POETI QË MERR…FUNDO
Mbi vëllimi
poetik “Fundo” të poetit Agim Mato
në ciklin “Kur
flasim për Artin Jonian”
Nga Timo Mërkuri.
1- Pak e
dinë se jeta e Agim Matos ka kaluar mes
privimeve sociale dhe shoqërore, duke u detyruar të kryejë punë nga më të
rëndomtat, për vet karakterin klasor të sistemit që lamë pas. Arrestimi dhe dënimi politik i të jatit, i solli
si pasojë heqjen e të drejtës së botimit.
Ndonëse ai pohon me sinqeritet se…”nuk
guxova të bëhem disident… Heshta si bilbili në degë”…”Më flakën nga radhët
dhe mua/me librat e mi më qëllonin/si me gurë pas shpine/edhe pse iso më patën
vënë të mbaja”. Ky akt i “flakjes”, heqja, pra, e të drejtës së botimit, solli një heshtje gati 30 vjeçare të këtij bilbili të poezisë shqipe..
Ishte kohë
pleniumesh …Atëherë ngrica pleniumesh na
ftohin eshtrat/ dhe shokët tanë/ përfundonin psikiatrive… Ishte kohë brohoritjesh.. ..Dy ditë me rradhë na nxorën nga klasa duke stërvitur/brohorimat dhe
duartrokitjet tona për pritjen e Hrushovit/të madh/ . …
Kështu shpjegohet
fakti që poeti punonte, censuronte vetveten, korigjonte e sidomos…heshtëte
si…peshku në ujë, duke u “zënë frymën
ironive që i qepeshin në buzë” , duke thënë më von me sinqeritet se…Rastësisht/ mbijetova, ndoshta për të dëshmuar,
ndoshta për të bërë/copë e çikë ateizmin tim të dikurshëm…
Dhe unë,
ndërsa kujtoja dhe shkruaja këtë fakt,
s’di pse nisa të rilexoj vargjet e poezisë “Gjithpërfshirje”…Kush tha se ikën të djeshmit/…Të përpiktë në
leksione demokracie/përhapin rreth vetes/një dritë gjithëpërfshirëse, ku
ushtojnë si një klithmë dhimbjeje e zhgënjimi bashkë vargjet…Vetëm
neve na kërkojnë/çertifikata virgjërie.
Kjo puna e “biografisë”
së tij edhe mua më nxori disa herë
“telashe” në shtëpinë time, sepse dikush e “
këshillonte babain, që t’a shpëtonte djalin (mua) nga shoqëria e keqe që
kishte me të birin e një të burgosuri
politik”. Im atë më
pyeste i merakosur se… “mos
do ma punosh dhe ti si yt vëlla tani që s’kam takat t’ju ndjek burgjeve” dhe
konkretizonte pyetjen se “ç’dreq bisedoja tërë ditën me djalin e Remzi Matos”?.
Meraku i tij justifikohej me faktin se
para disa muajsh ishte arestuar im vëlla, ndaj përgjigja ime e thjeshtë …” bisedojmë për poezinë”, nuk ja
mbushte shumë mendjen. Po ja që një ditë e gjeta duke lexuar vëllimin poetik
“Jug” të Agimit, të cilin e mbaja në biblotekën time.
I qetë, sikur
nuk më pa mua, duke e lënë librin në tavolinë, gjasme fliste me vete, tha:
-Po ky budalla, pse nuk i enveros këto vjersha? Apo mos do që të
kalbet burgjeve, më keq se i jati?!
Unë heshta.
Ishte hera e parë që e dëgjoja tim atë të fliste kështu dhe sidomos ishte hera
e parë që e dëgjoja shprehjen “enveros”.
Dhe po ta thoshja,
kush do ta besonte, se ky poet i shpallur “i deklasuar” e donte atdheun me shumë
se ata që përbetoheshin për të (…Lëndohem kur shoh se përditë bjeret atdheu/…/dhe pse të tjerët përpiqen/ta
mbushin zbrazësirën sadopak).
2-“Nocioni i
foljes së emërzuar fundo(nga fundos) krijon një mit…thotë Fatmir Terziu në parathënien
e këtij vëllimi poetik. Fatmiri ka shumë
të drejtë në këtë konkluzion, se po të
lexosh me vëmëndje vëllimin poetik “Fundo” ideja nuk buron nga fjala “fund”, si
psh “fundi i detit” por nga akti i fundosjes, psh “u fundos Titaniku”. Fatmiri
ka të drejtë dhe në konkluzionin e krijimit të një miti nga kjo folje e emërzuar
edhe duke parë figuracionin dhe kompozimin fantazmogorik të disa poezive të vëllimit,
por unë si bir i brigjeve joniane do tju
flas nga një tjetër këndvështrim për “fundon”, këtë stil të notuari dhe ca më shumë për këtë mënyrë të…jetuari
dhe të krijuari.
a-Stili fundo i të notuarit nënkupton të notuarit nën ujë,
si peshqit, në mënyrë që të mos shihesh nga bregu. Kjo mënyrë të notuari kërkon mushkëri të forta, që të mbajnë sasi të madhe ajri, të cilin e lëshojnë atë
pak e nga pak gjatë notimit, duke lehtësuar kështu trysninë e peshës së
ujit në trupin e notarit dhe zgjatur në
këtë mënyrë kohën e qëndrimit nën ujë të tij.
Nga ky stil
noti ka lindur profesioni i polumbarit dhe paisjet e tij, të cilat më von
ideuan nëndetset.
b-Por ne,
djemtë e brigjeve joniane, nuk e vrisnim shumë mëndjen për origjinën dhe
produktet e këtij stili të notuari. Më e shumta që bëmë, është se brohoritëm te
filmi “Beteja e Salaminës” momentin kur, notarët athiniotë notuan me stilin
“fundo” poshtë anieve armike dhe me levat që kishin marë me vete , zbërthyen dërrasat nënujëse të anieve, duke sjellur mbytjen e
tyre.
Por ne nuk
guxonim të bënim prova me aniet që ankoroheshin në molin e qytetit tonë.
Ne bënim gara
kush notonte më gjatë e më larg, për të fituar simpatinë e vajzave të klasës
apo për t’u kapardisur para shokëve, duke marrë
(kështu e thoshnim ne, kështu e shkruan dhe Agimi) fundo…”Në adoloshencë mernim
fundo/dhe rrëshqisnim mbi barin e funddetit/si tufa e peshqëve”, kërkonim në fund të detit relike të luftës
së fundit (shumë shokë kanë gjetur armë automatike), disa fatlumë nxirnin
koralet magjike nga thellësitë gjersa një ditë…filluam të kapnim vajzat nga këmbët,
duke i tërhequr në thellësi të detit, ku ndonëse nën ujë, e ndjenim lebetitjen e tyre të këndëshme apo edhe
pritjen e tyre për këtë tërheqje në thellësi..Aty në thellësi hapeshin pinat dhe shihnim të vezullonin margaritarët brenda tyre/si në pallate të koralta…
…Po kur u afroheshim sirenave/duke mënjanuar
meduzat/dallonim të habitur/fytyrat ëngjëllore të shoqeve tona…
Eh more Agim
Mato, ç’na kujtove ato mote, ato mote të arta kur…Netëve ,gjumi na zinte sërish nëpër thellësira/duke shëtitur në qytetet
e nënujëshme/së bashku me delfinët..
(Këto vargje
mund ti kuptosh e ti ndjesh, vetëm po qe
se je rritur brigjeve të detit).
c-Po stili
fundo ka shërbyer edhe për disa arratisje
spektakolare të bërë nga të rinj të guximshëm, duke notuar fundo drejt
ishullit grek të Korfuzit. Vetkuptohet që distanca ishte e madhe dhe nuk mund të
përshkohej nën ujë, pa frymëmarje. Të nxirje kokën mbi ujë për frymëmarrje,
rast pas rasti, ishte e rrezikëshme. Për
këtë arsye këta djem, mirnin kallama të gjatë, gati një metër, i pastronin nga
brenda duke i shndruar në tuba, prej ku depërtonte ajri për frymëmarje dhe duke
i mbajtur me dhëmbë të shtrënguara e buzë të puthitura në kallam, notonin nën
ujë, në mënyrë që ana tjetër e kallamit të rrinte në sipërfaqe, duke siguruar
frymarrjen.
Regjimi atëherë
hapi legjendën e një snajperi të degës, i cili i godiste që nga bregu edhe këta kallama, duke penguar kështu aratisjen e
guximtarëve. Por me qënë se nuk u demaskua ndonjë notar i kapur gjatë këtyre
tentativave, ato ditë kur…. Dallonim
motoskafët që tërhiqnin pas trupat pa jetë/ të moshatarëve tanë/të bërë shosh
nga plimbat…, u kuptua që ky ishte thjeshtë një bllof për të frikësuar të pakënaqurit e regjimit që guxonin të arratiseshin.
3-Por poeti
kurrë nuk tentoi të arratisej. “Nuk e shkova ndërmënd arratinë nga ky atdhe/prej guri,prej deti,
prej telash me gjëmba/edhe atëherë kur ato do bëheshin vuajtjet e mia, burgimi
im” tregon thjeshtë dhe dhimbshëm poeti. Madje ai thotë
me një sinqeritet që të dhëmb …Nuk
doja të ikte Bilal Xhaferi/Qava kur më la në duar sokëllimën e shpirtit/…/Pse
iku Kadareja nuk e kuptova kurrë…
Por ajo që ai nuk e thotë zëplotë është fakti
se, në se nuk u arratis, ai jetoi fundo.
Nuk gaboj që e
them këtë dhe do këmbngul edhe po qe se dikush do më kundërshtojë.
Parafytyroni
pak, ju lutem një gjimnazist të bukur e çapkën, që nuk linte dy gurë bashkë, e jo më të linte dy gërsheta vajzash pa i
tundur befasisht dhe ngrohtësisht, nën kinse qortimet e tyre. Një djalë që lozte me yjet se gjithë
bota ishte e tij.
Dhe befas, një
ditë merr vesh se nuk do t’i jipej e drejta e studimit, se ai e paskësh biografinë të keqe dhe se bursën që i
takonte atij, do ta mirte i biri apo e bija e filan nëpunësi, pikërisht ai ose
ajo, që i lutej Agimit t’i bënte një hartim të bukur për të marë provimin e
maturës.
a-Që nga ai
moment, vetë Agimi filloi të jetojë i heshtur, të mënjanohej nga disa shokë, të
përpiqej të binte sa më pak në sy, mundësisht të mos dukej fare, rrinte i
vetmuar dhe i menduar, vetmi dhe mendim, të cilat falë talentit, shndroheshin në
vargje. Filloi të jetojë e të krijojë…fundo në detin e madh të poezisë.
“Fillonin të na buçisnin veshët/nga të
rahurat e zemrës së madhe të detit”
Ilustrimi nga
ana ime me vargun e mësipërm është metaforik, sepse vargu i përket pikërisht
detit dhe trysnisë të peshës së tij mbi notarin, por unë ju ftoj të
parafytyroni trysninë e sistemit mbi shpirtin e poetit, që të kuptoni heshtjen
e tij.
Meqënëse arti
poetik, me trysninë e tij, gati po i shpërthente “mushkëritë e krijimit”, ai filloi të lëshojë “bulëza ajri” për të
lehtësuar këtë trysni. Filloi të botojë tek tuk poezi, të cilat tërhoqën vëmëndjen
e kritikës së kohës.
b-Tashmë,
poeti nisi të jetonte si në një
nëndetëse, nën ujë. Nxirte në shtyp ndonjë poezi, siç nxjerr nëndetësia
periskopin mbi ujë, për të parë ku janë brigjet apo luftaniet që e ndjekin. Po
ja që ky dreq “periskopi poetik” reflektonte diell dhe tërhiqte vëmëndjen e dikujt, vëmëndje e cila prodhonte
ca qortime e disa masa nëpër organizatat e frontit.
Falë ngatërresës
së pavetëdijëshme të dikujt, diku aty lart, u botua vëllimi i tij i parë poetik
“Jug”, vëllim i cili hapi një shteg të ri në poezinë shqipe. Erdhi si dallgë
deti dhe vëllimi i dytë poetik “Në prag të shtëpive tona” në vitin 1974.
Por kjo solli
dhe tërheqjen përfundimisht të vëmëndjes mbi emrin e tij të disa organeve të
specializuara, të cilat shpejtuan të ndërmerrnin veprimet e “duhura” që u pasqyrua në një qarkore të Ministrisë së
Arsimit e Kulturës së atëherëshme, e
cila urdhëronte heqjen e librave të tij
nga bibliotekat e libraritë, me udhëzimin për t’i mbledhur dhe çuar për
karton.
Ishte koha
kur…çdo centimetër kub ajër që thithnim, qe i mbushur me
fjalime…Jepeshin pretence dënimesh nën duartrokitjet… Ishte koha kur…lufta e ftohtë/na kishte ftohur/…si qirinjtë.
c-Le të
lexojmë qysh në fillim të vëllimit poezinë
lemeritëse “Pres të iki nga ky trup”, ku nuk mund të lexosh, pa u dridhur,
vargjet…Ç’u bë me këtë jetë/Tani jam një
lypës/që u shtrin dorën proverbave./..Në mos sot,nesër, do ta le këtë trup./E
kotë është/të ri brenda këtyre eshtrave/të kalçifikuara nga vitet,nga
pritja/dhe hungërimat e censorëve të dikurshëm…dhe të kuptosh ndikimin në
krijimtarinë e poetit të të jetuarit… fundo
4- Por në qoftë
se Agimi jetoi …Fundo…, në mënyrë të
dukëshme dhe publike (sepse privatisht fundo
kemi jetuar të gjithë shqiptarët), merita e tij është se në atë “fund deti” ai jetonte botën magjike
joniane, plot perla e pina , me
sirenat pranë vendbanimit të Poseidonit. Madje si pjesë e kësaj bote joniane,
ai na magjepsi me shfaqien e tij befasuese (pas tridhjet vjet heshtjeje) me
librin “Fundo”.
a-Rikthimi, me
dy vëllimet e fundit “Jashtë eklipsit” dhe “Fundo”, i Agimit, ishte si të
ringrihej Titaniku nga fundi i oqeanit e
të vazhdonte udhëtimin, plot leshterikë e myshqe varur në kiç e në bash dhe
llum funddeti në kuvertë. Por këta leshterikë e mushqe dhe ky llum funddeti
mrekullisht kishte shkëlqimin dhe dritën e arit. Në qoftë se ne, të tromaksur (shumë nga ne të mrekulluar) nga e papritura, prisnim
plot frikë, që nga kabinat të na fanepseshin fantazmat e të mbyturve, ne na u
mek fryma kur pamë se ato qenë mbushur plot
perla dhe korale magjike, poetike.
Por, që të marësh
perlat, duhet të hapësh pinat, që të
marësh koralet, duhet të dish notin …fundo. Siç e dinë poetët e vërtetë që e
duan poezinë.
b-Për tu kuptuar bashkë, le të lexojmë poezinë
“Llogara”:
…Mjegullat flenë ditën në fund të Jonit, pranë
anijeve antike të mbytura, në Gramata…A nuk të duket se edhe ti, i dashur
lexues, del
bashkë me mjegullën nga fundi i Jonit, për
tu ngjitur në Llogara, ku duhet të keshë kujdes sepse aty…Asnjë hap/s’mund të hedhësh sepse nuk dihet në ç’epokë bie…/se mos zgjon perënditë…
Le të vazhdojmë
më tejë po në këtë poezi….Afër
mengjesit,mjegullat zbresin sërish në Gramata/dhe lëshojnë vezët e tyre në fund
të Jonit/si margaritarë në mes lëndinave të koraleve…
E pra miqtë e
mi, Llogaraja është mal i lartë, por poezia
tingëllon si një rahje
krahësh të pulëbardhave. Figurat të “stërpikin” fytyrën me cikla vale joni dhe ndjehesh sikur del e hyn dhe ti brenda
detit, te gjiri i Gramatës.
Le të lexojmë
miqësisht poezinë e bukur “Jon”: Një hap
më tejë fillon gjithësia…
thotë vargu i
parë dhe ti e parafytyron veten në zgrip të një honi nënujor. Them të një honi
nënujor dhe jo të një honi malor, sepse edhe vargu i dytë ta përforcon këtë ide
dhe madje të shpie në një botë magjike, gati të kthyer përmbys tek lexon…Pranë meje,palombarë që ngjiten në
qiell/astronautë që cekin fundin e oqeaneve…
Dhe si për tu shfajësuar për këtë përmbysje kokëposhtë, poeti thotë…Një botë fanepsjesh më rethon, për të dëshmuar më pas…Ç’rinte e fjetur brenda meje për vite me radhë/çfryn papritur llavën e miteve të përgjumura dhe vërshon/…në
zgrip të hapësirave…..Këtu pranë meje/valët nxjerin në breg statuja/Të mos keshë
mëndjen/gremisej në një kapitel drite dhe tinguj vagnerianë…Për tu mbyllur
me vargun famoz …Një botë fanepsesh më
rethon…që tregon artistikisht
shkakun dhe burimin e këtij arti magjik. Dhe në qoftë se dikush do kërkojë
më shumë hollësia, unë do ti rekomandoja të rilexojë vargun madhor…Kush jam unë?Si më braktisën kështu perënditë
pagane/dhe më lanë vetëm mes sirenave që fillojnë të mbushin/ rradhët e korreve
jonike të polifonisë?, për të kuptuar se poezia joniane është sa
fantazmogorike ne kostum mitik aqë dhe reale.
Shikojmë
poezinë për mikun tonë të përbashkët “Andrea Zarballa” e cila nis me vargjet…Kur pres Andrea Zarballanë për të pirë
kafen/gjithmon më duket sikur ai niset nga lashtësia për/të mbritur tek unë./Vonon
pak, sa të këmbejë dy llafe me Ezopin/një sentencë me Kavafisin/ …për të mbritur pas pak te vargjet tepër
njerëzore dhe të dhimbëshme…Ka njëzet
vjet që Andrea gatuan për Merin/në kuzhinën e vetmuar….
Nuk e kupton
ku nis e mbaron irealja dhe ku nis bota e vërtetë, sepse dhe kur takohen dy poetët…në vend të cigareve/këmbejmë poezitë në gjuhët
tona/unë si një De Radë/ai si një Kavafis.
5-Unë do tja lë
lexuesit ta shijojë muzikën e brendëshme të vargjeve të këtij vëllimi poetik,
ku ai, gjatë leximit, do konstatojë mrekullisht se vargjet vijnë njera pas
tjetrës me zhaurrimën e ëmbël të valëve të Jonit. Dhe dallgët e mëdha të
zemërimit që shfaqen tek tuk, nuk e mbulojnë dot melodinë vagneriane të vargjeve. Shikoni e
dëgjoni: Diku rreh krahët një pulëbardhë duke stërpikur me stërkala metaforash
vetëdijen tonë. Ja, te vargu tjetër dëgjohet kënga e sirenave, por ju mos i
mbyllni veshët. Dëgjojini dhe lerrini tju rrëmbejnë. Më të bukur do t’ua bëjnë
jetën.
Për këtë ju
siguroj unë.
Ju betohem, me
dorën mbi …librin “Fundo” të mikut tim Agim Mato.
Sarandë,më 3
Nëntor 2012.
Nessun commento:
Posta un commento