Fatmir
Terziu
Filozofia metafizike e lundrimit
në vargun poetik të
Matos
Abstrakt
Në këtë analizë të librit më të ri poetik të poetit Agim Mato duam të
ndalemi në lidhjen metaforike që qaset mes artit të fjalës për të ripërcaktuar
përmasat logjike dhe artorganik të fjalës që lëvrohet nga ndikimi i një
hapësire kulturore. Te vëllimi poetik “Lundrimet” (2014) me
redaktor, një emër të njohur në letrat bashkëkohore shqipe, Pandeli Koçi (alias
Sazan Goliku) dhe në botimin e “Milosao”-s, poeti Agim Mato na jep një
qashtërsi (më shumë se qartësi poetike) prognozën filo-zofike të lidhjes dhe
arsyes me detin, mes një metafore që lind, rritet dhe zhvillohet e pavdekshme
te procesi më determinues i lidhjes së njeriut me detin, lundrimin (brenda
shpirtit si nocion). Lundrimi është vetë roli që arsyeton, por që edhe na jep
mundësinë të kuptojmë më thellë. Për këtë studimi do të ndalet te roli i detit
në kulturën njerëzore, aspektualiteti i tij Jonik në krijimin ndikues të
rrethnajës, ndikimi i lundrimit si filozofi në vargun e poetit dhe më tej me
një zbërthim të tërë dimensionit që jep vëllimi, si qasja kulmore në
krijimtarinë poetike të viteve që pasojnë një vrull poetik të vargut të bardhë.
Mes kësaj ndalesat do të jenë për të dhënë arsyen, pse A.Mato mbetet një poet
tipologjik me vlera në krijimtarinë e tij.
Deti, rrethnaja e dyfishtë kulturore tej lundrimit nga vetja
Roli i detit në kulturën njerëzore ka qenë i rëndësishëm për shekuj,
ndaj dhe si i tillë edhe për poetin Mato ai vazhdon të jetë më shumë se arsyeja
e arsyeve. Deti është vetë procesi, zhvillimi, heshtja, gëzimi, trishtimi dhe
vetë komunikimi. Si poet dhe si njeri ai e përjeton detin në mënyra të
ndryshme, herë të qeta dhe pajtuese, por jo pak herë edhe kontradiktore. Deti
në vargun e tij është jo thjesht det, por një aspekt ku zanafill “lundrimi”
poetik. Ai është aq i fortë, por i qetë, i bukur, por i rrezikshëm. Përgjigjet
e poetit Mato në det mund të gjenden në artformësimin e përfshirë të letërsisë
poetike të tij, në ndjenjën dhe shijen e artit piktoresk, poezinë e krijuar në
vite, filmimin mes kujtesës dhe kapjeve të
aparatit, teatrin e tij jetik dhe njerëzor të luajtur mes heshtjes dhe
përndjekjes në vite, dhe muzikalitetit klasik të valëve. Një art i tillë ka
ardhur në leximin e poetit mes njohurive dhe shijeve të tij, ndoshta me atë që
hershmëria e përfaqëson që 40.000 vjet të shkuara. Që atëherë, artistë në vende
dhe kultura të ndryshme kanë përshkruar detin, ndoshta në një kah të ndjeshëm
me shpirtin e tyre artist. Profesori Eqerem Çabej që herët në studimin e tij
monografik “Për gjenezën e literaturës shqipe” (1939: 61-65) thekson se “një
aksiomatikë e dyfishtë” ka ekzistuar mes këtyre lidhjeve dhe literaturave. Si
pasojë deti dhe lundrimet janë përshkruar në art, duke filluar nga vizatime të
thjeshta në muret e kasolleve në Lamu nga i mirënjohuri Joseph Turner. Artisti
Japonez Katsushika Hokusai ka krijuar punime me ngjyra të disponimit të detit.
Deti është shfaqur në letërsi që nga “Odisea” e Homerit (shekulli
i 8-të pes). Deti është një temë e përsëritur në poezinë e haikut japonez të lëvruar nga poeti Matsuo Basho
(1644-1694). Në letërsinë moderne europiane, romanet e detit dhe të frymëzuara
si të tilla janë shkruar nga Joseph Conrad, Herman Wouk, dhe Herman Melville.
Deti ka frymëzuar shumë muzikën gjatë shekujve. Varrimi në det ka qenë
praktikuar në mënyra të ndryshme nga vende të botës që nga qytetërimet e lashta
të Egjiptit, Greqisë dhe Romës. Kështu lundrimi në det ka qenë dhe mbetet
formëzimi i gjithë pranisë jetike dhe të
përtejme, madje edhe një arsye për të rikrijuar komunikim me rrethnajën. Kështu
mbetet tek poeti Mato edhe mes vëllimit, por që nis edhe tek poezia “Deti”:
“Ishe altari ku rrëfehesha. Flisja e flisja mes mërmërimës/së dallgëve/me një
zë që të mos kuptohej nga të tjerët./Kur ngriheshin tallazet e tua,/e ngrija
edhe unë zërin/dhe bërtisja mbi shkëmbinj nga frika se s’ më dëgjoje.” (Mato,
2014: 5). Shihet qartë mes kësaj poezie ajo që në fjalën e Çabej vjen si një
‘niveau’ (nivel) kulturor, ku qasen reagimet njerëzore (ibid).
Reagimet e njeriut në det janë gjetur në letërsi, art, poezi, film,
teatër, dhe muzikë klasike, si dhe në mitologji dhe në interpretimin e ëndrrave
psikoterapeutike. Rëndësia e detit të kombeve detare është treguar nga
ndërhyrja që ai bën në kulturën e tyre; përfshirja e saj në mit dhe legjendë.
Përmendja e tij në fjalë të urta dhe këngë popullore; përdorimi i lundri-meve
në ofertat kushtimore; rëndësi e lundrimeve dhe deti si nocion në ceremonitë e
pranimit dhe në ritet mortore; fëmijët duke luajtur me anije lodër; të rriturit
me anijet e mëdha; turmat e mbledhura në nisjen e një anijeje të re; njerëz
duke përsiatur në mbërritjen ose largimin e
një anijeje dhe qëndri-min e përgjithshëm ndaj çështjeve detare. Këto e mjaft dukuri të tjera që lidhnin Sarandën dhe lidhin
tashmë më gjerë në hapësirën e saj ujore me fqinjin kulturor, si në Jug dhe më
gjerë, i japin vargut dhe njëkohësisht, poetit dhe piktorit, artistit dhe
vizualpikturuesit Mato, arsyen pse vargu i tij thith dhe jep ajër mes lundrimit
detar. Simbolikisht deti ka qenë prej kohësh dhe konsiderohet ende si një
mjedis armiqësor dhe i rrezikshëm, pasi është i populluar nga krijesa
fantastike: Leviathan gjigant i Biblës, Scylla në mitologji greke, Isonade
peshkaqeni në mitologjinë japoneze, anijet e gëlltitjes në mitologjinë
skandinave. Por edhe në veprat e filozofit Karl Jung, deti simbolizon
personalen dhe atë pa ndjenja kolektive në interpretimin e ëndrrës. Vargu i
Matos, e gjen dhe pështjell ëndrrën e tij të ndaluar nga ‘kartonizimi’ mes
detit, lundrimit dhe valëve e dallgëve të tij: “Më mbuloje atëherë me
shkumë/dhe lëpija kripën tënde/së bashku me lotët.” (ibid).
Siç shihet vlera e detit, mes vargut të Matos, merr një përmasë tjetër.
Ndoshta ajo që bashkon dhe ribashkon filozofikisht kulturat. Në Azinë
Juglindore, rëndësia e detit rritej mes vlerave epike, princeshat në ishuj të
largët, përbin-dëshat dhe peshqit magjik tek
përgjojnë në humnerë futen edhe mes vargjeve të poetëve. Janë jashtë izolimeve,
por edhe brenda dyzimeve. Kjo e qartë te vargjet e poetit ku “Oqeanikët me
dritat shumëkatëshe kalonin përballë/dhe nuk e ceknin tokën time, pëlhurat e
velierave/atje larg i shtynte një erë tjetër/që mushkritë e mia s’e kishin
provuar.” Dhe ku poeti vjen dhe qëndron mes detit si “...një Robinson Kryzo i
vogël,/derisa gjiri u skuq nga balta që tretej/dhe pemët u shembën mbi ujëra,
si udhëtimet që nuk/i bëra.” (ibid). Autori lexonte literaturën e ndaluar, që
ia kishte lënë mënjanë fshehurazi babai i tij vizionar, Remzi Mato, artist në
novacionet e tij, i papajtuar me stuhinë e dallgëve të sistemit, dhe kuptonte
se “mbretërit” e hapësirës detare ishin vargjet, arti i fjalës, që ashtu si
shumë kombe që besonin se Poseidoni ishte zot i detit, edhe vetë ky varg i
bardhë, i lirë ishte pikëtakuesi me mitin. Këtu ai padashje i jepte jetë në
zhvillim vetë artit jonian, atij arti që merrte volumin e frymëmarrjes nga “influenca
e thellë” ku “distanca midis poetit dhe popullit” nuk ishte shumë e madhe
(Çabej, 1939: 61-65). Kjo distancë bëhej edhe më e ndjeshme në lidhjen
artorganike me detin: “Pranë meje notonin peshq të ngathët/e të verbër të
thellësive,/të pamësuar me dritën,/të rënë sa herë në rrjeta dhe të gjuajtur/me
shkelma nga peshkatarët, sërish në ujë./Isha si i verbuar edhe unë nga një
pluhur i dëndur/drite./Tërë fjalosjet vetmitare,/tërë rrëfimet e pafundme me
ty/filluan të më rrethonin/si një brerore e padukshme shpresash/që ngjitej nga
thellësia e labirinteve nënujore./Ndjeja të më merreshin mendtë/dhe mesdita më
flakte pranë teje,/dhe gjumi më zinte përzier me rërën e nxehtë,/me algat përsipër/dhe
valët që më rrihnin në brinjë./Shaluar mbi një kalë deti bridhja në thellsirat
e/ëndërrta të koraleve/dhe ndjeja të më firasej trishtimi,/të më avitej
Poezia,/si rrezet e dritës/që kullosnin mbi hapësirën tënde, o det./Frikë nuk
pata më se mos më dëgjonin të tjerët.” (ibid). Kështu frika se mos e dëgjonin
të tjerët, e bënte poetin të strukej në këtë det, mes lundrimit të tij të
heshtur, pasi ai kishte format e tij të hershme të datuara e të tipologjizuara
në mjedis-organikën e tij kulturore, ku vetë lidhja jonike transmetonte në
heshtjen e saj. Ky det i shfaqur në literaturë, të paktën që nga koha e
Homerit, i cili e përshkruan atë si “e verës së detit të errët” (oînops
PONTOS), tashmë qasej deri në strukun e majëfjalës së zhytur në thellësinë e mendimit
të poetit Mato. Ndërsa tek “Odiseja” gjente pikërrëfimin e
udhëtimin e heroit Odise që lufton për t’u kthyer në shtëpi nga përtej detit
pas luftës me trojanët, e përshkruar në Iliada, ai, pra poeti shqiptar, Mato
gjente arsyen të rikthente në vetvete fjalën e artë që përballej me Trojën e
kartonizimeve, me ndalimin e tij lundru-es e të qetë poetik. Fluturimin e tij
të përçart e merr nga një vend në një tjetër, duke përjetuar ndër rreziqe të
tjera detare, ku shfaqet deti i ri përbindësh, jo si atëherë Scylla, vorbulla
Karridba dhe ishulli Ogygia i nimfës Calypso, por tërë nomenklatura tjetër që
lagej në det dhe jetonte tej detit dhe hallve të tij, ajo që shfaqej e frikshme
në arsyen e joarsyen e fjalës. Ndaj dhe vetë poeti citon se “Lundrimet e mëdha
fillojnë nga shpirti”. Në ndihmë na vjen edhe Çabej me dy aksiomat e tij, ku
thekson e para është influenca e rrethnajës krijuese dhe e dyta është ngjyra
politike e shkrimtarisë, me qenë se fatet e posacme socialpolitike kanë shtruar
një influencë të shënuar në të lindurit e
literaturave’ (ibid). Poeti, sipas Çabej, është ‘një prijës shpirtëror’ që i ka
‘rënë këtu zakonisht dhe barra e apostullit nacional’ ku gjithnjë duhet ta
vendosë penën në shërbim të identitetit të tij, kulturës së tij, arsyes dhe
mendimit në të mirë të fateve njerëzore dhe të vendlindjes (ibid). Kjo lidhje
me vargun e Matos është më shumë se lundrim, është një falënderim ekzistence,
për njeriun e tij të dashur, më të afërtin e jetës, atij që i dhuron edhe
ekzistencën: “Kur erdhe ti/u terratisën perënditë e rreme/që vërtiten rrotull
njeriut./Deri në ato çaste nuk e dija që ekzistoje.” (ibid). Është kjo
ekzistencë pikërisht në lundrimin e poetit ku jeta, toka, hapësira dhe deti
marrin forma të reja: “Drita që solle papritur ma trembi vetminë/dhe, i
pamësuar me të, nuk guxova/të rri gjatë përballë teje,/që të mos vuaja. Pyesja
hijen time/prej Heminguei dhe ajo bëhej më memece se unë.”. Është kjo
ekzistencë që mes lundrimit mbeti një besnike e përbetuar e artit të fjalës, që
në jo pak raste mundej dhe mundohej nga heshtja e dallgëve që shkisnin
vetëtimthi.
Aspektualiteti Jonik dhe rrethnaja si tipologji midis formës dhe
strukturës
Në përgjithësi vargu i poetit Agim Mato, i qasur mes dallgëve të
shpirtit dhe atyre të rrethnajës, apo edhe vetë detit Jon, i japin qasje të
lirë aspektualitetit Jonik, ku rrethnaja determinohet dhe agravon deri në
detajin më të ndjeshëm. Gjeografikja si e tillë rrjedh e nxehtë në hapësirën që
krijohet si tipologji midis formës dhe strukturës. Herë pas here “stanzat”
variojnë dhe vargu i Matos kapërcen numeracionin vargor dhe enumeracionin
metaforik e logjik, ku secili përmban një numër të ndryshueshëm të vargjeve.
Pjesë lojëparësore poetike shihet në strukturimin e tij, përthyerjen
sipas logjikës poetike, ndalesën e reduktuar, ndryshesën në arsye dhe
kapërcimin foljor. Tek mjaft poezi të tij shihen katërmbëdhjetë rreshta,
i dyti, i treti dhe i katërti kapin numeracione të ndryshme që variojnë. Sa për
skemën në vargje, nuk ka skemë të dukshme rimëbrendore, ose logjike, që
synon një vend trajtimi të lirë të modelit bazë jambik që zakonisht ushtrohet
pak herë nga autori, por që veçon në strukturën e tij. Në mjaft poezi ka një
seri të zanoreve të hapura (melankolike, të gjatëvëna, tërheqjen në arsyetim
për të na dhënë një minigjëmim të brendshëm brenda zanores, si në përshpirtjen
e saj zanore kur lidhet me arsyen e fjalës). Në përgjithësi vihet nga fillim në
fund të poezive një ritëm në rënie sintaksore që mund të zbulohet në leximin e
vazhduar të strofës që herë pason e herë ngushtet deri në sakrificë ndjesore.
Në këtë mes vetë strofës së tillë tipologjike të poezisë së Matos, mund t’i
qasen lundrimet e brendshme me shtatë rreshta të pentametrit jambik, me skemën
e një rime logjike që afërsohet në skematikën tradicionale të abbacddcc, por jo
të ngjeshur në rimëzim dhe adoptesë. Kjo lloj poezie, tipike e Agim Matos, mund
të shihet si një seri tingëllimash jo të plota, ku dy pjesët e para
çdoditësohen në mendësinë e akumuluar të kulturës së kujtesës
dhe të krijuara nga 14 linja që sugjerojnë se qëllimi nuk është të arrijnë për
të arritur formën e rreptë sonet, por të ritmojnë në heshtje atë që autori
kërkon ta lundrojë në përshpirtjen e tij. Me përjashtim të një linjëvargu
të shkurtër (tri këmbë) të hapjes, pjesa e fundit e një poezie të tillë imiton
oktavën e një soneti të mbyllur me një qëllim të vetëm, linjën klimatike të
vendrrethnajës, që zakonisht është tipike “jodike” ose joniane e sqaruar edhe
në studimet e mia të mëparshme, ku duket se sikur pjesa e fundit e një poezie
përcjell pesë linjat e brendshme e të ndjeshme të vargut. Shembujt janë shumë,
por poezia “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti” na shpie pikërisht në
kuptimin e plotë të kësaj analize dhe vetë struk-turës së saj: “Përpiqem të
gjej rrënjët e dëshpërimit/ku është mpleksur spiranca e lundrimeve të
tua./Hetoj ujërat e kaltërta të syve të tu,/llokoçitjen e halave të qerpikëve,
si shelgje lotues,/ku frika ka ngritur folezat e një dyshimi./O brishtësi e
trembur, o turbullim miturak,/O trumcak i uritur për një gllënkë qiell,/mos e
lerë dritën tënde të përpëlitet nga terri,/mos e lerë shikimin të më pyesë me
këmbëngulje/për dramën e një udhëtimi të ndërprerë/që mendon se luhet brenda
teje./Ç’dramë? – të them unë. Pa shikomë,/nuk të dukem si një pyll i djegur nga
rrufetë e fatit?/A nuk e sheh se përditë mbledh hirin tim/dhe ua hedh sërish
shpresave për t’i rritur nga e para?” (ibid).
Poezia e Agim Matos është një poemë pëshpirtjeje e kombi-nuar me
adekuaten e kujtesës kulturore të mbledhur në
vite. Matthew Arnold përdor termin “prekës” dhe “ndikues” ndërsa përcjell një
analizë për një strukturë të tillë poetike (Arnold, 2005: 47). Kur ai ia
atribuon këtë me ndjenjën njerëzore mbi një objekt të pajetë si deti, natyrisht
bëhet më interesante si nga vetë aspektualiteti Jonik po ashtu edhe nga
rrethnaja si tipologji midis formës dhe strukturës. Në të njëjtën kohë ai
krijon një ndjenjë të patosit. Lexuesi mund të ndiej simpati për të vuajtur
vetë lirikisht mes vargut që pëson në kushtet ekzistuese të rrëfimit filozofik
dhe strukturor të poezive. Përsëritja e herëpashershme në disa poezi të Agim
Matos, është përdorur për të ilustruar peizazhin e fshehur mes natës dhe ditës
në mjedisin bregdetar: “Në ç’liman pret të të brohorasin për finishin?” (ibid).
Ajo të çon deri në një pikë kulmore eventuale me: “Vërtet, nuk e di se
lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti?”
Në heshtje të dyja këto portretizojnë, ku shfaqen lundrimet dhe shpirti.
E para është ajo që mund të shihet. E fundit është ajo që thekson se drita nuk
është atje, se ajo nuk mund të shihet më gjatë, rendi është zhdukur dhe lë pas
asgjë, por errësira fshihet në shpirt. Në një kuptim metaforik të fjalës, jo
vetëm që drita është zhdukur, qëllimi s’ka siguri, por lundrimi që fillon nga
shpirti i është qepur pjesës së errët dhe errësira e struk atë. Errësira e bën
të vështirë për të përcaktuar pozitën e lundrimit dhe dikush tjetër qaset në
këtë mjedis të errët, dhe kurrë nuk mund të jetë i sigurt që do të kthehet
drita ndonjëherë, përpos ekzistencës strukturore të vargut. Arsyet janë
përdorur në pikë të ndryshme të poezive me efekte mjaft të kundërta, por të
hapura në mendim. Studiuesi shqiptar, Aurel Plasari, na vjen në ndihmë kur
citon se “krijimi letrar, ai poetik posaçërisht, është një akt intimiteti të
thellë, fati të brendshëm, dhe si i tillë ka karakter luhatës” (Plasari, 2010:
7). Më tej për Plasarin, “talenti letrar nuk është një continuum, por ka edhe
ai karakter luhatës” (ibid). Tek Agim Mato, ashtu si edhe në rastin e poetëve
të mëdhenj, madje të quajtur kombtarë, talenti ka ardhur nga mirë-risia e tij,
përkujdesja e ndjeshme shpirtërore dhe ndjesia e organizuar në mënyrë të
ndjeshme, gjithashtu, luhatëse.
Ndikimi i lundrimit si filozofi në vargun e poetit
Lundrimi si filozofi në konceptin e Friedrich Nietzsche duhet kuptuar “vrulltas
në sferën e metafizikës së artit” (2001: 192). Sipas Nietzsche “me këtë rast e
quaj të nevojshme ta përsëris edhe një herë tezën e parashtruar më parë, se
vetëm si fenomen estetik ekzistenca dhe bota paraqiten të përligjur” (ibid). E
kuptuar kështu detyra e mitit është të na bindë që edhe e shëmtuara dhe
joharmonikja është lodër artistike, në të cilën vullneti, në tërë ngazëllimin
shekullor që ngërthen, luan me vetveten. Ky mit i ardhur nga filozofia
metafizike e ndërlidhjes, sillet mes vargut perceptues të Matos si “Pjalmi i
yjeve”, ku thirrja është midis metafizikes dhe estetikes: “I vogël, provoja
të fluturoja me krahë dylli,/duke u hedhur nga lartësitë e shkëmbinjve/ të
Akrokerauneve/dhe përfundoja shpesh në degët e ilqeve të jugut” (ibid). Ai vjen
qartë si vetë ndikimi i lundrimit, pra si filozofi në vargun e poetit: “Po unë
nuk u flas viktimave të miteve antike,/i flas shpirtit tim të ngjizur tek ti.”
(ibid). Këtu është edhe një lidhje me artin dionisian, ndonëse na bëhet i qartë
ndryshe nga rrjedhoja një qasje përmes vleraës së padiskutueshme të disonancës
muzikore. Kjo duket qartë në mjaft poezi, por “Planeti me dritë të zezë”
është mes një klauzole ku muzikaliteti poetik kryen një funksion midis
lundrimit si filozofi dhe asaj që agravon mes botës së rrethnajës: “Gjëmonte
Osumi kur të rigjeta. Salmo-net/vërviteshin në të kundërtën e rrjedhës,/duke u
ngjitur si flurudha të mateshin me zogjtë./Ç’mendoje në ato çaste?” (ibid).
Kjo prodhon edhe ngazëllimin që lindi nga vetë miti tragjik mes vargut,
ku retorika hyn në funksion të vetë lundrimit shpirtëror, me anë të filozofisë
së mitit të rikrijuar, ose të tejthirrur në funksion të ri tek “Xixëllonjat”:
“Nëse do të vish, të betohem, e flaka moshën time,/dhe do të të çoj përdore në
lëndinat e pranverave të/reja,/në çastin kur xixëllonjat lajmërojnë se ngrohet
koha/ndërsa mbajnë radhën e çeljes së luleve,/të frutave të lidhura/dhe bëjnë
inventarin e yjeve.” (ibid). Edhe poezitë e tjera pasuese “Feniksi”, “Ura”,
“Zog i trembur”, “Memento” dhe “Gugushi”, madje edhe
gjithë nënseksioni që nis me poezinë në të njëtin titull “Shtëpia ime prej
deti” kryejnë një lidhje dionisiane të përftuar madje edhe nga mundimet
lundruese të pëshpirtjes, duke na prurë një simetri të ndjeshme brenda një puhize
“poetike” të vetë artit poetik.
Puhiza “poetike” e artit poetik
Aspektet e simetrisë në poezi nga mjaft studiues janë marrë për të
përfaqësuar tensionin poetik. Në kuadër të procesit kompozicional mes impulseve
spontane dhe nuhatjes së brendshme nga njëra anë, dhe më shumë vetëdije e
imponuar nga struktura dhe organizimi nga ana tjetër, shihen edhe mjaft poezi
të poetit shqiptar, tashmë me emër, Agim Mato. Poezitë e tij të hershme, që
shpëtuan përkohësisht nga ‘kartonëzimi’ apo ‘brumëzimi ideologjik’, si “Sazani”
(1983); “Mug” (1982); “Pulëbardha” (1980) kanë një konsideratë të
tillë të qartë, me të cilën ne do të ndalemi më tej në këtë analizë. Këto forca
nuk janë parë si kontradiktore, por si të nevojshme dhe plotësuese, elemente të
muzikalitetit poetik, me një ngarkesë strukturore, ku spikat nevoja për
ekuilibër midis të dyjave (poetikës dhe muzikalitetit) është konsideruar thelbë-sore.
Intuita, ose sensi logjik i poetit, luan një rol të rëndësishëm në afrimin e
elementeve të ndryshme të procesit kompozicional në një tërësi muzikale me
simbiozë artistike dhe me një penelatë piktoreske të akuarelit mendor, ku ngjyrimet janë kaçube të detajuara e të
minidetajuara spatulanteske, të cilat babai i spatulës në pikturën shqiptare,
mjeshtri Sefedin Agolli, do t’i quante arti që të jep shpirti.
Struktura, si formale dhe e konceptuar ndryshe, ka një pjesë të madhe
për të luajtur, por pasi organizimi logjik është jo nga tema të frymëzuara
automatikisht, në penelatën poetike të Matos, aq edhe në timbrin muzikal të
poezive të tij, do të krijojë një pjesë të kënaqshme të muzikalitetit të
fshehur në determinim, por të hapësinuar në shpirtqasjen poetike mes logjikës,
konceptualitetit dhe funksionit filozofik të kohës, vendit dhe hapësirës. Ja
konceptualiteti, funksioni filozofik dhe shpirtaqasja poetike si funksionojnë
tek poezia “Sazani”: “Dhjetë kilometra të një toke në det/si shpina e një
peshku mbi ujë,/po sa u munduan/ta zinin në rrjetë/të ardhur nga
tejdeti/gjeneralët e huaj./Po unë i sajti do të jem nga shokët poetë/që vargje
shkruaj për ishullin tim,/për ishullin që rri/i ngjeshur në helmetë/te porta e
Atdheut/në përgjim?” (ibid).
Për poetin Mato, qasjes në ndjenjë intuitive mund ti arrihet edhe duke
mbajtur parasysh një “poemë të veçant딑, foto ose pikturë tonike, si një parim
të përgjithshëm organizues. Kështu poezia, në kuptimin më të gjerë, ka udhëzuar
në heshtjen e saj mesazhiere formën e përgjithshme të shumë prej kompozitave
muzikale, si dhe sigurimin e stimujve fillestare. Për qëllim të analizës dhe diskutimt,
ky shkrim ndan copat e portofolit shoqërues në tri grupe kryesore, në mënyrë që
të përshkruajë rolin e veçantë të stimulit poetik, organizimit simetrik fushën
dhe veprimin intuitiv mes forcave integruese. Nokturni i fundit është përdorur
për të ilustruar se si të gjitha këto aspekte janë sjellë së bashku në një
copë. Ndaj edhe hyrja në këtë studim na sjell hapësirën kilometrike mes poezisë
së Matos, ku “Dhjetë kilometra të një toke në det” nuk janë thjesht ajo që
lexojmë “si shpina e një peshku mbi ujë”, por logjika me të cilën funksionon
simetrikja dhe asimetrikja e shekujve me gjeneralë, pushtues e ardhës e ikës
tek “porta e Atdheut”. Dhe ajo është “në përgjim?” Poeti e di më së miri këtë
nga bunkerizimi, nga vetë ishulli që ka emrin “Sazani” dhe jo thjesht në krye
të poezisë.
Ndër poetët më me ndikim në këtë pikë të hershme të autorit Mato, janë
ndoshta emra të cilët vijnë nga kultura e ashtuquajtur “e artë poetike” e
poetëve të pyllit të madh rus, mes të cilit
lastarë të njomë lisash dhe mështeknash mbajnë ende kampionin e qasjes. Këtë
qasje nga periudha e fundit e simbolizmit në fundin e realizmit socialist
(simbolistë, futuristë, imazhionistë, akmeistë e socrealistë) të gjithë të
zhgënjyer nga epoka e socializmit e mbajnë strofkave të arta të letërsisë
Blloku, Pasternaku, Mandelshtami, Cvetajeva, Esenini, Jevtushenko, Ahmadulina
dhe Brodskij. Dhe qasja e “ndikuar” kapërcimërisht në vrugun e zellit dhe të
pasionit është marrë e konsideruar si e tërhequr nga muzikaliteti dhe simetria
mes strukturës dhe trajtesës së temave dhe poezive tyre, idetë dhe teoritë e
tilla që u ndriçuan prej analistëve të mëvonshëm. Muzikaliteti dhe poezitë e
tilla me muzikalitet dhe simetri kanë pasur, gjithashtu, një ndikim të
rëndësishëm në kompozitat e mëvonshme poetike shqiptare, nëpërmjet mendimeve të
qasura në procesin kompozicional dhe rolin më të gjerë të muzikalitetit në
poezi.
Më tej këtë muzikalitet e ndiejmë në poezinë tjetër “Mug” të
poetit Mato. Ja si shkruan ai me zellin e penelatën e tij të brendshme:“Rrija
vetëm me gjithësinë./Mbaja vesh puhizën e yjeve që çelnin si luleshqera...”.
Është ky muzikalitet poetik që ndihet si nga mesazhi, struktura, po aq edhe nga
zbrazëtia si nocion filozofik. Çfarë e bren shpirtin e poetit? Pse ai gjendet “vetëm
me gjithësinë”? Të gjitha këto kuptohen qartë. Ai kishte një baba që dinte të
sillte gjëra të reja në jetë, që dinte të mbante gjallë shqiptarinë edhe në
emrat e fëmijëve (Agim, Luan, Vullnet, Pemul etj.) Emra që i jepnin më shumë
liri, por edhe një zbrazëtirë që dikushnaja ose rrethnaja do ta cmirëzonte dhe
kjo do të ndihej atje, pikërisht ku arti flet me heshtjen, në artin poetik të
Matos...Ja si shkruan poeti dhe hulumtuesi Timo Mërkuri kur shprehet për
vëllimin poetik “Fundo” të poetit Agim Mato në ciklin “Kur flasim
për Artin Jonian”: “Pak e dinë se jeta e Agim Matos ka kaluar mes
privimeve shoqërore, duke u detyruar të kryejë punë nga më të rëndomtat, për
vetë karakterin klasor të sistemit që lamë pas. Arrestimi dhe dënimi
politik i të atit i solli si pasojë heqjen e të drejtës së botimit.
Ndonëse ai pohon me sinqeritet se…”nuk guxova të bëhem disident… Heshta
si bilbili në degë”…”Më flakën nga radhët dhe mua/me librat e mi më qëllonin/si
me gurë pas shpine/edhe pse iso më patën vënë të mbaja”. Ky akt i “flakjes”,
heqja, pra, e të drejtës së botimit, solli një heshtje gati 30-vjeçare të
këtij bilbili të poezisë shqipe..” Mërkuri që thuajse i di të gjitha, ndoshta
jo ato zbrazëti mes vargut ose heshtjes “me gjithësinë” të poetit Mato, shton
se ajo kohë “Ishte kohë pleniumesh …Atëherë ngrica pleniumesh na ftohin
eshtrat/ dhe shokët tanë/ përfundonin psikiatrive… Ishte kohë
brohoritjesh.. ..Dy ditë me radhë na nxorën nga klasa duke stërvitur/brohorimat
dhe duartrokitjet tona për pritjen e Hrushovit/të madh/ . …” Sipas Mërkurit
“Kështu shpjegohet fakti që poeti punonte, censuronte vetveten, korrigjonte e
sidomos…heshtëte si…peshku në ujë, duke u “zënë frymën ironive që i qepeshin në
buzë”, duke thënë më von me sinqeritet se…Rastësisht/ mbijetova, ndoshta për të
dëshmuar, ndoshta për të bërë/copë e çikë ateizmin tim të dikurshëm… Dhe unë,
ndërsa kujtoja dhe shkruaja këtë fakt, s’di pse nisa të rilexoj vargjet e
poezisë “Gjithpërfshirje”…Kush tha se ikën të djeshmit/…Të përpiktë në leksione
demokracie/përhapin rreth vetes/një dritë gjithëpërfshirëse, ku ushtojnë si një
klithmë dhimbjeje e zhgënjimi bashkë vargjet…Vetëm neve na
kërkojnë/çertifikata virgjërie.
Për Mërkurin më tej “Kjo puna e “biografisë” së tij edhe mua më
nxori disa herë “telashe” në shtëpinë time, sepse dikush e “ këshillonte
babanë, që t’a shpëtonte djalin (mua) nga shoqëria e keqe që kishte me të birin
e një të burgosuri politik”. Im atë më pyeste i
merakosur se… “mos do ma punosh dhe ti si yt vëlla tani
që s’kam takat t’ju ndjek burgjeve” dhe konkretizonte pyetjen se “ç’dreq
bisedoja tërë ditën me djalin e Remzi Matos”?. Meraku i tij justifikohej me
faktin se para disa muajsh ishte arestuar im vëlla, ndaj përgjigja
ime e thjeshtë …” bisedojmë për poezinë”, nuk ia mbushte shumë mendjen. Po
ja që një ditë e gjeta duke lexuar vëllimin poetik “Jug” të
Agimit, të cilin e mbaja në biblotekën time.” Kur ‘kartonizohej’ shpirti
poetik, sillej ngarrendja e trullosur e gjeografisë, jo asaj poetike. Nuk ishte
gjeografikisht e qartë. Nuk ishte as gjeografia e mitit, as Çaoshi - Kaosi
(gjer. Chaos) që vinte nga shpatullat e erës karshi brigjeve të detit Jon.
Turfullima e quajtur nga ata që kapërcyen Qafën e Gjashtës ditën me erë e shi
të vrullshëm, tufan i padukshëm, kapërceu edhe dallgën e fundit që u shtriq
matanë ngrehinës ku darkonte poshtërsia e rastit. Kjo fjalë e greqishtes antike
që kishte veti të vrazhda, që para krijimit dhe pas çdo shkatërrimi të
Universit, kishte arsyet e fshehta të qëndronte në shpirtin e Zojës së Botës.
Me këtë, vetë Zoja ishte një gjendje tipike si “rrjedhë e përhershme” e
ujëgrykësive, para se lënda të shpërthente e të merrte formën për të krijuar
botën e ngurtë. Çaoshi ose Kaosi, në Bibël, shpjegohet si një gjendje e Botës
para krijimit, me kuptimin “shkretëtirë” dhe “bosh”. (Shiko dhe Kijameti, Dita
e Madhe e Gjykimit Botëror, Tiamat.) Me këtë rast shamata pëshpirtej mbi një
dosje dhe pika e fundit e turfullimës që u quajt tufan i padukshëm, ra dhe
pikoi mbi një katrama, ku shtroheshin tërë shpirtëza të fjalosura mes mendjes
dhe shpirtit, ato gjallesa të pafalshme, të pagojta, librat e Agim Matos. Dhe
turfullima e ndihte shpirtërimën dyfishe të Matos, ku ai i Remziut, babait të
tij, që ndiehej burrëror për të birin e tij, që kur nisi të kapërcente mendimin
filozofik të penelit, e ta vishte atë me mendimin filozofik të vargut. E kishte
prurë lehtas këtë në mendjen e tij intelektuale, ai njeriu i dashur, që ishte
dashuruar me “magjinë# e fotografisë dhe ndaj te kartonëzimi i Matos, nuk mund
të bëhej ndryshe kartonëzim i Matove.
Agim Mato, leximin e kishte të hapur e të mbyllur në shpirt, ndjesinë e
udhëtimit poetik e ndjente dhe qaste bulëzëshëm amshimin jonik, kur valët dhe
dallgët kërkonin fatin e tyre të stërkalizuar falë pikërisht atyre tufaneve të
padukshme. Dhe Saranda dukej një kornizë e vogël, ku ai varte dita-ditës
portretin e tij poetik, që ia lexonte vetëm shpirti e ndonjë nga miqtë e tij të
hershëm, të paktë të tillë, por jo të vetëm, si Pandeli Koçi, Kiço Papa e deri
sa fjala e Fatosit, të madhit të letrave shqipe, do t’i jepte gjithnjë një
shtysë të nëndheshme. Kjo i jepte jetë. I jepte jetë atij edhe pas kartonizimit
të “shpirtit” të tij të lirë poetik... Dhe ai jetoi bashkë me vargun, me
poezinë e poezitë e tij në vite e vite, deri sa një ditë, trokitja ime më
shfaqi kokriza të vërteta diamanti, në një lexim të sypërsyshëm. Më tej, teksa
nata vishej me mëndafshin e saj të lehtë veror, e palma bulonte nga gushtësia e
zagushisë, letër pas letrash ndjeva riardhjen e një pene, të cilën e kisha
ndjerë më herët nga fjalët e Myrtajt, Farukut të letrave shqipe.
Ngarendshëm, retë e ardhura të atyre kohëve, me ardhje-ikjen e disa
viteve më pas, krasitën dilemën e poetit, që kishte pësuar goditjen më brutale,
por me një fat, ose më saktë siç Koçi citon se “Agim Mato është një dukuri e
dhimbshme. Atë vetë nuk e futën në burg si të atin për “politikë”, por e
përjetoi në mënyrë të dyfishtë. Ishte aq i zgjuar sa shmangu hekurat në
duar e në dritare. Por ai e provoi burgun e të atit ekonomikisht, shpirtërisht
e potencialisht. Ai provoi në kurriz robërinë e burgut të madh me emrin
“diktatura e proletariatit”.” E provoi këtë se duhej që Mato, i riu, drita e
syrit “magjik” të babait që e donte shumë të “shuhej” ngadalë dhe letrat të
kishin formë tjetër. Të kishin atë formë që do ta merrnin në korrikët e kartonizimeve të asaj kohe, në korrikët kur grushti ngrihej lart dhe godiste,
ishte në të vërtetë fat që ai mos të të vriste. Mos të vriste siç kishte
ndodhur me poetët e tjerë të kartonizuar e të izoluar, burgosur e të torturuar.
Por edhe me një fakt që vinte nga fati i të tjerëve të kampit ku militohej nga
fillesa e pasluftës. Dhe çuditërisht korriku që i kishte marrë jetën poetit të
madh bullgar Nikolla Vapcarov, si për ironi të fatit do t’i merrte “jetën” në
një kohë tjetër më të largët, librit të Matos. Jeta duhej revolucionarizuar dhe
vdekja si pasojë duhej të vdiste në mënyrë revolucionare. Kartonizimi sakaq
ishte kapërcimi i shamatshëm i Qafë Gjashtës, në atë ditë-natë me stuhi,
furtunë të padukshme.
Atëherë, qartësia e vonuar e “Mug”-ut poetik në shpirtin e tij është më
shumë se një asimetri me kohën që jetojmë. Prej kohësh arti i tij poetik pret
vendin e duhur, ndoshta më shumë se sa shpirti i tij i tendosur deri në
këputje. Ajo këputje që vjen herët nga “Mug”: “...mbaja vesh detin atje
poshtë,/ frymëmarrjen e guvave të tij si ca gërhitje balenash./Një xixëllonjë u
shpëtoi zjarreve të perëndimit dhe u end/sipër meje/me një hënë të vockël nën
bark...” Kjo na shpie në një lidhje me substancën e tringëlluar të ashtuquajtur
“Kështjella e soc-realizmit?” Nuk e di, a duhej vallë karton të ndërtohej
“Kështjella e soc-realizmit?” Dhe nëse duhej, nuk besoj se kartoni i poezive të
tilla do ta mbante atë në jetë. Vetë këto vargje do ta shkrinin atë si shkumë
valësh deti Jonian, që në akuarelin e spatulën poetike të Matos, do të sillnin
vetëm polen: “Ja Rozafa. Gjiri
i bardhë i skalitur në hyrje të kështjellës/pikon qumësht./Lindnin
shekujt, pinin qumësht te ky gji i kohës,/pinin mushtin e lirisë, /që rridhte
nga gjëndrat e tokës/dhe rendnin pastaj mes luftërash, /rendnin mes lavdish...”
Diku në studimet e mia, në një material të papublikuar ka një lidhje të
hershme të një udhë-shkrimtareje britanike që e quan kërkimin e bletës në pyje,
si një veçori karakteristike e zonave shqiptare, të cilat e donin mjaltin në
sofrën e tyre. Dhe e dini si shprehet ajo? Ja kështu: “Unë ecja në trevën me
shqiptarë dhe ata bërtisnin për të risjellë bletët punëtore duke nxjerrë zëra
melodikë në korr: “Bletë, bletë..., matoja jonë e ëmbël, mato, mato ..., bletëza
jonë mjaltërore...”. Nuk e di në fakt nëse kjo lidhje e ka sjellë nektarin
poetik të Matos ... në këto mjaltërime që flasin qartë dhe bukur edhe sot, edhe
pse klubi i atëhershëm i shoferëve, që ndoshta rishtas e shohim tek “Udhëtim në
Pranverë” nuk ekziston, edhe pse “Deti i plugimeve te reja” dëshmon
qashtër dhe ndjeshëm: “Eja, e dashur, anës së detit /me sytë e mirë si qielli,
/si trungje dallgët rrokullisen /dhe çahen, përflakur nga dielli./Ja, këtu do
ngremë qytetin./Më të blertë se ky s’do të ketë, /mbi të kapshtie portokallesh
/dhe radhë brezarësh gjer te retë.” Dhe ja le ta themi me vargun e fundit....
poezi të tilla enden e enden përjetësisht vetëm “Enden qyteteve të kaltëra.”
Poezitë “Zhytem” dhe “Plazhi i krorëzës” kanë në vetvete
modelin ku shihet qartë qasja kulmore në krijimtarinë poetike të viteve që
pasojnë një vrull poetik të vargut të bardhë te poeti që tashmë zotëron dhe
konkuron ndjeshëm. Në thelb është vetë ajo “puhizë” poetike që qartëson: “Këtu
natyra është si në ditën e krijimit të botës./Edhe rëra e plazhit,/edhe
shkëmbenjtë që dalin nga uji,/edhe deti,/edhe fundi i tij/mbajnë të pashqitur
pullën origjinale të krijuesit.” (ibid). Më tej edhe rreth njëqind poezitë e
autorit kanë brenda puhizën e vet e të detajuar imtësisht. Ajo që na shtyn
është vendi që ata meritojnë.
Duke përfunduar
Analiza e poetikës dhe vlerave poetike të poetit Agim Mato te
“Lundrimet” na shpie mes vargut në një sipar të hapur trepërmasor të hapësirës,
vendit dhe kohës. Ajo na sqaron vlerën e një filozofie të tejdukshme që vjen
nga lundrimi shpirtëror si imitim filozofik i jetës dhe rrethnajës metaforike
të detlidhjes dhe tërë asaj ku “banon” vargu poetik i Matos. Është një arsye më
shumë se fakti i leximit, ajo që na detyron të huazojmë nga W. H. Auden se “Një
poet është, para së gjithash, një person me pasion, që na detyron të gjithë
neve që kemi një dashuri të madhe për gjuhën”. Dhe këtë ai e bën mjeshtërisht,
poetikisht. Pra, duke përfunduar mund të themi se për ta vlerësuar si duhet
aftësinë agimiane të këtij apo atij vargu, duhet të kemi parasysh jo vetëm
bardhësinë e vargut të tij, por në po atë masë edhe mushtin dhe muzën poetike
të tij, si dëshmi e dytë e kësaj aftësie. Duke i vendosur pranë e pranë Agim
Maton dhe poezinë e tij, sepse ata të një udhe janë, të një shpirti, kemi të
drejtë të hamëndsojmë se me arsyen e lundrimit filozofik rritet edhe lundrimi
shpirtëror poetik.
Referenca:
Arnold, Matthew (2005) Prose,
Poetry and Writing. London: Metuen.
Çabej,
Eqerem (1939) Një skicë historike e literaturës shqipe. Shkodër: Shtypshkronja
Franceskane.
Jung, Karl
(2008) Ëndrrat e filozofia. Londër: Penguin.
Mato, Agim
(2014) Lundrimet. Sarandë: Milosao.
Mërkuri,
Timo (2012) “Kur flasim për Artin Jonian”. Sarandë: Milosao.
Nietzsche, Friedrich (2001). Lindja
e tragjedisë. Tiranë: Eugen.
Plasari, Aurel (2010) Dy
fjalë për rileximin e poetit. Tiranë: GEER.
Terziu, Fatmir (2012) Joni
Poetik. Londër: Lulu.
Nessun commento:
Posta un commento