PIKTORI
Eja, më tha shoku im piktor,
ç‘pret,
nuk i dëgjon zërat e fëmijëve të mbledhur rrotull
pranverës së sapoardhur?
Nuk e ndjen
oshëtimën e saj të heshtur,
bubullimat e saj të kaltëra, ç’pret?
Ngriti kavaletin,
hapi akuarelet dhe nga peneli rrëshqiti drita e diellit;
ranë mbi letër drurët,
shkëmbinjtë e detit, anijet
dhe më tej qyteti i bardhë me të gjitha dritaret e tij.
Një lëvizje, dy
dhe ja,
pulëbardha rrahu krahët.
Fshap, fshap. Dhe pranvera çapitej me këmbët e saj të
gjelbra,
duke u bërë thirrje sythave
e ata i përgjigjeshin,
dilnin gjithë frushullimë,
sa herë që piktori i prekte me penelin e tij.
Shoku im ishte në ethe.
Nuk e dëgjon, thoshte, si u ngjir prilli duke na thirrur?
I dridhej peneli.
Ndoshta nga kjo ishin aq të tronditur drurët,
aq të tronditur shkëmbinjtë dhe anijet.
Ndoshta nga kjo u shfaq qyteti si një mirazh i ngritur
mbi
ujëra,
si një mirazh i hollë, i hollë
që mjaftonte vetëm një erë e lehtë
e ta zhdukte papritur nga sytë tanë.
Pastaj shoku im mbaroi.
Ne s’folëm.
Qëndruam ashtu duke dëgjuar dihatjen e asaj paraditeje
prilli,
duke duartrokitur në
heshtje pranverën.
Nessun commento:
Posta un commento