........

martedì 5 marzo 2013

Gjaku i luleve















GJAKU I LULEVE


Tanket derdhin gjakun e luleve.

Gjakun e lulekëmborës me gjuhëzën e saj të prerë,
të luledeleve që sapo kanë ngritur kokën me ndrojtje,
të lules “Mos më prek” (që mizorisht e prekën),
të trëndafilave,  tulipanit,  mimozës,
gjakun e të gjitha ngjyrave dhe spektrit të dritës
që bien pre e rrapëllimës së hekurt të zinxhirëve.

Dhe unë e dëgjoj rënkimin e barit,
tufën e zogjve  shtegëtarë që vijnë nga larg dhe
                                    mërgojnë  sërish të tromaksur,
valën që ngjiret duke të folur,
zebelinat e reve që lundrojnë indiferente mbi kokat tona,
muzgun që ulet nëpër stola si një i verbër me qindarkat
                                                                           e yjeve   të tij,
Katerin e Radës që rrëmbehet në bazën detare  atje tej.


Papritur firasin kalimtarët,
firasin vajzat e reja që me pëshpërimat dhe  sekretet
      e tyre mbushnin ajrin.

Dëgjoj  tytat e gjata të tankeve që godasin dyert 
       e bankave
si kryedashët para portave të qyteteve mesjetare.
                       
           
Mijëra sy të  trishtuar  prapa  dritareve përplasin qepallat
si diafragma aparatesh fotografikë.


Si për ironi zinxhiri i florinjtë i dritës atje tej
kopsit gjoksin e ditës. Po kush
do të kopsisë  dhimbjen e nënave  që do të vijë si një 
                                                                        ulurimë e
                                    thekshme e Kanalit të Otrantos?
Ç tragjedi bëhet gati në kaltërsinë verbuese të  Jonit?

Tanket derdhin gjakun e luleve.

Shtrirë përtokë simetria e zëmbakëve,
algjebra e lulishteve,
gjeometria e trotuareve,
shtrirë përtokë shteti.

Sarandë, 1997

Nessun commento:

Posta un commento