........

mercoledì 20 febbraio 2019

Deti me mistere si sëndukët e gjysheve



DETI  ME MISTERE SI SËNDUKËT E GJYSHEVE


U  rritëm në një qytet të vogël
me palma, me bukonvile
dhe shkallë që  na nxirrnin te deti.

Atëherë deti Jon, që frymonte pareshtur nën shkëmbinj,
ishte për ne i mbushur plotë me mistere si sëndukët
                                                                         e gjysheve.
                                         
Hapnim mbulesën e trazuar të dallgëve
dhe fusnim në të dëshirat, ëndrrat, udhëtimet e
  pakryera,
fusnim botët e panjohura,  anijet e lashta, kohërat.

Deti ishte vet magjia që na kishte rezervuar fati.

Ne, një tufë këmbëzbathurish të uritur,  me gishtat
     e duarve
 të shpuara nga gjembat e fiqve të detit,
me duart e nxira nga pefkat e pishave të buta,
me xhepat e fryra nga hizet, të etur
për lodra dhe bredhje  mbushnim  si pinguinët pllakat
     shkëmbore
të Plazhit të Vjetër.

Atje, te Guri i Madh, të shtruar me beton,
si një trampolinë,
merrnin vrull,  hidheshim me rrotullime në ajër 
dhe zhyteshim me kokë në thellësirën e blujtë,  syhapur,
duke shijuar çdo herë mrekullinë  e depërtimit në një
     botë të pafund çudirash.

Kur na merrte uria e drekës
shkëputnim patlat nga shkëmbinjtë e nënujshëm,
qëronim iriqtë e detit
dhe i kapërdinim të gjalla.


Deri pasdite vonë dielli na digjte supet, ndërsa na
   ciflosej lëkura e hundës.
Shëtisnim pranë mureve antike, mozaikëve, 
saqë çdo ditë dukej sikur rronim në kohët e  lashta,
pranë heronjve homerikë.

Para se të  na mblidhte shtëpia
ngrinim mbulesën e trazuar të dallgëve, nga merrnim
                                me vete ëndrrat
për natën që po vinte.

Nessun commento:

Posta un commento