........

mercoledì 21 maggio 2014

Kur "kartonizohej" shpirti poetik



Kur “kartonizohej” shpirti poetik
Nga Fatmir Terziu

Nuk ishte gjeografikisht i qartë. Nuk ishte as gjeografia e mitit, as Çaoshi - Kaosi (gjer. Chaos) që vinte nga shpatullat e erës karshi brigjeve të detit Jon. Turfullima e quajtur nga ata që kapërcyen Qafën e Gjashtës ditën me erë e shi të vrullshëm, tufan i padukshëm, kapërceu edhe dallgën e fundit që u shtriq matanë ngrehinës ku darkonte poshtërsia e rastit. Kjo fjalë e greqishtes antike që kishte veti të vrazhda, që para krijimit dhe pas çdo shkatërrimi të Universit, kishte arsyet e fshehta të qëndronte në shpirtin e Zojës së Botës. Me këtë, vetë Zoja ishte një gjendje tipike si “rrjedhë e përhershme” e ujëgrykësive, para se lënda të shpërthente e të merrte formën për të krijuar botën e ngurtë. Çaoshi ose Kaosi, në Bibël, shpjegohet si një gjendje e Botës para krijimit, me kuptimin “shkretëtirë” dhe “bosh”. (Shiko dhe Kijameti, Dita e Madhe e Gjykimit Botëror, Tiamat.) Me këtë rast shamata përshpirtej mbi një dosje dhe pika e fundit e turfullimës që u quajt tufan i padukshëm, ra dhe pikoi mbi një katrama, ku ndereshin tërë shpirtëza të fjalosura mes mendjes dhe shpirtit, ato gjallesa të pafalshme, të pagojta, librat e Agim Matos. Dhe turfullima e ndihte shpirtërimën dyfishe të Matos, ku ai i Remziut, babait të tij, që ndjehej burrëror për të birin e tij, që kur nisi të kapërcente mendimin filozofik të penelit, e ta vishte atë me mendimin filozofik të vargut. E kishte prurë lehtas këtë në mendjen e tij intelektuale, ai njeriu i dashur, që ishte dashuruar me ‘magjinë’ e fotografisë dhe ndaj tek kartonëzimi i Matos, nuk mund të bëhej ndryshe kartonëzim i Matove.
Agim Mato, leximin e kishte të hapur e të mbyllur në shpirt, ndjesinë e udhëtimit poetik e ndjente dhe qaste bulëzëshëm amshimin jonik kur valët dhe dallgët kërkonin fatin e tyre të stërkalizuar falë pikërisht atyre tufaneve të padukshme. Dhe Saranda dukej një kornizë e vogël, ku ai varte dita-ditës portretin e tij poetik, që ia lexonte vetëm shpirti e ndonjë nga miqtë e tij të hershëm, të paktë të tillë, por jo të vetëm, si Pandeli Koçi, Kiço Papa e deri sa fjala e Fatosit, të madhit të letrave shqipe, do ti jepte gjithnjë një shtysë të nëndheshme. Kjo i jepte jetë. I jepte jetë atij edhe pas kartonizimit të ‘shpirtit’ të tij të lirë poetik... Dhe ai jetoi bashkë me vargun, me poezinë e poezitë e tij në vite e vite, deri sa një ditë, trokitja ime më shfaqi kokriza të vërteta diamanti, në një lexim të sypërsyshëm. Më tej, teksa nata vishej me mëndafshin e saj të lehtë veror, e palma bulonte nga gushtësia e zagushisë, letër pas letrash ndjeva riardhjen e një pene, të cilën e kisha ndjerë më herët nga fjalët e Myrtajt, Farukut të letrave shqipe.
Ngarendshëm, retë e ardhura të atyre kohëve, me ardhje-ikjen e disa viteve më pas, krasitën dilemën e poetit, që kishte pësuar goditjen më brutale, por me një fat, ose më saktë siç Koçi citon se “Agim Mato është një dukuri e dhimbshme. Atë vetë nuk e futën në burg si të atin për “politikë”, por e përjetoi  në mënyrë të dyfishtë. Ishte aq i zgjuar sa shmangu hekurat në duar e në dritare. Por ai e provoi burgun e të atit ekonomikisht, shpirtërisht e potencialisht. Ai provoi në kurriz robërinë e burgut të madh me emrin “diktatura e proletariatit”.” E provoi këtë se duhej që Mato, i riu, drita e syrit ‘magjik’ të babait që e donte shumë të ‘shuhej’ ngadalë dhe letrat të kishin formë tjetër. Të kishin atë formë që do ta merrnin në korrikët e kartonizimeve të asaj kohe, në korrikët kur grushti ngrihej lart dhe godiste, ishte në fakt fat që ai mos të të vriste. Mos të vriste sic kishte ndodhur me poetët e tjerë të kartonizuar e të izoluar, burgosur e të torturuar. Por edhe me një fakt që vinte nga fati i të tjerëve të kampit ku militohej nga fillesa e pasluftës. Dhe çuditërisht korriku që i kishte marrë jetën poetit të madh bullgar Nikolla Vapcarov, si për ironi të fatit do t’i merrte ‘jetën’ në një kohë tjetër më të largët, librit të Matos. Jeta duhej revolucionarizuar dhe vdekja si pasojë duhej të vdiste në mënyrë revolucionare. Kartonizimi sakaq ishte kapërcimi i shamatshëm i Qafë Gjashtës, në atë ditë-natë me stuhi, furtunë të padukshme. Por, çuditërisht edhe një lloj kartoni tjetër ende flen diku në sirtarët, tashmë ndoshta të mbyllur të ish Këshilltarit të Presidentit të Republikës, zotit Bujar Nishani, njeriut të mirë e të shumëvuajtur, shkrimtarit të pafjalë, Amik Kasoruhu, që në takimin e fundit me të në Tiranë do të shprehej: “Jemi të një mendimi, Agim Mato është poeti fisnik i durimit, që meriton, jo për hir të fjalës, por për hir të arsyes së tij në fjalë...”. Le të presim nëse do të hapet ndonjë ditë ai sirtar..., ku fle një karton, një karton i një kohe tjetër, jashtë kartonizimeve.

Nessun commento:

Posta un commento