........

mercoledì 20 marzo 2013

Çuf - Çuf















ÇUF - ÇUF

Kthehem në shtëpi, var në korridor xhaketën e  rënduar
       nga lodhja e ditës 
ndërsa nga kuzhina dëgjohet çuf-çufi
i tenxheres me presion
si një tren që mbart prej vitesh jetën tonë.

Mbrëmja tani është një divan ku dremis i rrethuar nga ky
                                                                                         refren,
si një udhëtar filmash  western.

Televizori është ndezur tre hapa më tutje
dhe nuk e kuptoj se cili film luan tani
brenda qenies sime.

Çuf-çuf, çuf-çuf  ky tren me rrapëllimën e hekurt  përpin
ankthin e një kohe plot rreziqe,
me personazhe të zhurmshëm,
që hipin e zbresin nëpër stacione,
duke lënë prapa ofshamat e murrme
të shtëllungave të tymit.

Herë herë udhëtimi ngec.
Banda me maska u venë tritolin shinave,
sulmojnë Komisariatin, nga duken policët që ikin nga sytë
     këmbët,
duke hedhur  pistoletat,
duke fluturuar në erë kapelet,
sikur papritur një asteroid  përplaset në tokë e u sulet 
me masën e përbindshme të flakëve.

Bastisen repartet ushtarake
dhe sheshet
mbushen me një shtresë gëzhojash e xhamash të  thyer.
Ekipe televizionesh me emër vijnë nga larg,
marrin në intervistë “rebelët” dhe i paguajnë të gjuajnë
 kuturu vendstrehimin e perëndive, duke bërë stand up,
si në një sfond
lëkurkuqësh.

Gjithçka tani është në dorë të tyre. E kot ta them
si dështon, si shfryn tentativa
për rivendosjen e rendit dhe të dërguarit e shtetit
shkrumbohen të gjallë në emër të një absurdi!
E kotë të zgjatem për anijen e mallrave
që mirret peng në mes të gjiut
dhe nuk lirohet gjersa të dorëzohet shuma  me gjobën e
 kërkuar.

Po unë asnjë pikë loti nuk po derdh
për milionat e grabitura të bankave!
Vetëm tani që shoh
bibliotekën e qytetit të digjet fundemajë
vrapoj në ethe, më merret fryma
dhe ulërij për vithisjen e këtij tempulli.
Prek hirin në trajtë fletësh të  mijëra e mijëra
 librave
dhe shoh të gëlojë poshtë gishtrinjve të mi
flaka e mekur e shpirtërave të tyre. Pak erë të fryjë
dhe ajo flakë rindizet si një dhimbje
për t’u ringjallur nga hiri.

Çuf-çufi hesht. Zbres nga ai tren vitesh,
dora e sime shoqe fik televizorin, më tund në supe,
afron një pjatë dhe më pëshpërit: “Po ftohet...”

“Kush?” -  them unë.

Nessun commento:

Posta un commento