ISHUJ ANTIKË TË MESDHEUT
Ishuj antikë
udhëkryqeve të Mesdheut,
ku dallgët e fatit
përplasën Odiseun.
Nga xhepi i ç’perëndie
ratë kështu,
shpërndarë nëpër dete
kuturu?
Kopshte të harlisur,
shpella
e plazhe,
këtu një Polifem,
atje një Çirçe plot naze.
Po erdhi një kohë,
që në vend të Poseidonit,
brigjet pranë jush
nëndetëset i trubullonin.
Nuk kish më sirena
që mashtronin udhëtarët
po kampe përqendrimi
me gurore e ushtarë.
Sa shpirtra poetësh
përplasën atje brenda
bashkë me statujat
në telat me gjemba?
Po sa Peonelopa
kanë pritur
Odisetë,
pa ditur se burrat
u ishin shndërruar në shkëmbej?
Ishuj antikë,
me hotele e turistë!
Gjithçka të
nevojshme
do ta gjesh në guidë.
Pranë Mesdheut të kaltër
ku verbohen pasqyrat,
në kioska do gjesh
relike e suvenira.
Dhe në shtrat të Odiseut,
ngritur në një ulli,
shkojnë
çiftet e huaja
të bëjnë dashuri.
Nessun commento:
Posta un commento