........

mercoledì 2 gennaio 2013

Nën Hijen e Akrokerauneve















NËN HIJEN E AKROKERAUNEVE

  
Nuk kam bredhur nëpër botë për të kërkuar  shpirtin e 
                      humbur
si një Harold. Më ka mjaftuar ky atdhe ku rroj
edhe atëherë kur perënditë e rreme
e kapnin për fyti këngën time
dhe e përplasnin në harrim.

Nuk e shkova ndërmend arratinë nga ky atdhe
prej guri, prej deti, prej telash me gjemba
edhe atëherë kur këto do të bëheshin
vuajtjet e mia, burgimi im.
  
Nuk doja të ikte Bilal Xhaferi.
Qava kur më la në duar sokëllimën e shpirtit
me jehonën që oshëtiu gjer
në Amerikën e  largët
dhe përjetë e humba zërin e tij prej laureshe.
  
Pse iku Kadareja nuk e kuptova kurrë.
  
Lëndohem kur shoh se përditë bjeret atdheu.
Përditë pakësohet e pakësohet, pa e ndier,
edhe  pse të tjerë përpiqen
ta mbushim zbrazësirën sadopak.
  
Për sa më sipër,
nuk e dëshirova
fatin e një Çajld Haroldi
të lodhur e të penduar
nga orgjitë londineze,
edhe pse e pat lëvduar karakterin dhe bujarinë  time,
edhe pse e pat lëvduar fisin tim, të kapur fort pas
                                                     shkëmbinjve dhe ullinjve
                                                                                       nën hijen
                                                                      e Akrokerauneve.

1 commento:

  1. Agim, eshte nje nder kryeveprate tua. Sigurisht me te mira presim.

    RispondiElimina