SUBTROPIKALE
Mos fantazo më kot për krokodilë,
po ndonjë nepërke duhet t’i ruhesh.
Këtu pylli i errët e i dendur është
një makth pa fund.
Po të ngresh zërin, një mori
cinxujsh zhaurrijnë
dhe bëjnë bolori gjithë gjiun me
ullishtat, plazhet dhe
molin që zgjatet tej.
Mos provo të shuash kureshtjen,
mos thuaj se nuk je paralajmëruar
për rreziqet
nëse do të ecësh mespërmes pyllit.
Mos u fut në oborrin e madh të një
fabrike të braktisur.
Të gjitha ngrehinat, të gjitha
sallat i kanë përshtatur
për strehim gjallesat dhe rrjetat e
merimangave kanë vendosur kufijtë e
zotërimeve,
të gatshme për të dhënë
alarmin
si në një sistem survejimi
elektronik.
Atëhere përpiqu të vesh në lëvizje
duart
për të mënjanuar lianet sipër teje
po deshe të orientohesh i zhytur
thellë në këtë humnerë
të gjelbër.
Ke aq mend sa t’u shmangesh
keqkuptimeve.
Mirë bën që vendos të ndjekësh rrjedhën e një burimi
të të tregojë udhën.
Po nuk është faji yt kur sheh se
edhe ai
humbet i tëri në një tunel bimësie
subtropikale.
Mos klith ashtu i rrethuar nga gjarpërinjtë
e ujit.
Të thashë, hiqi nga mëndja
krokodilët,
për t’iu ruajtur sulmit të tyre si
shushunjëzat.
Ec, ec. Më në fund do të arrish tek
depot ushtarake
të nxjerra në ankand.
Një erë e rëndë vajrash e armatimesh
dhe hiri i zjarreve
të kontrabandistëve
do të bëjnë ta kuptosh pse bimësia e
harlisur
nuk guxon të të shoqërojë më tej.
Peripecitë tani kanë mbaruar. Pas
bunkerëve
të mëdhenj fillojnë plazhet,
shezlongët, çadrat, restorantet
dhe zallamahia njerëzore e
shumngjyrëshme
që endet pranë teje me rroba
banjoje.
Nëse në mbarim të ditës do të ecësh
mbi molin e vjetër
të kapësh diellin si një galerë me
vela të kuqërremta,
mos u tremb
nga tufat e pulëbardhave që ngrihen
me frushullimë para
teje.
Bëj edhe një hap më tej nëse ke
dëshirë që edhe vetë
të shndërrohesh në një statujë të
këtij perëndimi.
Po nata subtropikale e Bunecit është një mister
që ende nuk e kam jetuar.
Nessun commento:
Posta un commento