........

giovedì 23 ottobre 2014

Nuk jam bardi yt, o det



NUK JAM BARDI YT, O DET


Nuk jam bardi yt, o det,
siç duan të besojnë.

Pranë njeri tjetrit vumë në provë vetmitë tona,
ti i zbrazur nga anijet, unë i zbrazur nga  shpresat,
mënjanë botës së madhe,
me dy fare të vjetër me dritë acetileni në shpinën tënde,
dhe unë me dy ëndrra të grisura,
të skicuara
në fletoret me kuadrate të matematikës.

Vëllai im, det!

Të betohesha në vetminë time
mbi rrasat si mademe të brigjeve të tua
se nuk do të të braktisja kurrë,
se nuk do të rroja dot larg zemëratave të tua,
larg paqtimit tënd nanuritës,
dhe ja ku jam,
si një roje e përjetëshme
e fateve tona mitike,
buzë gërmadhave të botëve të shkuara,
pranë skeleteve të sistemeve shoqërore
që i ndryshku koha si anije të braktisura.

Vëllai im, det!

Duke u futur çdo natë brenda meje,
ma zgjerove shpirtin,
mi fashite dhimbjet
dhe më bëre ti mëshiroj ata që luftuan njeriun,
të verbuar prej ideologjive.

Me një dritë të lëngëshme më pagëzove të tërin,
duke e ndjerë veten
inkandeshent e të tejdukshëm.

Nuk jam bardi yt, o det,
siç duan të besojnë:
është energjia jote
që e ngre si një balonë këngën time
mbi hapësirat e tua.


Nessun commento:

Posta un commento