........

venerdì 8 dicembre 2017

Njeriu i zogjve



NJERIU I ZOGJVE


Çdo mëngjes, sa del rrezja e parë e diellit,
Sa shfaqet njeriu i zogjve te porta e atij parku të madh,
nga pemët, nis kori i gardalinave dhe kanarinave
në kafazet që lëkunden në ajër
nga frushullima e krahëve të tyre

“Shëët, shëët!” u drejtohet
dhe tund duart, duke u kërkuar të heshtin,
të mos ngatërrojë radhën e punëve.

Hap lesat prej teli, u hedh melin, farat e drithit,
të gjembaçëve, vezët e milingonave, krimbat e vegjël,
larvat, u mbush enëzën me ujin e freskët
dhe zogjtë atëherë e shprehin gëzimin
me ushtrimet akrobatike
në paralelet e vogla
pranë krevateve të tyre ajrore.

U sistemon me merak banesat,
u shkund çarçafët e reve
dhe nuk harron t’u shpupuritë puplat
nga frika e ndonjë paraziti.

Gjithë ditën dëgjohen këngët e tyre si nga një impiant i
         madh muzikor 
duke përhapur në ajër himnin harmonik të jetës.

Lumturohet edhe kujdestari plak, duke i dëgjuar,
si një dirigjent i sprovuar. Mbi sfondin e zërave
ngrihen herë here duetet e reja të të dashuruarve
si në konkursin e një festivali të pafund..


Në mbarim të punës
rruga e çon buzë një pylli
që oshtin nga kori i zogjve të lirë me të tjera ritme,
me të tjera pasione që të fal liria
dhe krahët e tyre i shndërron në diamante
për të prerë me përpikëri
xhamat e hapësirave të largëta.

Njeriu i zogjve i sheh duke fluturuar në formacionin
e një ëndrre
dhe i bëhet sikur ata çukisin atje lart,
midis Kashtës së Kumtrit,
farërat e ndritëshme të yjeve.


Dhjetor, 2017

Nessun commento:

Posta un commento