëm. Pa pyetur për profesionin tim,
kulturën time, inteligjencën time, eksperiencën time, unë jam përherë në një kërkim
të ankthshëm e përvëlonjës të gjysmës sime mashkullore. Ky kërkim i vazhdueshëm
e i dëshpëruar më bën si të shkalluar edhe tani që po ngjit me rrëmbim shkallët
e kësaj shtëpie në kërkim të një far Mario, një i ri kamarier në banjat termale,
në krahët e të cilit jam ndjerë e bashkuar me gjysmën tjetër këto dhjetë ditë,
ndërsa po kaloj pushimet në një hotel të Çirçeos.
Ashensori, kuptohet, nuk punon, si mbërrij në
katin e gjashtë qëndroj ca para portës duke u përpjekur të rregulloj frymëmarrjen.
Mbi një pllakë tunxhi është shkruar me gërma korsive: “Elda-moda”, ndoshta për
të krijuar një përshtypje elegance. Elda është emri i nënës së Marios dhe kjo
pllakë fodulle është në kontrast me modestinë e portës prej druri e të lyer me
zmalto gri, me koridorin e ngushtë të përmbytur nga një diell i bezdisshëm, me
shkallët e ngushta e të pista të kondominios. Ja, nuk dihas më. Zgjat dorën dhe
shtyp butonin e ziles.
Hapet porta dhe një grua me përparse të zezë
prestareje, me një metër të verdhë të hedhur shpatullave,me ca penjë të bardhë
aty këtu në gjoks, që padyshim është nëna e Marios, shfaqet në prag. Është një
nënë e bukur, por me një bukuri të venitur tashmë. Detyra prej nëne, puna,
ushqimi i keq e kanë deformuar e rënduar edhe pse duhet të ketë moshën time apo
disa vite më pak. Unë ngjaj sigurisht më e re nga ajo sepse flokët e mi janë të
ngjyrosur, kurse të saj të hirtë.
Më sheh me mosbesim dhe më pyet se ç’dëshiroj. I
përgjigjem me një gënjeshtër brënda së cilës ka një të vërtetë: ”Biri juaj
është nën kujdesin tim. Më telefonoi dje mbrëma për ta vizituar nga që nuk
ndihej mirë. Dhe erdha.” Pse them se është një gënjeshtër që ka brenda një të
vërtetë? Sepse kështu nisi dashuria jonë, në një dhomëz shërbimi plot zagushi,
në hotelin ku kisha bujtur, me Marion që e kishin zënë të prerat në bark, të
shtrirë përmbys në një krevat portativ. Unë isha ulur në cep të krevatit dhe i
mbaja dorën. Ai mundohej të dridhej sa më pak dhe ndërkohë, me sytë e tij të
ngashëryer kërkonte gjatë gjithë kohës sytëe mi.
E jëma nuk u çudit as nga prania ime, as nga
preteksti që përdora. Me këto gjëra duket se është mësuar. Flet me zë pothuajse
zyrtar: “Po shkoj të shoh nëse im bir është brënda.” Më kthen shpatullat, pa më
ftuar të hyj dhe zhduket pas një perdeje që ndan hyrjen nga pjesa tjetër e
apartamentit. E ngelur vetëm, hyj pakëz brenda, hap perden, shoh. Koridor, një portë
me xham në fund, padyshim banja, tre porta të tjera anash. Llogaris: një portë
për guzhinën, një për sallonin e provës, një për Marion. Po ajo ku duhet të
flejë? Ka të ngjarë në sallonin e provës, në ndonjë divan. Ndërsa bëj këto
arsyetime, zgjas veshët.
Porta, që sipas meje të çon në dhomën e Marios,
është pakëz e hapur. Ndjej zërin e tij si të përgjumur në dallim nga ai i së
jëmës. Pastaj ajo shfaqet befas sa as unë nuk kam kohë të tërhiqem mbrapsht. Më
njofton me një pamje të trishtuar prej nëne: “Më vjen keq, po im bir nuk është
këtu!” E shoh drejt e në sy, të cilat edhe ajo nuk mi shqit. Bërtas duke u
dridhur: “Ju gënjeni, biri juaj është brenda, sepse dëgjova zërin e tij.” Duke
thënë kështu bëj të lëshohem drejt portës së dhomës së Marios. Në të njëjtin
moment, Mario del nga dhoma dhe qëndron përballë meje.
Ka flokë të zinj e të shndritshëm të shprishura
krejt, me pantallona të shkurtra dhe kanotjerë, ngjan i sapo ngritur nga
krevati. Dalloj që ka një peshqir të palosur nën sqetull, e habitur mendoj se
nuk e kujtoja kaq të ri, me një trup kaq të harmonishëm e leshtor. Në të
njëjtën kohë, provoj një dëshirë të
shtyhem përpara, e etur dhe me ngut, që, nëse nuk do të përmbahem, do të përfundoj
tek ai, ta përqafoj, të ngjesh me trupin tim të tijin: pikërisht gjysmën platoniane,
që pas kërkimit të gjatë ka gjetur më në fund gjysmën tjetër. Hap gojën,
shqiptoj: “Mario...” dhe vetëtimthi ndal e paralizuar nga reflektimi i
menjhershëm se Mario, për arsye që nuk kuptoj, e frenon këtë gjest, nuk do t’ja
dijë më për mua e për pasojë kam gabuar dhe kuturrisur deri këtu, në shtëpinë e
tij, me pretekstin e marrë të vizitës mjeksore. Pikërisht. Mario më shikon, i
mvrejtur, dhe për një moment, pra, nga kjo gojë kaq e dashur, çlirohet
poshtërues e brutal, përçmimi i
tradicional i djaloshit të ri kundër dashnores më të shkuar në moshë. Më
flet në dialektin e rëndë roman, me një këmbëngulje për të shuar mardhënien
dashurore me fraza thellësisht dialektale si: “Dua ta di ç’kërkon?” “ Nga të
njoh unë ti?” “A e ke parë veten në pasqyrë?” “Shihe, shihe këtë plakaruqe
ç’pretendon” e të ngjashme.
Këto fraza më ndoqën dhe m’u sulën, ndërsa e
shushatur, tërhiqem si një pulë e tmerruar dhe e frustuar nën goditjet e
furishme të një fshese amviseje. E jëma, në këmbë tek hyrja, shikon herë mua
dhe herë Marion, e pasigurt po e qetë, gati sa duket se i vjen zor për mua. I
kaloj pranë, dal në krye të shkallëve, jo me shumë ngut, për të mos e parë
fyerjen e fundit: Marion që hyn në banjë duke tërhequr dhe përplasur portën e
xhamtë.
Pas këtij skandali më shoqëron
diçka e veçantë dhe e pazakontë. Çdo mëngjes, afër orës pesë, zgjuhem dhe
filloj të mendoj për Marion, ose më mirë nuk mendoj për të, në atë kuptim që
thuhet: ”Të mendoj gjithmonë” që do të thotë në fund të fundit të mos mendosh
dhe të ndahesh nga sentimenti, por me imagjinatë ripërsëris skenën poshtëruese
të dëbimit tim nga shtëpia e tij. Shoh veten t’i bjerë ziles, të gënjej të jëmën, të hyj nështëpi, të shoh
Marion të shfaqet, të më peshojë nga koka deri te këmbët, të shfryjë kundër
meje, të mbyllet në banjë duke përplasur portën. Në këtë pikë, ju do të mendoni
se unë do të kthehm në anën tjetër dhe do të bie në gjumë përsëri. Nëse mendoni
kështu, kjo do të thotë se ju nuk e njihni dallimin midis kujtimit dhe të
rijetuarit të situatës. Të kujtosh do të thotë të nxjerrësh nga memorja një
person, një ngjarje, ta shohësh siç sheh një xhevahir të vjetër që e ruan në
sirtar dhe pastaj ta lesh sërish brënda këtij sirtari, që s’është gjë tjetër,
veçse kujtesa juaj dhe të mos mendoni më për të. Përkundrazi, të rijetosh do të thotë të
provosh e të riprovosh pa fund ato
ndijime që ky person e kjo ngjarje
shkaktuan brënda nesh në momentin që po i jetonim. Askujt nuk u bie
ndërmend të rijetojë ndijime të pakëndëshme. Rijetohen vetëm ndijime të bukura,
të tjerat përpiqesh t’i harrosh. Atëhere, si shpjegohet që unë, në të gjitha
mëngjeset, shumë e shumë herë, kthehem me kujtesën tek skena e dëbimit tim nga
shtëpia e Marios, duke vuajtur, mbi të gjitha,
në momentet më poshtëruese dhe mizore? Përse e ngurtë, e mpirë dhe e
shtangur e ripërtyp këtë dhimbje të mprehtë sikur të ishte një kënaqësi
impresionuese? Mendoj gjatë dhe në fund, them se në realitet gjatë këtyre
riprodhimeve mëngjesore, për arsye të një alkimie misterioze psikologjike,
dhimbja kthehet në kënaqsi. Mund të thoni: mazokizëm. Ndoshta. Por si mund të pajtohet mazokizmi me
vuajtet për të gjetur gjysmën tjetër, për të riformuar përbindëshin e
rrumbullaktë mitik, të gjithin, siç e përmënd Platoni? A mund të jetë i
kompletuar një person i ndarë në dy pjesë, njëra prej të cilave e poshtëruar, e
nëpërkëmbur dhe e degraduar nga tjetra?
Mesa duket, po. Dhimbja ime
sensuale, pas disa muajsh, fillon e bëhet bajate, fluide. Skena e dëbimit tim
nga shtëpia e Marios zbehet, shuhet vende vende si një film i vjetër i
konsumuar nga koha dhe përdorimi. Për
fat të keq, tashmë jam e mësuar me këtë kënaqsi të zymtë, kam nevojë absolute
të riprovoj çdo mëngjes vuajtjet e këtyre pak minutave mizore. Kështu marr një
vendim ndoshta të pabesueshëm, por në gjendjen time mund të jetë logjike: të
paraqitem sërish në shtëpinë e Marios, të ofroj sërish pretekstin e pahijshëm
të vizitës mjeksore. Do të bëj të më dëbojnë sërish në të njëjtën mënyrë fyese.
Ndoshta Mario do të më kapë për flokësh dhe do të më zvarrisë përtokë për tek
hyrja e apartamentit, do të më gjuajë me shkelma te kreu i shkallëve. Si një i
droguar që ka marrë sasinë e dozës së preferuar, do të kthehem në shtëpi me një
furnizim të bollshëm poshtërimi, kështu që do të mund të jetoj me këtë sasi të
re për një periudhë të gjatë.
Pa hezituar e ve në zbatim
planin tim. Paraqitem një mëngjes në shtëpinë e tyre, ngjitem me këmbë
(ashensori është akoma me defekt), gjashtë kate, trokas në portë, e jëma vjen ta hapë, deklamoj gënjeshtrën e
vizitës mjeksore. Pres që e jëma të më kthejë mbrapsht, vë re trishtimin e saj
me një hije simpatie, pres që Mario të më shfaqet përballë e të lëshojë
mallkimet drejt meje. Asgjë e tillë. E jëma, ende e trishtuar, më fton: “Mund të shkoni drejt. Është në
krevat. Porta e fundit, djathtas” dhe iku. Më shumë e vdekur se e gjallë bëj
përpara, trokas. Më përgjigjet nga brënda të hyj, ja dhoma e vogël me tapete,
me ilustrime divesh e lojtarësh futbolli të prera nga revistat.Mario rri i
shtrirë mbi krevat, në pantallona të shkurtra e kanotjerë, si herën tjetër, në
shpinë dhe duar e bashkuar nën qafë. Nuk ngrihet, nuk lëviz, kufizohet të më
thotë me zërin e vrazhdtë po të sjellshëm: “A mund ta di përse nuk je dukur më?
Apo nga që atë mëngjes kam qenë pak i ashpër? A nuk e kupton që je e
çuditëshme?
Përnjëherë padurimi për t’u
hedhur mbi të, për ta përqafuar, për të ngjeshur trupin tim me të tijin, më iku
si me magji. Pastaj çdo veprim shfaqet automatikisht, mekanikisht.Ulem në cep
të krevatit, i mat pulsin, i numëroj të rrahurat.Ai proteston, në fillim i
pasigurt, pastaj me një përpjekje më të vendosur, por nuk e dëgjoj. E refuzoj
me një ftohtësi profesionale një tentativë të tij për të më përqafuar, ngrihem,
e njoftoj se nuk është mirë, marr bllokun e recetave, mbush njërën dhe ja
zgjas. Pra, pa i dhënë kohë, të përfitojë nga ndonjë e papritur dal nga dhoma
dhe pastaj nga apartamenti e drejtohem për nga shkallët.
Ndërsa hypi në makinë për të
filluar xhiron time të zakonëshme të vizitave, papritur më hypën një e qeshur. Më
kujtohet, në fakt, që përbindëshi i rrumbullaktë i Platoni, me sa duket, ecte
në mënyrë komike duke formuar rrota me katër krahët dhe katër këmbët e tij, si akrobatët apo si ca hyjni
indiane. Drejt. Ç’gjë tjetër mund të bëjë një qenie kaq e çuditëshme që kërkon
bashkimin e tij në ndarjen, forcën e vet
në dobësinë dhe gëzimin e vet tek dhimbjet?
Përktheu: Agim
Mato
Nessun commento:
Posta un commento