SHQIPONJA
Shqiponja ishte dëbuar
nga flamuri.
Ajo vërtitej majë maleve,
inspektonte kështjellat
që nga ajri,
ndiqte lëvizjet e
ushtrive
me rrapëllima qerresh e
re pluhuri,
kontrollonte me sytë e
stërvitur
sipër një deti çadrash
laramane të fushimeve,
sipër fushëbetejave
dhe merrej vesh me
kapedanët kryengritës.
Pesëqind vjet me radhë,
në çdo beteje,
një shtizë,
qëndronte e gatshme
për fronin e saj.
Po nuk e besoni,
hapni kronikat ku
shënohet se ajo,
në konspiracion me Ali
Pashën,
priste sinjalin të ulej mbi shtizën
që plaku e kishte bërë gati.
(Aliu kishte një ushtar
që do t’i bënte shenjë
kur të vinte çasti.)
Po kur më vonë e panë shqiponjën t’i hapte udhën
një diligjence
që e çonte me ngut Ismail Qemalin
në Sheshin e përgatitur enkas në Vlorë,
të gjithë e njohën të preferuarin e saj.
E kuptuan të gjithë
pse iu desh
të zgjidhte një diplomat
për të nënshkruar shugurimin
në sytë e një Europe tekanjoze.
Nessun commento:
Posta un commento