........

lunedì 14 gennaio 2013

Marrëzia



MARRËZIA

tregim nga Alberto Moravia
Përktheu: Agim Mato

Një grua mund të ketë shumë  burra në jetë, por vetëm një baba. Ndoshta  për këtë,  personi që në zemrën time e quaj burrin e jetës sime, në fund të fundit, kur kjo është vulosur përfundimisht, ishte për mua, mbi të gjitha një baba. Po, një baba i denjë në vend të të babait të padenjë që më pruri në jetë. Një baba, një prind që pati premtuar ta jetoj jetën si në një fëmijëri të përjetëshme, të mbrojtur e të lumtur.Ky ishte burimi i vërtet. autentik i raporteve tona. Ç’ rëndësi kishte pastaj që ai ishte më i vjetër se unë gati tridhjetë vjeç, dhe unë njëlloj intelektualeje (jam diplomuar në fizikë, bëj kërkime për një profesor universiteti) dhe ai një financier, ndoshta jo aq i kultivuar, i zhytur në para deri në grykë? Ajo që kishte rëndësi, ishte se me të, e ndjeja se do të bëja përpara gjithë jetën, pikërisht, sepse ne, përveç marëdhënieve dashurore, që durojnë aq sa durojnë, na mbante lidhur ajo marrëdhënie e prindit me fëmijën e vet, që praktikisht nuk mbaron kurrë.
Një nga ato ditë, pas gati dy vjetësh të një marrëdhënieje sekrete, gati gati klandestine (ai duhej të fshihej kur më shihte, sepse kishte grua dhe fëmijë), shkoj për një detyrë në një lagje për mua jo aq të frekuentuar, dhe duke dalë nga një dyqan, shquaj, pak më larg, të ndalur në gjendje pritjeje në trotuar, një zonjë e veshur në mënyrë shumë elegante, e lartë brune, e mbushur, diçka si mulate. Duke e vërejtur edhe ca, kur ja, mbërrin një makinë që e njoh mirë, me financierin-prind timin në timon. Makina ndalon, ai hap portën, gruaja hypën, makina niset, gruaja hedh krahun në qafë të burrit të jetës sime dhe e puth te veshët. Pastaj u zhdukën të dy.
Renda me ngut në shtëpi, jam ulur në studion time dhe vështrova gjithshka që më rrethonte. Atëhere, për një çast, pata si të thuash një krizë refuzimi për të gjitha gjërat, për tërë realitetin e sendeve që më rrethonin. Po, këto mobilje, këto libra, këto perde, këto tapete, të gjitha, më dukej sikur vërtetë sapo t’i kisha vjellë dhe po i shihja me një ndjenjë të përzier neverie dhe habie me të cilën shikojmë, pasi të kemi vjellë grumbullin e pështirë të gjësë që kemi shprazur nga goja  pak çaste më parë. Ishte mbrëmje dimri. Qëndrova dhe po mendoja për jetën time të vjellur, nuk di për sa kohë, gjersa u err plotësisht.
Atëhere u nisa si e ngrirë për në dhomën e gjumit, u plandosa në krevat dhe fillova të reflektoj se si duhej të veproja në të ardhmen me të dashurin tim. Mendova zgjidhje të ndryshme, por asnjë nuk më bindi. Sigurisht duhej të largohesha gjersa të më fashitej kjo ndjenjë e shpifur për ekzistencën, po ku të shkoja?
Pastaj mendova në mënyrë shumë të logjikshme: “Nuk flitet të iki nga një vend dhe të shkoj në një tjetër. Flitet të iki nga të gjitha vendet”, dhe pa hezituar, ndeza dritën, mbusha një gotë uji, dhe dy e nga dy për çdo herë gëlltita të gjitha tabletat e një tubeti me pilulat e gjumit. Përbrënda vetes nuk kisha idenë e një vdekjeje se sa të shkulja këtë ndjesi në vetëdijen time, për të mos parë dhe për të mos menduar më për asgjë dhe mbi të gjitha të mos kisha më përpara syve përfytyrimin e makinës që largohej me dashnorin-baba timin në timon dhe atë grua hajdute të dashurisë me gojën e ngjitur në veshin e tij. Kam rënë në një vrimë të zezë dhe jam përmëndur pas dymbëdhjetë orësh në sallën e një klinike. Më kishte çuar pikërisht ai, financieri im, i cili, duke hyrë në apartamentin e përbashkët dhe duke mos më parë të mbërrija, kishte  parandjerë se diçka më kishte ndodhur. Në këtë klinikë kuroheshin sëmundjet mendore të lehta, jo tamam një azil. Ish babai im nuk kishte menduar se ndoshta kisha luajtur mëndsh, më solli këtu vetëm sepse mjeku që e drejtonte ishte një mik i tij.
E kishte nuhatur i dashuri im se kisha tentuar të vetvritesha për shkak të tij? Nuk e kam kuptuar kurrë, por diçka do të ketë dyshuar, sepse pastaj, për të tëra vitet që do të vinin, në sjelljen e tij ka një ndjenjë faji të përherëshme. Sa për mua qëndrova rreth një javë në klinikë dhe i bëra të ditur nëpërmjet mjekut se isha ende nën shok për shkak të dështimit të vetvrasjes dhe për këtë, të paktën për tani, preferova të mos shikoja dhe komunikoja me asnjë. Ndërkohë, këto shtatë ditë heshtjeje dhe vetmie në klinikë ishin shumë të dobishme  sepse kuptova më në fund se si duhej të sillesha me burrin që më pat tradhëtuar. Pra, nuk do të prishja raportet me të dhe njëkohësisht nuk do t’i vazhdoja; porse do t’i mbaja “pezull”.
Natyrisht, unë nuk dëshiroja që ai të lodhej nga kjo, dëshiroja që ai të më rrinte rrotull, qoftë edhe më kot. Dikush do të mendojë se kisha shpikur një formë mizore dhe të rafinuar të hakmarrjes, po nuk është kështu. Në realitet unë do të doja ta rishihja sepse e doja, prapëseprapë, por në të njëjtën kohë, pikërisht se e doja shumë dhe dashuria ime ishte ofenduar, nuk doja më ta shihja. Midis këtyre dy ekzigjencave kontradiktore, sëmundja mendore, nga e cila  mund të shërohesh, por edhe mund të mos shërohesh ndalon çdo raport me të tjerët. Sëmundja mendore më ndihmonte mrekullisht të vija në funksion këtë pezullim marrëdhëniesh që kisha menduar.
Shtrimi në klinikë m’u bë i dobishëm nga ana tjetër sepse, pasi studiova të tjerë të sëmurë që vinin të shtroheshin, kam mundur të përcaktoj më mirë sëmundjen e imagjinuar, për të cilën, nga ky moment, kisha vendosur që kjo sëmundje të ishte kronike. Pra, flitet për një formë të butë por ngulmuese e ndoshta e pakurueshme e melankoninë depresive, me faza më akute të karakterizuara nga një ndryshueshmëri e pasur haluçinacionesh. Isha e trishtuar, depresive, mizantrope. Në të njëjtën kohë shihja dhe ndjeja gjëra që nuk ekzistonin dhe absolutisht nuk mund të ekzistonin.
I shpjegova të gjitha këto në telefon ish babait tim, pak ditë pasi jam kthyer në shtëpi. I thashë se, ndërsa po flisja me të qëndroja në errësirë, që isha vetëm e që ndërkohë më bëhej se një burrë banonte në shtëpi. Unë e ndjeja në fakt këtë burrë të ecte në apartamentin përbri, të hapte e mbyllte portat, të mërmëriste një këngë nën zë. Ish dashnori im habitej, nuk kisha pra frikë nga këto zhurma? Jo asnjë për t’u shqetsuar, i ndjeja dhe asgjë më tepër. Dhe nuk dëshiroja që ai të vinte e të më gjente, ndoshta së shpejti, prania e tij sigurisht do të bënte të pushonin haluçinacionet. Jo, për zotin, nuk mund ta shihja, nuk mund të shihja asnjë. Por atëhere kur do të shihemi? Shpejt, shumë shpejt, me t’u stabilizuar, ndoshta pas një muaji. Toni im i sinqertë, i mbushur me një melankoni të pafund, e bindi. Kështu, pasi i lashë të kuptojë se e doja akoma, betim që e bëja me vullnet sepse e doja me të vërtetë, e lamë që të më telefononte këtej e tutje të paktën një herë në javë.
Duke ju betuar se e doja, i kisha thënë të vërtetën, por, për sa i takon haluçinacioneve për praninë e një njeriu në dhomë, e pata gënjyer. Isha një grua e re dhe e bukur, nuk më mungonin ngacmimet dhe kortezitë e meshkujve. Sapo dola nga klinika, menjëherë peshkova, të keqen më të vogël prej tyre, një student me emrin Manlio, dhe isha e gatëshme të shkoja në shtrat.Nuk e dashuroja këtë Manlio, dashuroja financierin, nuk doja të hakmerresha, nuk doja të bëja asgjë të saktë: ishte vetëm jeta që vazhdonte. Po për më shumë, ky trillim i çuditshëm, me ish të dashurin tim, i mohonte kontaktet. Me pak fjalë sëmundja mendore qëndronte midis meje dhe tij si ata xhama specialë që të mundësojnë të shohësh jashtë, dhe nuk të lenë të të shohin brenda.Unë e shihja financierin tim dhe dashurinë e tij për mua, por ai nuk më shihte mua, dhe pas meje Manlion, që priste si i çmëndur që të mbaroja telefonatën.
Kështu filloi për mua një jetë e dyfishtë ose më mirë një jetë e ndarë në dy pjesë, njëra prej tyre reale, por e mohuar si realitet dhe tjetra ireale por e jetuar realisht. Jetoja si gjithë të tjerët në këtë botë, normalisht, jetën e përditëshme, por në telefon, ish babait tim, vazhdoja ti shpjegoja se jeta ime ishte ndërprerë për shkak të turbullimit tim psiqik dhe se do të rifillonte atëhere kur ne do të mund të rishiheshim. Dikush mund të thotë se për të do të ishte e lehtë të gjente të vërtetën, të zbulonte që nuk isha e sëmurë, që kisha një mashkull etj.etj. Po unë mund të përgjigjem se i takojmë dy shpejtësive sociale të ndryshme, që në qytetet moderne kalojnë shpesh edhe vite pa takuar persona që i ke frekuentuar në të tjera kohë.
Dikush tjetër mund të thotë se asnjë njeri nuk mund të telefonojë me vite një grua që i mohon të takohet. Edhe për këtë hamendje ka një përgjigje. Dhe që është fakti se financieri im, duke u ndjerë fajtor, kërkonte që me gjithë pasojat të rifitoja aftësitë.
Pas kthimit tim nga klinika kishin kaluar pesë vjet dhe shumë gjëra ndodhën në jetën time. Çfarë? Ja, shkurtimisht. Në shtratin tim, pak nga pak Manlio u zëvendësua nga Aleksandri, Aleksandri nga Ranieri dhe Ranieri nga Livio. Kam bërë shumë udhëtime në vende të largërta, çdo herë me një burrë të ndryshëm, në Brazil, në Indi, në Marok, në Afrikën Jugore, kam ngelur me barrë me Livion dhe kam patur një fëmijë dhe për tre vjet kam ndjekur Livion në udhëtimet e tij: ishte i dërguari special i një gazeze të përditëshme. Pastaj e kam prishur dhe me Livion dhe kam patur një tjetër fëmijë me  këtë që rroj edhe tani, Frederikon. Ndërkohë,kam ndëruar shtëpi tre herë dhe profesione dy: bëja kërkime shkencore dhe jam bërë sekretare redaksie e një reviste për urbanistikën. E të tjera. e të tjera. Dhe ish babai im dhe dashnori, vazhdonte të më telefononte rregullisht.
Ndërkohë rregullisht e ndaloja të më vizitonte duke përmendur të tjera dukuri të sëmundjes. Me një zë të veçantë, që e kam vetëm kur flas me të, të trishtuar, të paqartë, të butë, të përvuajtur me ndërprerje, i them që jam keq, shumë keq, që nuk shoh askënd, që jam e vetmuar, që kam vegime të çuditshme, haluçinacione, herë që më duket sikur kam dy fëmijë, herë sikur kam tre burra, të tre të dashuruar me mua, herë sapo të jem kthyer nga udhëtimi nga një vend i largët tropikal, herë të kem këmbyer shtëpi. I them të vërtetën, me pak fjalë, duke e prezantuar si një iluzion, si një ëndërr me sy hapur. Dhe çdo herë, me thekse të sinqertë, edhe pse me trishtim, e siguroj se e dua, se nuk kam dashur tjetër përveç tij e se në një nga këto ditë do të shihemi. Dhe këtë premtim, të çuditshëm, ta themi, ai e gëlltit gjithmonë si karem.
Tani, megjithatë, unë duhet të them se këto thirrje mujore telefonike me njeriun e vetëm që kam dashur, e bënin reale dhe interesante  ekzistencën imagjinare të haluçinacioneve. Nga trillimet e sëmundjes mendore (Po a është vërtetë një trillim? A nuk është një sëmundje, duke pretenduar se je i sëmurë?) më bëhet se njerëzit dhe ngjarjet e jetës sime, si një ëndërr  fiktive dhe ireale e gjërave, duke u përsëritur  dhe zhvilluar, nuk arrijnë të më bindin për ekzistencën e tyre reale. Kjo është aq e vërtetë se ndonjëherë, kur unë jam duke folur në telefon me të dashurin tim të vjetër, e bëj në mënyrë të tillë që njeriu me të cilin jetoj qëndron bri meje, më përqafon, më përkëdhel, si për t’u siguruar që ekziston, që nuk është një krijim i fantazisë sime.
Biseda telefonike e fundit që kam patur këto ditë  u zhvillua pikërisht kështu: (po e përshkruaj ekzaktësisht) "Si je?" "Ashtu, ashtu" "Me një fjalë keq" "Po, le ta themi keq".  "E di se për çfarë ke nevojë ti për t’u shëruar? Për një familje, për një bashkëshort, për fëmijë. Për fat të keq unë nuk mund të t’i jap këto gjëra, por do të isha i lumtur në se ti do t’i kishe”." Ke të drejtë, do të kisha nevojë për një familje. Kaq e vërtetë është sa që, kur përkeqsohem, haluçinacionet e mia janë të gjitha si të thuash të llojit familjar, bashkëshortor. Më duket sikur ndjej të bredhin dhe të qeshin në dhomën përbri fëmijë. Zgjohem natën dhe më duket sikur gjej pranë meje një burrë që fle. Por dije, ndjej me të vërtetë të qeshurat dhe grindjet e fëmijve, prek me të vërtetë shpinën e një burri që dremit. “Vuan shumë?” “Eh, po, ndonjë herë më duket të jem bërë e marrë seriozisht. Kjo do të thotë se jam përkeqësuar, se jam mbyllur në mënyrë të pariparueshme në një marrëzi të veçantë.”  “ Marrëzi e çfarë lloji?” “Duket qartë, apo jo? Ajo që bën të besosh se je normale, njëlloj si gjithë të tjerët” “ E shtrenjta ime e shkretë, sa të kuptoj! Po nuk do, vërtetë, nuk do që unë të vij e të të gjej? Unë jam një qenie reale, shumë reale, realiteti im do t’i dëbojë fantazmat e tua.” “Jo, jo, nuk është e mundur, nuk mund të të shoh, jam keq, shumë keq.” Në këtë moment jemi përshëndetur dhe unë, me nxitim të madh,  shkova të vishem. Burri im ireal më priste për të më çuar në një drekë ireale, në shtëpinë e ca miqve irealë. Eh, shumë pak duhet për të bërë ëndrrën realitet.


1 commento:

  1. Dr.Agbazara është një njeri i mrekullueshëm, ky mjek më ndihmon ta sjell përsëri dashurin tim Jenny Williams, i cili u prish me mua 2 vjet më parë me hedhjen e magjisë së tij të fuqishme dhe sot ajo është kthyer tek unë kështu që nëse keni nevojë për ndihmë, kontaktoni atë me email: ( agbazara@gmail.com ) ose telefononi / WhatsApp +2348104102662. Dhe zgjidh problemin tuaj si unë.

    RispondiElimina